Takimi me Trump në Vatikan, Zelensky: Ka potencialin për t’u bërë historik, nëse arrijmë rezultate të përbashkëta

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, zhvilluan bisedime përpara funeralit të Papa Françeskut, hera e parë që të dy janë takuar ballë për ballë që nga takimi i tyre në Zyrën Ovale.
Drejtori i Komunikimit të Shtëpisë së Bardhë, Steven Cheung tha se ata “u takuan privatisht sot dhe patën një diskutim shumë produktiv. Më shumë detaje rreth takimit do të vijojnë”.
Ndërkohë, presidenti ukrainas e konsideroi takimin ” shumë simbolik”, teksa theksoi se ka “potencialin për t’u bërë historik, nëse arrijmë rezultate të përbashkëta”.
“Shpresoj për rezultate në gjithçka që diskutuam. Mbrojtja e jetës së njerëzve tanë. Armëpushim i plotë dhe i pakushtëzuar. Paqe e besueshme dhe e qëndrueshme që do të parandalojë shpërthimin e një lufte tjetër“, shkroi Zelensky në X, duke falënderuar presidentin amerikan.
Bisedimet vijnë në një moment vendimtar për luftën në Ukrainë ku SHBA-ja ka kërcënuar të braktisë përpjekjet e saj për të ndërmjetësuar paqen.
Por pas bisedimeve të reja midis presidentit rus Vladimir Putin dhe të dërguarit të Trump për Ukrainën, Steve Witkoff, Trump tha se Ukraina dhe Rusia ishin “shumë afër një marrëveshjeje”.
/rtsh.al/