Takimi me skulptorin holandez Jaap van’t Veer - kryeministri Berisha shkruan në Facebook
Bjeshkët e Namuna janë Bjeshkët e Bekuara, shtypi europian po i quan gjithnjë e më shumë Himalajet e Europës
Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dy ditë më parë një takim me artistin holandez Jaap van’t Veer, i cili prej vitesh jeton dhe punon në Alpet shqiptare. Z. Jaap van’t Veer, duke e falënderuar kryeministrin për takimin, u shpreh se nuk mund të mos e takonte para se të largohej nga detyra e Kryeministrit dhe t’i shprehte personalisht mbresat gjatë viteve të punës në Shqipëri. “Kam dhjetë vjet që punoj dhe jetoj në Alpet shqiptare dhe jam dëshmitar i transformimeve të mëdha që kanë ndodhur në infrastrukturën dhe mentalitetin e shoqërisë shqiptare. Unë së bashku me një grup bashkëpunëtorësh punojmë në Alpet shqiptare, në Luginën e Valbonës dhe në Bjeshkët e Namuna, të cilat ne tashmë i quajmë Bjeshkët e Bekuara. Si shprehje të këtij vlerësimi, z. Jaap van’t Veer i dhuroi Kryeministrit një skulpturë, me të cilën, u shpreh ai, kam mishëruar disa nga etapat më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, prej Skënderbeut, pushtimeve, lirisë dhe demokracisë, të simbolizuara me personin tuaj, që, në vlerësimin tim, jeni Gjergj Kastrioti i kohëve të sotme. Ndërkaq, kryeministri Berisha përmes një statusi në Facebook vlerësoi admirimin e skulptorit holandez për Bjeshkët e Namuna, me ç’rast ai i dhuroit kreut të qeverisë edhe një skupturë të gdhendur në një gurë të marrë pikërisht nga Bjeshkët.
“Në këtë vepër ai ka gdhendur historinë e ngjitjes së kombit tonë në kohën e Skënderbeut, rrëzimin e tij gjatë pushtimit osman, diktaturës hoxhiste dhe ringritjen e tij në maja më të larta pas përmbysjes së diktaturës komuniste. Pasi i shpreha mikut mirënjohjen më të thellë për këtë kryevepër të vërtetë, dhurata më e bukur e jetës sime, ne diskutuam për Alpet e veriut, Bjeshkët e Namuna, banorët e të cilave Rose Wilder Lane në bestsellerin e saj “Majat e Shales” shkruan se janë në fëmijërinë e racës arjane, kurse siluetat e majave të tyre i përshkruan si silueta perëndimore. Miku im Jaap jetonte prej dhjete vitesh në Alpe, ku unë kam kaluar atje 27 vera të fëmijërisë dhe rinise sime duke u ngjitur në majat e tyre. Mësuam mjaft gjëra nga njëri - tjetri për Alpet. Ai i njihte më mirë se unë Bjeshkët e Namuna. E informova se tani së fundi një ekip amerikan ka zbuluar tre akullnaja shekullore në këto Bjeshkë. Zoti Jaap van’t Veer më kërkoi t’i quajmë Bjeshkët e Bekuara. Unë jam dakord me të. Ato nuk janë të mallkuara, por epike deri në legjendë, hijerënda, mistike, madhështore, të përjetshme ndaj dhe shtypi europian po i quan gjithnjë e më shumë Himalajat e Europës!”- përfundon komentin e tij në Facebook, kryeministri Sali Berisha.