Rama çon brigadën sulmuese nga Vlora në Shkodër

Brigada e pallavrave postelektorale, pasi shpërndau farën e arrogancës dhe të revanshit në Vlorë pritet të zhvendoset sot në Shkodër, për të përcjellë frymën përçarëse dhe karakterin pushtues, si një trashëgimi i politikës bolshevike të zonës së parë operative. Kalecët e Edi Ramës s’mund t’i paraqiten Shkodrës me dokrra hini për bashkim e unitet, kur vizitat i bëjnë ose në shoqërinë e Tadiçit, ose për të njoftuar largimin e secilit shkodran si armik pushteti nga administrata shtetërore
Brigada e përçarjes së Edi Ramës lëviz nga qyteti i Vlorës për në Shkodër pa ndaluar ashtu siç ishte parashikuar në Durrës. Mikpritësi Vangjush Dako është treguar “derë hekuri” dhe nuk ka preferuar të shpenzojë mijëra euro për të organizuar një mbledhje qeverie të pa dekretuar, jashtë radhe të kabinetit Rama. Ndërsa bujarë janë treguar deputetë biznesmenë socialist nga qarku i Shkodër që po bëjnë sot nder që nesër të kenë mundësi të kërkojnë favore për të shtuar edhe më pasurinë financiare përmes fitimit të tenderave dhe marrjes së aksesit preferencial në projekte të mëdha rajonale.
Megjithatë Edi Rama po mundohet të korrigjojë edhe simbolikën e kritikuar të mbledhjes së parë në Vlorë pasi ishte një sinjal i panevojshëm përçarës. Në logjikën e zonës së parë operative brigadave e 1 sulmuese Edi Rama po e çon shtabin e tij të përgjithshëm në Shkodër për të ndarë edhe me ta frytet e fitores. Në fakt, Edi Ramës i lejohet të bëjë kësisoj provash teknike për të qenë kryeministër. Partneri strategjik në koalicion me Ramën ka preferuar t’i japë mbështetje programore për 300 ditë. Dhe ditën e sotme do të miratohet ky program 10 mujor.
Përtej kësaj nuk pritet që kryeministri në ardhje Edi Rama do të japë ndonjë ide sesi do të bëjë shëndetësinë falas për të gjithë pa paguar kontribute ashtu siç ka deklaruar dhe për të cilën ka marrë edhe votën e 1 milion shqiptarëve. Po ashtu Edi Rama dhe ministrat e tij nuk pritet të marrin ndonjë vendim për legalizimet falas, për uljen e taksave të 95 % të shqiptarëve, të heqjes së taksës së biznesit të vogël, të hapjes së 300 mijë vendeve të punës, etj. Në këtë takim do të përfeksionohet më shumë mënyra sesi do të ndryshojë arkitektura e ministrave.
Ministrat e Ramës po përgatisin revanshin në administratën shtetërore dhe kjo gjë do të bëhet vetëm me ndryshime strukturash në ministritë me emërtime të reja sepse në këtë mënyrë mund t’u shmanget padive të shumta gjyqësore të panafakëve të shkarkuar padrejtësisht që do të bllokonin sistemin gjyqësor. 19 ministrat e rinj me portofol Shkëlqim Cani, Saimir Tahiri, Mimi Kodheli, Ditmir Bushati, Klajda Gjosha, Nasip Naço, Arben Ahmetaj,Gjiknuri, Eglantina Gjermeni, Edmond Haxhinasto, Edmond Panariti, Ilir Beqja, Lindita Nikolli, Erjon Veliaj, Mirela Kumbaro, Lefter Koka dhe ata ministrat pa portofol Milena Harito, Blend Çuçi, Ilirjan Celibashi, do të paraqesin në këtë takim të dytë stafin politik dhe drejtorët e drejtorive të Përgjithshëm që do të qeverisin dikasteret, në të njëjtën logjikë që bëri Edi Rama duke prezantuar drejtoren e kabinetit.
Kësisoj ministrat e rinj në pritje të marrjes së detyrës që pritet të nisin punën në 12 shtator do të paraqesin para kryeministrit në ardhje Edi Rama “planin e spastrimeve” për secilin dikaster, si dhe strukturën re të punësimit të militantëve në ministrive përkatëse. Me një llaf gjithçka do të jetë në dorë të Edi Ramës që do të kontrollojë jo vetëm ndarjen e buxhetit të çdo ministrie por edhe punonjësit e çdo dikasteri. Në fakt edhe paralajmërimet për lëvizje të administratës së ministrive jo vetëm që do të fshehin vendet e punës për punonjësit aktualë që do të jenë të pasigurt dhe të pamundur për t’u ankuar në gjykatë në lidhje me kontratën me shtetin shqiptar. Rama po instalon kulturën e regresit nëpërmjet frikës së spastrimeve dhe kthimin në revanshin e viti 44 ku komunistët morën pushtetin.
Sidoqoftë edhe një gjë tjetër duhet thënë Ed Rama ka një problem të madhe me transparencën financiare, pasi nuk jep shpjegimi për pagesën e faturave të mbledhjeve në hotele luksoze, të cilat nuk janë falas. Dhe po ashtu nuk besojmë që Edi Rama nxjerr para nga xhepi apo me 3 mijë eurot që ka në bankë të paguajë gjithë këto fatura. As PS-ja nuk i paguan dot këto shpenzime sepse duhet një faturë tatimore, për të cilat duhet të japë llogari. Pra, ku i gjen paratë Edi Rama? Ku i gjen dhjetëra mijë euro për dy ditë mbledhje qeverie në Vlorë dhe një ditë në Shkodër që në një përllogaritje normale shkon secila prej tyre tek 50 mijë euro. Apo duhet të mendojmë që ndërtuesin e ardhshëm të rezorteve apo biznesmenët deputetë në Shkodër paguajnë faturat që përligjin zhvillimin e planeve të tyre të biznesit. Edi Rama si kryeministër në ardhje e ka për detyrim publik të deklarojë jo vetëm pasurinë e tij reale, por edhe pasurinë e partisë Socialiste që organizon zijafete luksoze me para okulte.