Velat e Fates, kllounadë emigracioni

Vëzhgimi/Rama shpërblen dëshmitarin e rremë të incidentit të Vjenës dhe konfirmon amatorizmin dhe endacakllëkun si yll polar të qeverimit të tij
Kabineti “Rama” në tërësinë e tij njihet për një amatorizëm të theksuar, paaftësi dhe mungesë përvoje në punët shtetërore. Sikurse, i njëjti standard amatorizmi po shoqëron edhe rrethin e këshilltarëve të ngushtë pranë tij, duke rreshtuar lloj- lloj të dështuarish që ‘suksesi’ i vetëm i tyre ka qenë servilizmi. Kështu, këshilltari më i ri i emëruar nga Rama për diplomacinë kulturore është Fate Velaj, emigrant nga Vlora, siç e quan Rama, i cili bëri me jetën e tij prej endacaku ëndërrimtar nëpër Europë, një histori suksesi mes artit, kulturës e politikës.
Por kush është Fate Velaj në të vërtetë? Miqësia e tij me Ramën nuk është surprizë, pasi bashkëpunimi i tyre është i hershëm dhe Fatja ka qenë disa herë organizator i konferencave të Ramës në Vjenë dhe rasti më i fundit është ai që prodhoi incidentin me diplomatin shqiptar atje, Egin Ceka. Fate Velaj, njihet në media jo për ndonjë vepër me nam, por për namin e zi që la në kryeqytetit e Austrisë, duke mbrojtur arrogancën agresive të punëdhënësit të tij.
Pra, një kllounade emigracioni që për shërbimin e turpshëm që i bëri eprorit të tij në mes të Vjenës, duke alarmuar të madh e të vogël për ngjarjen e turpshme, përfiton si shpërblim në kabinetin e Ramës, një vend këshilltari. Pas shtatorit do jetë në Tiranë, një zyrë larg Edi Ramës dhe ashtu si të punësuarit e tjerë këshilltarë, do miratojë me përpikmëri punët e mbrapshta të kryeministrit të ardhshëm. Incidenti i Vjenës i ve vulën eficencës në punët e shtetit të bashkëpunëtorëve të ngushtë. Kryetari i PS-së Edi Rama, pjesëmarrës në Akademinë Diplomatike ka qenë i ftuar në këtë takim nga Fatmir Velaj, për të mbajtur një fjalim para diplomatëve të shumtë. Fjala e tij ka qenë e zymtë për zhvillimet dhe realitetin në Shqipëri.
Pasi ka ofenduar rivalët e tij politikë, ai është kthyer të ofendojë edhe diplomatët shqiptarë. Kjo ka sjellë një tensionim dhe sherr të hapur mes Ramës dhe diplomatit Ceka, i cili është pasuar me sharje dhe fyerje.
Prezent në këtë sherr skandaloz të kryetarit të PS-së kanë qenë të gjithë të pranishmit e Akademisë Diplomatike të Vjenës. Dëshmitari i incidentit të Vjenës dhe organizator i takimit Fate Velaj ka marrë anën e mikut të tij, Edi Rama, duke deklaruar të kundërtën e ngjarjes së parë nga qindra diplomatë. Ndërsa gazeta vjeneze “DerStandard” shkruante shkrimin me titull: çmendet kryetari i socialistëve të Shqipërisë, Edi Rama. “Aktivitetin e ka ndjekur edhe Egin Ceka, sekretar i parë në ambasadë dhe përfaqësues i Shqipërisë në organizatat ndërkombëtare.
Pas aktivitetit ai iu afrua Ramës për të kritikuar deklaratën e tij se diplomacia shqiptare është “e politizuar” kështu që ambasadat nuk mund të zhvillojnë zgjedhje korrekte të emigrantëve shqiptarë. “I thashë Ramës se nga përvoja ime e di që kolegët disponojnë ndërgjegjen e duhur administrative dhe zgjedhjet mund të zhvillohen në mënyrë korrekte. I thashë se ai po i bën diplomacisë një padrejtësi të madhe”- tha Ceka për gazetën Standard. “Por Rama më kërkoi qe të të ikja nga aktiviteti. Iu përgjigja se nuk kam asnjë arsye që të largohem. Ai vuri dorën e majtë në të djathtë të kokës sime dhe duke mbledhur grushtin tërhoqi veshin dhe flokët e mia.
Nuk ishte një goditje me dhimbje, por një kapërcim i kufirit”, shkruhet në gazetën vjeneze.
Në fakt, Fate Velaj është i njohur në ambientet socialiste aq kaq fituar një projekt mijëra eurosh në bashkinë e Fierit, të drejtuar nga Baftjar Zeqo, që shpenzon para për “Globe” idiote në mes të qyteti dhe nuk interesohet se pse lumi Gjanica përmbyt qytetin prej 11 vitesh. Kësisoj, pasi rreshtoi sekserët e tij në poste ministrore, ishte radha e këshilltarëve që të përfitonin copat e pushtetit klientelist.
Dhe mesë miri, rreshtimi i Fate Veles si “shpëtimtar” i diplomacisë kulturore, në një kohë kur suksesi i tij i vetëm është avokati e incidentit të turpshëm të Vjenës, tregon qartë katandisjen e kabinetit të ardhshëm me këshilltarë komikë që e vetmja gjë që dinë të bëjnë është servilizmi.