E Diel, 1 Nëntor 2026

Takimi pas 90-s me gjyqtarin që më dënoi 16 vjet burg

U dënuan me vdekje vetëm pse i shkruan udhëheqjes së PPSH-së disa letra për ndryshimin e kursit politik të Shqipërisë, pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën. Fillimisht me nga 10 vjet burg, ndërsa më pas dikush dha urdhër dhe me një proces të dytë, u pushkatuan.Kjo është tragjedia e intelektualëve Vangjel Lezho, Fadil Kokomani, Xhelal Koprëncka, që janë dënuar me vdekje në fund të majit 1979, të akuzuar se kishin formuar dy organizata konspirative që punonin kundër Republikës Popullore të Shqipërisë. Një dëshmi që u dëgjua në emisionin Opinion të Blendi Fevziut në Tv Klan nga shkrimtari Fatos Lubonja, pjesa e parë e së cilës u botua dje edhe në gazetën Panorama, që nga njohja e Lubonjës me 3 të burgosurit, kushtet në qeli, frika, terrori, përmbajtja e letrave, procesi i parë i dënimit me burg dhe më pas ai i dyti, për dënimin me vdekje të Lezhos, Kokomanit dhe Koprënckës. Frikë dhe dyshim, luftë psikike për jetë a vdekje, viktima dhe xhelatë, Fatos Lubonja vijon rrëfimin e djeshëm për 3 të dënuarit me vdekje, por edhe për veten,, se si një ditë u gdhi papritmas anëtar i një organizate revizioniste…

Vijon nga numri i kaluar
Fevziu: Cili nen i dënoi me vdekje këta të tre?
Lubonja: Ishte Agjitacion dhe propagandë, fraksion dy (/2), por ishte për raste lufte. Ky nuk ishte rast lufte dhe për më tepër një letër nga burgu nuk mund të konsiderohej rast lufte në një regjim të tillë të konsoliduar.
Fevziu: Dhe këta cili nen i përfshin?
Lubonja: Gjetën nenin Krijimi i një organizate antirevolucionare, antisocialiste, antidemokratike për të përmbysur pushtetin me dhunë. Diçka e tillë.
Fevziu: Kjo organizatë, sipas tyre, ishte krijuar në burg?
Lubonja: Ndoshta pse dëshironin të ndëshkonin dhe të tjerë, ndoshta pse donin të mbushnin thjesht organizatën, duhet të zgjidhnin edhe njerëz.
Fevziu: Dhe ju ishit midis tyre?
Lubonja: Unë isha një nga ata që u zgjodhën për të mbushur organizatën.
Fevziu: Në cilin vit u arrestuat?
Lubonja: Në shkurt të vitit 1979.
Fevziu: Në momentin që u arrestuat, ju nuk e dinit se pse?
Lubonja: Unë kisha marrë disa sinjale që kishin pyetur për mua. Të mos harrojmë që jemi në periudhën e ridënimeve. Të burgosurit ndienin frikën që nuk do të dilnin, që do të ridënoheshin.
Fevziu: Pra, ju e prisnit që të ridënoheshit, por nuk e dinit që ishit pjesëtar i një organizate revolucionare
Lubonja: Pikërisht. Këtu vjen misteri, sepse zakonisht i merrnin një nga një, si kokrra. Morën njërin, pastaj tjetrin, pastaj tjetrin Tani, befas, ti shikon një kamion që shfaqet në hyrje të burgut, të marrin, të bëjnë një kontroll rrobash, trupi, të këpusin një palë pranga, të hipin te kamioni. Pastaj ti heqin këto pranga dhe ti lidhin dorë më dorë me dikë, ku gjysma ishin shokë që i kishe pasur, gjysma ishin njerëz që i shihje me dyshim. Edhe burgu kishte këta njerëzit që shikoheshin me dyshim, si bashkëpunëtorë të komandës dhe ti nuk merrje vesh në atë grumbull të madh në kamion, se ku po të çojnë dhe pse po të marrin. Ndërkohë, kur më thirrën mua, kisha marrë vesh që ishte nisur një kamion.
Fevziu: Dhe ju sollën në Tiranë?
Lubonja: Gjithë ai labirinth se ku po shkojmë, ankthi se mos na dërgojnë në Burgun e Burrelit, se zakonisht bënin transferime atje. Megjithatë, transferim në Burrel pa plaçka, nuk kishte ndodhur ndonjëherë. I merrje dhe ato plaçka, 5 rroba gjithsej, dhe i çoje në Burrel. Nejse, kaluam Urën e Milotit dhe menduam mosss, po na çojnë në Ballsh, po përfunduam në burgun e Tiranës. Aty ishte majtas dhe djathtas. Majtas ishte kaushi, ndërsa djathtas ishin qelitë. Në kaush mund të shkoje për ndonjë tranzit, qëndrim të përkohshëm. Ne na çuan djathtas, na bënë kontrollin dhe përfunduam në qeli.
Fevziu: Dhe kur jua komunikuan që ishit pjesëtar i një organizate kundërrevolucionare?
Lubonja: Historia është shumë e gjatë, se nuk dua të tregoj këtu gjithë librin. Gjithë problemi ishte se fillimisht ishte akuzë për agjitacion. Unë të paktën. Dhe aty nuk dihet prapë se si këta kanë vepruar. Ishte gjëja më absurde që të të akuzonin në burg se ke krijuar një organizatë. Jo për gjë, por kishte shumë arsye aty brenda: mosbesimi, ajo klima e terrorit aty brenda etj. Domethënë, ti refuzoje, refuzoje, refuzoje dhe befas të thonë që je pjesë e një organizate për të bërë krime
Fevziu: Si reaguat kur jua thanë, qeshët?
Lubonja: Jooo
Fevziu: Apo në atë kohë nuk mund të qeshje?
Lubonja: Jo, në asnjë mënyrë, nuk mund të qeshja. Përkundrazi.
Fevziu: Kam përshtypjen se një njeri që ju dëgjon sot, nuk ju kupton dot?
Lubonja: Kjo ndoshta është mungesa jonë për ta shpjeguar, prandaj kam shkruar një libër të tërë, që nuk mund ta zëvendësojë dot një bisedë. Por duhet të kemi parasysh një gjë: Ishte shumë e frikshme, pikërisht sepse nuk kishe bërë asgjë. Domethënë, sikur të kishe krijuar një organizatë, ti je i përgatitur. Ke vënë veten në rrezik, por je me vetëdije. Por, kur nuk ke bërë asgjë dhe dëgjon që je i dënuar për krijimin e një organizate, atëherë mendja të thotë që dikujt i është tekur që duhen qëruar këta njerëz. Kupton?
Fevziu: Në momentin që ju thanë se jeni pjesëtar i një organizate, menduat që mund tju vrisnin?
Lubonja: Padyshim, kam menduar që mund të më vrisnin!
Fevziu: Menduat që edhe mund tju pushkatonin?
Lubonja: Është një periudhë terrori, sepse të mos harrojmë se kemi të bëjmë me një regjim kriminal dhe iracional. Enver Hoxha kishte eliminuar shokët e tij, që as mendonin se mund ti bënin gjë. Të mos harrojmë proceset e Beqir Ballukut me shokë, apo jo? Pra, jemi në një situatë iracionale dhe në një situatë të tillë, ti nuk mund të mendosh se dale, se këta do të veprojnë në mënyrë racionale. Vetë fakti që të bëjnë një akuzë të tillë ishte komplet e paimagjinueshme. Gjëja e parë që na shkonte në mendje në atë situatë që ishim ne, në atë situatë që po kalonte Shqipëria, ishte që këta po krijojnë një klimë terrori, ka ardhur ndonjë urdhër, ndonjë çmenduri tjetër e Enver Hoxhës dhe duan që të qërojnë edhe ca njerëz. Vonë pastaj, kur u lidhën akuzat përsëri me organizatën, me këta të dy (Vangjel Lezhon dhe Fadil Kokomanin), atëherë mendon se e gjithë kjo bëhet për këta. Por, përsëri është e vështirë të mendosh që shiko, kjo po bëhet e gjitha për këta apo jam edhe unë brenda?
Fevziu: Ndoshta u lidh me këta, që të eliminoheshin edhe 8 persona?
Lubonja: Po pra, ashtu eliminoheshin edhe tetë
Fevziu: Sepse është shumë e vështirë të kuptosh se si funksionon logjika e diktaturës
Lubonja: Fakti është që unë e kam përshkruar në libër, sepse gjyqi i parë ishte ai i Xhelalit.
Fevziu: Xhelali akuzohej për një organizatë tjetër kundërrevolucionare?
Lubonja: Në momentin që u bë arrestimi në Spaç, 22 veta janë arrestuar. Ndër të cilët 3 ishin të arrestuar, Fadili dhe Vangjeli në një krah dhe Xhelali në krahun tjetër. Janë 19 të tjerë që u ndanë në 2 organizata. 12 ishin të Xhelalit dhe 10 ishin
Fevziu: Pra, ishin 2 organizata antirevolucionare në burg?
Lubonja: Organizata jonë ishte me epitetin revizioniste.
Fevziu: Po përdorim termin organizatë, por që nuk ekzistonte?
L

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›