Takohen diplomatët
Ministria e Jashtme e Kosovës do të organizojë Konferencën e parë me ambasadorët e Republikës së Kosovës, e cila do të shndërrohet në një “ngjarje” të përvjetshme.
Kështu kanë bërë të ditur zyrtarë të MPJ’së.
“Kjo është konferenca e parë e ambasadorëve tanë për vitin 2011 dhe aty do të bisedohet edhe për çështje të natyrës strategjike, por edhe për çështje të MPJ’së dhe për çështje të ambasadave, të funksionimit të tyre, të prioriteteve që duhet t’i kenë, të ndërtimit të relacioneve të partneritetit me shumë vende”, ka thënë për Express zëdhënësi i MPJ’së, Artan Behrami.
“Duhet të vendosim për atë se cilët janë partnerët tanë kyçë. Kuptohet se Uashingtoni dhe Brukseli janë dy adresat tona të para, por ne kemi nevojë të kemi edhe një bashkëpunim të ngushtë me Londrën, Parisin, Berlinin, Romën, Vjenën, me shtetet frankofone, me shtetet gjermanofolëse, me shtetet nordike, me Kanadanë, me Japoninë, prandaj duhet të mendohet në rrafshin strategjik se me cilat vende do të bashkëpunojmë”, ka shtuar zëdhënësi i MPJ’së.
Sipas Behramit, e tërë kjo do të jetë temë e konferencës së ambasadorëve, e cila mbahet në fund të këtij muaji.
“Në këtë konferencë, po ashtu do të bëhet harmonizimi i qëllimeve dhe objektivave të shtetit të Kosovës. Në ditën e parë në konferencë do të jenë të pranishëm edhe presidenti dhe kryeministri i Republikës së Kosovës, me rast do të mbajnë nga një fjalim para ambasadorëve”, ka thënë Behrami.