E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thellohet fukarallëku

Nga muaji janar në shkurt, çmimet e konsumit kanë shënuar sërish ngritje. Inflacioni i matur në muajin shkurt është për 9.5 për qind më i lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Nga Albulena Maloku më 17 mars 2011 në ora 10:44

Nga dita në ditë, varfëria për kosovarët është duke u thelluar edhe më shumë. Ngritja e çmimeve po bëhet nga muaji në muaj dhe me këtë po zhvlerësohet edhe paraja e qytetarëve.

Krahasuar me vitin e kaluar, fuqia blerëse është për 9.5 për qind më e vogël. Kjo është vlera e inflacionit e matur në muajin shkurt nga Enti i Statistikave të Kosovës. Gjatë këtij muaji janë ngritur çmimet e konsumit për 2.2 për qind, në krahasim me muajin janar. Shtrenjtim kanë pësuar buka, drithërat, vaji, qumështi, djathi dhe prodhime të tjera ushqimore. Ekspertët vlerësojnë se rënia e fuqisë blerëse mund ta rëndojë situatën sociale edhe më shumë. “Shkalla e inflacionit e matur në muajin shkurt 2011 me muajin shkurt 2010 ishte 9.5 për qind”, thuhet në raportin e ESK’së. Produkteve të shtrenjtuara edhe gjatë këtij muaji u prin buka dhe drithërat për 7.2 për qind, mishi 1.4 për qind, vajrat dhe yndyrat 4.3 për qind.

E, nëse i krahasojmë me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, atëherë përqindja e ngritjes është shumë e lartë. Vetëm buka dhe drithërat kanë shënuar ngritje për 42.2 për qind, vajrat dhe yndyrat 46.9 për qind, djathi 2.9 për qind dhe mishi 2.6 për qind. Njohësi i çështjeve ekonomike Musa Limani ka thënë për Express se kjo ngritje e çmimeve po e bën zhvlerësimin e parasë vendore. Me këtë ai thotë se është duke rënë fuqia blerëse e kosovarëve dhe është duke u zbrazur shporta jetësore e tyre.

“Duke parë gjendjen nga muaji në muaj, mendoj se inflacioni në muajt e ardhshëm do të jetë dyfish më i madh”, thotë Limani. Kjo gjendje, sipas tij, po e godet më së shumti shtresën e ulët, ata që i kanë pagat më të ulëta. Lëvizjet e mëdha të çmimeve të konsumit, sipas Limanit, do të sjellin krizë sociale, pasi që njerëzit më nuk do të jenë në gjendje të blejnë as ushqimet kryesore për jetë. “Tani me këto çmime, njerëzit janë të detyruar të përgjysmojnë blerjen e artikujt ushqimorë elementarë”, ka thënë ai.

Për më tepër, Limani inflacionin e vlerëson si kancer të proceseve ekonomike në vend. tregon se inflacioni në Kosovë është edhe si pasojë e importit tejet të lartë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›