Takohen në shtator?

Liderët e partive politike në Kosovë nuk e kanë ndërmend të ulen në tryezën e bisedimeve për t’i dhënë fund reformës zgjedhore.
Kryesuesi i Komisionit Parlamentar, i mandatuar për kryerjen e reformave, Haki Demolli ka thënë se një gjë e tillë nuk ka gjasa të ndodhë para shtatorit të këtij viti.
Ndërkohë që pakoja me ndryshimet në Ligjin zgjedhor duhet të jetë e gatshme për t’u dorëzuar në Kuvend më 15 shtator, kur edhe përfundon mandati i komisionit të Demollit.
“Nuk ka gjasë që një takim mes liderëve të ndodhë para shtatorit të këtij viti, jam skeptik që diçka e tillë mund të ndodhë këto ditë sepse nuk kemi filluar as organizimin e tij për shkak se kemi marrë njoftime që liderët nuk do të jenë në Kosovë”, ka thënë Demolli për Express.
Tri herë takimi i liderëve kishte dështuar për shkak të agjendës së kreut të ekzekutivit, i cili kishte udhëtuar jashtë vendit.
Por, tani ajo që po e zvarrit përmbylljen e procesit reformues të Ligjit zgjedhor janë pushimet verore.
“Edhe shtatë ditë fillojnë pushimet verore, andaj edhe nuk jemi lodhur fare që të fillojmë me organizimin e ndonjë takimi eventual sepse do të ishte prapë i dështuar sikurse herëve tjera”, ka thënë Demolli të mërkurën për Express.
“Jemi lodhur duke organizuar diçka, që më pas mund të dështojë sikurse herëve tjera. Ne si Komision jemi shumë të interesuar që sa më parë të mbahet takimi i liderëve dhe të përfundojnë edhe çështjet e mbetura. Ka shumë pak gjëra për t’u përfunduar. Shumica e punëve janë kryer nga ana e Komisionit dhe anëtarëve të tij. Ne kemi mbajtur takimin e rregullt të martën dhe i kemi përmbyllur edhe tre kapituj, ndërsa kanë mbetur vetëm çështjet për të cilat duhet të merren vesh liderët e partive si ajo e zonave”, shtoi Demolli.
Përfundimin e reformave zgjedhore ndërkaq po vazhdojnë të kërkojnë me ngulm edhe autoritetet e Bashkimit Europian. Përfaqësuesi i Zyrës së BE’së në Kosovë, Samuel Zbogar me anën e një letre kishte shfaqur zhgënjimin e shteteve të BE’së për mosarritjen e reformave substanciale në Ligjin zgjedhor. Në mënyrë deklarative përfundimin e tërë procesit të martën e ka kërkuar edhe Lideri i LDK’së, Isa Mustafa.
Mirëpo, burime të Gazetës thonë se as ky i fundit, sikurse lideri i PDK’së, Hashim Thaçi, nuk është i interesuar të përfundojnë reformat zgjedhore këtë vit. Sipas të njëjtit burim, lojën për shtyrjen e zgjedhjeve nacionale të dy liderët po e luajnë përmes Komisionit për Reforma Zgjedhore, i cili është bllokuar për shkak të mospërcaktimit për numrin e zonave zgjedhore.
Faktin që vullneti politik për përfundimin e tërë procesit po mungon nuk e ka mohuar as Kryesuesi Demolli.
“Si Kryesues i Komisionit mund të them se nëse ka vullnet politik, të gjitha reformat mund të kryhen me vetëm dy takime të ardhshme, që besoj se do të mbahen vetëm pasi të kthemi nga pushimi. Gjithçka varet kryekëput prej liderëve politikë.”, ka thënë Demolli për Express.