E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takon Berishën: Vizat hiqen në verën e 2010-ës

Shqipëria do të plotësojë brenda marsit kërkresat për heqjen e vizave dhe procesi për regjim pa viza do përfundojë në verën e vitit të ardhshëm. Kjo ka qenë garancia që ka dhënë eurodeputetja Tanja Fajon në takimin me kryeministrin, Sali Berisha.
"Komisioni Evropian", pohoi zonja Fajon, "do të dërgojë një delegacion në Shqipëri brenda këtij viti për të parë hapat që ka bërë vendi dhe unë uroj dhe jam e bindur që brenda marsit të vitit tjetër të gjitha kërkesat dhe kriteret do të arrihen, në mënyrë që në verën e vitit të ardhshëm shqiptarët të mund të lëvizin pa viza. Dhe unë e shoh qartësisht vendosmërinë e qeverisë tuaj për të arritur këto kritere", u shpreh zonja Tanja Fajon.
Fajon, u shpreh se puna e qeverisë shqiptare për të ndryshuar vendin është e dukshme. Këto muajt e fundit, nënvizoi europarlamentarja Tanja Fajon, ju keni bërë hapa të mëtejshëm përpara në plotësimin e kritereve të kërkuara për liberalizimin e vizave.
Kryeministri Berisha i shprehu e të qeverisë shqiptare për lobimin e saj në drejtim të përshpejtimit të liberalizimit të vizave me Shqipërinë.
Kryeministri Berisha vlerësoi Rezolutën e Parlamentit Evropian në mbështetje të liberalizimit të vizave për Shqipërinë dhe u shpreh se kjo është një gjë pozitive jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin, në shërbim të stabilitetit dhe prosperitetit të Ballkanit.
Kryeministri Berisha u shpreh se liberalizmi i vizave është një ëndërr për shqiptarët dhe se çdo kërkesë e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave do të plotësohet me përkushtim dhe vendosmëri nga qeveria shqiptare.
Kryeministri theksoi se qeveria shqiptare e sheh integrimin e vendit si një proces bazuar në performancën në përmbushjen e kritereve të kërkuara dhe një proces në të mirë të qytetarëve të saj.

Qeveria shqiptare", vijoi Kryeministri, "ka një bilanc pozitiv në luftën kundër krimit të organizuar në vend, duke pasur një politikë të tolerancës zero kundër krimit". Në këtë aspekt Kryeministri nënvizoi se po modernizohet kontrolli i kufijve të Shqipërisë dhe është fakt mjaft pozitiv që falë kësaj lufte vendi ka një indeks të ulët të kriminalitetit, më të ulët se mesatarja e vendeve të BE.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›