E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taksa e prones burim potencial per qeverite vendore

Taksa mbi pronat apo pasurinë është një nga sistemet më të rëndësishmë në shumë vende të rajonit dhe të botës. Në takimin e kreut të qeverisë shqiptare me kryekomunarët e Shqipërisë, financat fiskale të qeverisjes vendore u cituan nga kryeministri Berisha si një ngërç për politikat e zhvillimit dhe lirinë e tregut. Decentralizimi fiskal është një nga eksperiencat më të frytshme në shumë vende përmes rritjes së të ardhurave të gjeneruara nga administrimi më i mirë dhe eficentë i taksës mbi pronat. Një burim potencial për “të ardhurat e veta” të Njësive të Qeverisjes Vendore është taksa e pronës. Për më tepër, me ndryshimet e duhura ligjore në vend kjo lloj takse do te prezantonte një potencial të madh si instrument që sjell përdorimin më racional dhe eficient të tokës në zonat urbane. Në vende të tjera të rajonit të Ballkanit, financat fiskale, po bëhet një burim gjithmonë e në rritje në gjenerimin e të ardhurave për të financuar shpenzimet lokale dhe kostot e investimeve në infrastrukturë. Ajo që bën më tepër përshtypje dhe vjen e artikuluar si mesazh i qartë prej eksperiencës së vendeve europiane dhe atyre të rajonit, është pikërisht përdorimi i taksës mbi pronat jo thjesht si një instrument për gjenerimin e të ardhurave lokale, por si një instrument, i cili shoqëruar me politika të përshtatshme e të studiuara lokale, mund të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik lokal, duke nxitur segmente të caktuara të zhvillimit, siç janë industria e ndërtimit, tregu i pasurive të paluajtshme, bujqësia, zhvillimet urbane, strehimi social, nxitja e investimeve të ndryshme etj. Në disa vende të Europës Juglindore dhe Qëndrore, janë pikërisht administratat vendore ato të cilat janë përgjegjëse për vjeljen e këtij lloj tatimi. Kështu në Kroaci, Hungari, Poloni, Rumani dhe Mal të Zi, taksat nga pronat mblidhen dhe janë përgjegjësi e pushtetit vendor. Sistemi fiskal mbi pronat aplikohet gjerësisht në vendet europiane me përjashtim të Belgjikës dhe Maltës. Ajo menaxhohet në pjesën më të madhe si taksë lokale, përvec Greqisë dhe Suedisë, ku aplikohet pjesërisht si taksë lokale dhe pjesërisht si taksë qëndrore. Objekti i taksës janë persona juridikë apo individë, të cilët zotërojnë, përdorin banesa, hapësirë biznesi apo tokë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›