E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amnistia, përfitohen 110 miliardë lekë

18/01/2012  Shtyrja e rivlerësimit të pasurisë deri në mars, Komisioni i Ekonomisë kalon aktin normativ

Debate për shtyrjen e afatit. Rrushaj: Rezultat i fluksit të qytetarëve gjatë dhjetorit

Drafti për shtyrjen e afatit të amnistisë fiskale ngjalli debate në Komisionin e Ekonomisë, duke kaluar në fund vetëm me votat e mazhorancës. Duke raportuar para deputetëve, zv/ministri i Financave, Alfred Rushaj, tha se deri tani qytetarët kanë përfituar nga amnistia 110 miliardë lekë. Ndërkaq, deputetët e opozitës e vlerësuan si antiligjore këtë nismë, duke argumentuar se përfituar prej saj ata që dikur kanë bërë evazion fiskal. Deputetët e mazhorancës e kaluan pa votat e opozitës draftin e aktit normativ, por kërkuan sqarime të mëtejshme në lidhje me garancinë që jep ligji për biznesin, si dhe shtyrjen e afatit për 6 dhe jo 3 muaj.

Akti normativ

Ligji i faljes fiskale do të ketë afat deri më 31 mars 2012. Sipas zëvendësministrit të Financave, Alfred Rrushaj, shtyrja e afatit vetëm për rivlerësimin e pasurive erdhi si rezultat i një fluksi shumë të lartë të qytetarëve gjatë muajit dhjetor. Opozita e kundërshtoi shtyrjen e afatit për ligjin e faljes me arsyetimin se një proces i tillë nuk mund të zgjasë pafundësisht. Pak kohë më parë, biznesi kërkoi një shtyrje të afatit të ligjit të faljes të paktën me gjashtë muaj nga 3 që u miratua në komision. Ndërkohë që afati i fundit për këtë proces ka qenë 31 dhjetori i 2011. Këshilli i Ministrave miratoi pak kohë më parë aktin normativ për një ndryshim në Ligjin nr. 10 418, “Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor”. Miratimi i këtij akti ka të bëjë me shtyrjen për një periudhë tremujore të amnistisë fiskale, nga data 31 dhjetor 2011 më 31 mars 2012, për të gjitha kategoritë e të drejtave të parashikuara në ligjin e amnistisë fiskale për individë dhe biznese. Këtu përfshihet shtyrja e afatit për ushtrimin e së drejtës për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme të individëve apo e së drejtës së bizneseve për faljen e detyrimeve tatimore dhe doganore. Nevoja për të ndryshuar afatin ka ardhur kryesisht për shkak të rritjes së fluksit të kërkesave të qytetarëve, veçanërisht gjatë muajit dhjetor. Qeveria vendosi të miratonte këtë vendim për të shtyrë afatin pas kërkesave të shumta që vetë biznesi drejtoi në adresë të saj, si dhe vetë qytetarët që kërkojnë të rivlerësojnë pasuritë e tyre të paluajtshme. Rivlerësimi i pasurive për qytetarët

Qytetarët shqiptarë kanë më pak se 2 muaj e gjysmë kohë për legalizimin e kapitaleve të tyre, si dhe rivlerësimin e banesave të tyre. Janë të shumtë qytetarët shqiptarë që zotërojnë një banesë si pronë të tyre, e kanë privatizuar atë në fillim të viteve ‘90 me një vlerë fare të vogël në krahasim me tregun aktual. Për të bërë një rivlerësim të këtyre banesave kundrejt vlerës së tregut, ligji i faljes u jepte mundësi të gjithë qytetarëve shqiptarë ta bënin këtë aplikim pranë zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Shumë prej tyre nxituan të bënin rivlerësim të banesave menjëherë sapo ligji hyri në fuqi. Por shumë të tjerë, nga mungesa e informacionit dhe rëndësia që kishte rivlerësimi i tyre e neglizhuan. Fluksi gjatë muajit dhjetor ka qenë shumë i madh. Sipas statistikave zyrtare të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Tiranë, nga muaji nëntor deri më tani janë bërë rreth 8 mijë aplikime. Kur e kanë privatizuar shtëpinë, qytetarët kanë paguar shuma minimale, por nëse e shesin sot duhet të paguajnë 10% të diferencës së vlerës së shitjes me atë të privatizimit dhe kjo diferencë del tepër e lartë. Pas rivlerësimit, nëse do të duan ta shesin, ata do të paguajnë vetëm 1% të diferencës, e cila pas rivlerësimit del e ulët. Ministria e Financave është duke harruar disa udhëzime, që i mundësojnë qytetarët të përfitojnë nga ligji në momentin që aplikojnë, pavarësisht se kur e kryejnë pagesën. Vetëm në fillim të muajit dhjetor, ministri i Financave, Ridvan Bode, e paralajmëroi një fakt të tillë. Ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi në mesin e dhjetorit se, nisur nga situata në të cilën u zhvillua nga mungesa e një konsensusi politik dhe një debati të fortë politik dhe nga kundërshtitë e shprehura të opozitës lidhur me këtë nismë, nuk arriti maksimalisht objektivin, por në tërësinë e saj çliroi qytetarët shqiptarë dhe biznesin nga një sërë detyrimesh dhe nga mënjanimi i një sërë pagesash të rritura për shkak të dinamikës që ka pasur tregu i pasurive fikse në Shqipëri. Sipas Bodes, në përfundim të këtij procesi do të jenë mbi 40 miliardë lekë të reja, të cilat do të falen.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›