Kriza ne Eurozone frenon ekonomine boterore
Banka Botërore ka dhënë alarmin mbi ngadalësimin e ekonomisë të vendeve në zhvillim për shkak të problemeve që lidhen me borxhin në Europë. Në një raport mbi parashikimet e ekonomisë botërore për vitin aktual, BB thekson se duket se Europa ka hyrë në një recesion dhe rritja në vende të ndryshme në zhvillim si Brazili, India e më pak Rusia, Afrika e Jugut dhe Turqia, po ngadalësohet. Sipas pritjeve të BB, ekonomia globale do të rritet me vetëm 2,5% në 2012 dhe 3,1% në vitin 2013, shumë më poshtë se rritja vjetore e vlerësuar më parë me 3,6%. Gjithsesi sipas raportit, ekonomitë në zhvillim do të regjistrojnë masë më të lartë të rritjes, krahasuar me ekonomitë e zhvilluara. Sipas Bankës Botërore, ekonomitë në zhvillim do rriten me 5.4% në këtë vit dhe 6% në vitin e ardhshëm. Për ekonominë e Eurozonës BB parashikon do të ketë të dhëna negative, ekonomia do të shkojë në rënie me 0,3%. Ngadalësimi i ekonomisë do të përcaktohet nga pakësimi i shkëmbimeve tregtare në nivel botëror por edhe nga rënia e çmimeve të produkteve bazë, afirmon BB në raportin e saj për 2012. Shkëmbimet tregtare janë vlerësuar në rritje me 4,7% në vitin 2012, kundrejt nivelit 6,6% të vitit të kaluar dhe 12,4% të vitit 2010. Në raport, Banka thotë se parashikon që të ketë rritje të kërcënimeve për ekonominë globale. Përveç Europës, banka citon edhe dështimin e politikës në Japoni dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për nivelin e lartë të borxhit publik. Por faktori më i keq për ekonominë është tensioni në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, që kërcënon botën me çrregullim të furnizimit me naftë.