E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taksa e re e makinave, të gjithë do t’i nënshtrohen që nga 26 gushti

SHKRUAN: Sabina Veizaj 12-08-2011 12:29

Nëqoftëse disponon një automjet të çfarëdolloj tipi apo vjetërsie, që nga 26 gushti i 2011 do të taksohesh me mënyrën e re, sipas ligjit të ri për taksat kombëtare dhe vendore. Ligji është publikuar në Fletoren zyrtare dhe hyn në fuqi në fund të muajit gusht. Përsa i përket importimit të një makine nga jashtë, nëqoftëse ende nuk e ke prerë doganën, nuk do të paguash këtë barrë fiskale, por do t’i nënshtrohesh ligjit të ri. Bëhet fjalë për periudhën kohore nga janari deri në shtator të vitit 2011. Pavarësisht se ligji i ri për taksat kombëtare dhe vendore, ku përfshihen taksat e makinave të përdorura që importohen në vend, hyn në fuqi në fund të muajit gusht, Ministria e Financave ka vendosur të falë nga fatura doganore të gjithë pronarët e automjeteve që kanë prurë në Shqipëri makina që nga janari 2011. Personat në fjalë do t’i nënshtrohen ligjit të ri të pagimit të taksave. Përsa i përket personave që kanë importuar automjetet përpara muajit janar, deri në fund të dhjetorit 2010, ata përfitojnë nga falja fiskale. Nuk do të falen sipas ligjit personat që kanë prurë makina nga jashtë në territorin e origjinës nga janari deri në shtator, por që e kanë paguar taksën doganore. Sipas Financave, këta persona nuk mund të përfitojnë, pasi nuk mund të ketë një falje të dytë fiskale.

Si do të paguhen taksat e makinave me hyrjen në fuqi të ligjit

Me ligjin e ri për taksat kombëtare dhe vendore të ndryshuar do të bëhet ristrukturimi i taksimit të mjeteve të përdorura, duke u hequr taksa e makinave të përdorura (në import dhe në shitje brenda vendit), taksa vjetore e qarkullimit, taksa e regjistrimit të përvitshëm të mjeteve. Aplikimi i taksës së re të qarkullimit do të jetë një taksë fikse, për litër mbi gazoilin dhe benzinën, të importuara apo të prodhuara në vend, në masën 5 lekë për litër. Taksa e karbonit që është aktualisht mbi benzinën në masën 1,5 lekë/litri dhe gazoilin në masën 3 lek/litri, do të aplikohet edhe mbi dy kategori të reja nënproduktesh nafte, mbi vajgurin dhe lëndë djegëse (solarin dhe mazutin). Taksa e qarkullimit mbi benzinën dhe gazoilin do të jetë në masën 5 lekë litri deri më 31.12.2011; pas kësaj date, taksa e qarkullimit mbi benzinën dhe gazoilin do të jetë në masën 7 lekë litri. Kjo taksë zbatohet si për benzinën dhe gazoilin e importuar, ashtu edhe për ato të prodhuara në vend. Taksa vjetore e mjeteve të përdorura caktohet sipas formulës. Cilindrata në cm3 x koeficienti fiks sipas vjetërsisë x taksa fikse për llojin e karburantit. Taksa fikse për llojin e karburantit është 25 lekë për naftën dhe 20 lekë për benzinën. Përsa i përket mjeteve me vjetërsi nga 0-3 vjet, ata përjashtohen nga kjo taksë. Për mjetet që regjistrohen për herë të parë, taksa llogaritet proporcionalisht për periudhën e mbetur të vitit.

Për shembull: një makinë me 1600 kubikë me vjetërsi 6 vjet që i përket koeficienti 0,2 dhe e përdor me naftë llogaritet: 1600 X 0,2 X 25. Pra, ky person që disponon këtë automjet me këto karakteristika pritet të paguajë me ligjin e ri një taksë prej 8000 lekësh. Ndërkohë 18% e të ardhurave vjetore nga kjo taksë i kalojnë buxhetit të qeverisjes vendore. Nga ana tjetër, taksa e karbonit do të paguhet në masën 1.5 lekë për litër për benzinën, 3 lekë për litër për gazoilin, 3 lekë për kilogram për qymyrin, 3 lekë për litër për solarin, 3 lek/ litri për mazutin, 3 lekë për litër për vajgurin dhe 3 lekë për kilogram për koks nafte.“Sipas statistikave të financave, të ardhurat vjetore të buxhetit të pushtetit vendor për taksën e regjistrimit të përvitshëm të mjeteve janë rreth 850 milionë lekë dhe për të siguruar kompensimin e të ardhurave të pushtetit vendor nga shfuqizimi i kësaj takse, projektligji për ndryshimin e ligjit të taksave kombëtare ka përcaktuar se nga të ardhurat nga taksa vjetore e mjeteve të përdorura, 18 për qind prej tyre do t’i kalojnë buxhetit të pushtetit vendor. Gjithashtu përfitojnë nga ndryshimet e bëra në të dy ligjet, mjetet në pronësi të ambasadave dhe organizatave ndërkombëtare, që gëzojnë status diplomatik, të akredituara në Republikën e Shqipërisë. Aktualisht, në zbatim për sistemin e taksave vendore, në vend mjetet e transportit tatohen me katër lloj taksash: taksa e qarkullimit të përvitshëm të mjeteve (taksë kombëtare), taksa e regjistrimit të përvitshëm të mjeteve, taksa e makinave të përdorura të transportit, taksa e karbonit. Me ndryshimet e bëra në ligj, zotëruesit e automjeteve tanimë nuk do të taksohen më për qarkullimin, regjistrimin dhe taksën e makinave të përdorura.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›