Taksa në autostradën Durrës-Morinë, kushti 100 mln euro investime
Kompania që do të fitojë koncesionin e mirëmbajtjes së autostradës së re Durrës-Morinë do të duhet të investojë 100 milionë euro, duke përjashtuar kostot e mirëmbajtjes. Ja çfarë do të ndërtohet nga e para
Kompania që do të marrë me koncesion mirëmbajtjen e autostradës së re Durrës-Kukës, do të investojë 100 milionë euro. Sipas dokumenteve të tenderit, koncesionari i ri duhet të bëjë instalimin e rrethimit përgjatë autostradës, ndriçimin në të gjitha kryqëzimet, përmirësimin e tri kryqëzimeve në segmentin e II-të të autostradës. Gjithashtu, kompania duhet të ndërtojë vend-shkëmbimin në kryqëzimin Kalimash dhe ndarjen në dy korsi të segmentit të parë të autostradës, si dhe ndërtimin e një ure dhe tuneli në Kukës. Këto investime sipas Ministrisë së Transporteve do të duhen të kryhen në vitet e para të koncesionit. Investimet e reja që kërkon qeveria shqiptare ndaj koncesionarit nuk përfshijnë kostot e mirëmbajtjes rutinë të rrugës. Sipas të dhënave paraprake, aktivizimi i koncesionit pritet të bëhet para verës. Në muajin mars do të përfundojë faza e parakualifikimit të ofertave, për të mbyllur më pas në muajt e parë të verës tenderin për këtë qëllim. I gjithë ky proces që shënon edhe precedentin e parë të koncesionit në rrugë, do të shoqërohet me një pagesë në hyrje dhe dalje të tunelit, e cila është në proces diskutimi, por që mendohet të jetë në një taksë mesatare prej 5 eurosh. Nga ana tjetër, Ministria e Transporteve dhe këshilltarët e saj kanë përfunduar analizat e trafikut dhe studimin e fizibilitetit të taksave, të cilat përfshijnë llogaritjen e trafikut, pyetësorë me përdoruesit e rrugës, gatishmërinë për të paguar studimin, intervista me kompanitë e transportit, trafikun dhe parashikimin e të ardhurave. Gjithashtu është bërë diagnostikimi gjithëpërfshirës i gjendjes së autostradës, duke përfshirë cilësinë dhe vlerësimin e shtrimit të rrugëve, diagnostikimin e urave etj. Pas paraqitjes së aplikimeve parakualifikuese, ofertuesit e mundshëm do të vlerësohen në drejtim të kërkesave dhe kritereve të përcaktuara në udhëzimet përkatëse për këtë qëllim. Ofertuesit që vlerësohen të kenë përmbushur kërkesat dhe kriteret e procesit parakualifikues, do të emërtohen si "Ofertuesit e parakualifikuar". Ministria e Transportit sqaron se ofertuesit e parakualifikuar do të ftohen të marrin pjesë në procesin e tenderit për koncesionin. Aplikimet parakualifikuese duhet të dorëzohen deri në 15:00, sipas orës lokale të Tiranës, më 15 shkurt 2012. Pritet që komisioni i vlerësimit të ofertave të përfundojë vlerësimin e tij brenda datës 24 shkurt 2012. Ministria e Transporteve më pas do të publikojë listën e ofertuesve të kualifikuar brenda 30 ditësh nga dita e miratimit të vendimit të saj.
Detyrimet e koncesionarit të ri të autostradës:
-Operimin dhe mirëmbajtjen e autostradës
-Operimin dhe mirëmbajtjen e tunelit të Thirrës
-Funksionimin e një sistemi të hapur taksash, mbledhjen e të ardhurave nga taksat
-Punimet shtesë për stabilizimin e pjerrësive dhe masa mbrojtëse për të parandaluar mbylljen e rrugëve
-Ndërtimin e sheshit të pagesave për një sistem "të hapur" taksimi
-Instalimin e rrethimit përgjatë autostradës
-Instalimin e ndriçimit në të gjitha kryqëzimet
-Përmirësimin e tri kryqëzimeve në segmentin II të autostradës
-Ndërtimin e vend-shkëmbimit (kryqëzimit) Kalimash;
-Dualizimin ( ndarjen në dy korsi) të segmentit I të autostradës;
ndërtimin e një ure dhe tuneli në Kukës.
Koncesionari, ja kushtet që duhet të plotësojë
Kompania që do të marrë me koncesion autostradën e re Durrës-Morinë, duhet të ketë një eksperiencë 10-vjeçare mirëmbajtjeje urash dhe autostradash. Në mirëmbajtje dhe operim tunelesh dhe në ndërtim autostradash, tunelesh dhe urash. Gjithashtu ofertuesi duhet të ketë eksperiencë 10-vjeçare në operimin e rrugëve me pagesë taksë. Koncesionari duhet të ketë një eksperiencë 10-vjeçare në menaxhim ose kontraktor, në të paktën dy kontrata, të cilat të kenë përfshirë apo të përfshijnë përgjegjësinë për mirëmbajtjen e një autostrade me dy korsi për të paktën 60 km gjatësi, duke përfshirë edhe mirëmbajtjen rutinë dhe periodike si dhe riparimin e rrugëve, kanaleve, argjinaturave dhe urave; të kenë pasur apo të kenë të paktën 5 vjet performancë të suksesshme. Gjithashtu koncesionari duhet të ketë një eksperiencë 10-vjeçare të menaxhimit ose kontraktor në të paktën dy kontrata, në të cilën ofertuesi i ardhshëm të ketë qenë përgjegjës për mirëmbajtjen e një tuneli autostrade me gjatësi të paktën 2.5 km, në rastin e një korsie të vetme, dhe 1.5 km gjatësi, në rastin e një tuneli me dy korsi, si dhe të ketë pasur apo të ketë një histori performance të suksesshme prej jo më pak se 5 vjetësh. Çdo tunel i tillë autostrade duhet të ketë sistem ventilimi, elektro-mekanik, menaxhim të trafikut, sisteme komunikimi dhe mbrojtjeje. Ofertuesi i ardhshëm, sipas Ministrisë së Transporteve duhet të ketë marrë pjesë si kontraktor menaxhimi, kontraktor ose nënkontraktor në të paktën tri kontrata, të cilat të kenë përfshirë apo të përfshijnë ndërtimin e autostradave, secila me vlerë të komponentëve të ndërtimit së paku 70.000.000 euro.
Koncesionari duhet të ketë një eksperiencë 10-vjeçare në menaxhim, në të paktën dy kontrata, të cilat të kenë përfshirë apo të përfshijnë përgjegjësinë për mirëmbajtjen e një autostrade me dy korsi për të paktën 60 km gjatësi, duke përfshirë edhe mirëmbajtjen rutinë dhe periodike, si dhe riparimin e rrugëve, kanaleve, argjinaturave dhe urave; të kenë pasur apo të kenë të paktën 5 vjet performancë të suksesshme
Bilanci aktual i ‘Rrugës së Kombit’, punimet vazhdojnë
-Segmenti I: Milot - Rrëshen (26 km) përbëhet nga një korsi e vetme me dy kalime, financuar nga Banka Botërore, IDA dhe Fondi i OPEC-ut. Lidhja është realizuar në Milot me rrugën veri-jugore Tiranë -Shkodër, e cila lidh kryeqytetin shqiptar me kufirin e Malit të Zi.
- Segmenti II: Rrëshen-Kalimash (61 km) përbën një autostradë me katër korsi në terren malor, i ndërtuar me financim të qeverisë nga Bechtel-Enka Consortium ndërmjet prillit 2007 - qershor 2009. Ajo përfshin një tunel 5.6 km, me dy kalime në Thirrë.
- Segmenti III: Segmenti Kalimash-Morinë (31 km) është një rrugë e përfunduar në 2011 dhe kryesisht e përbërë nga një trase me katër korsi të dyfishta, me përjashtim të shtatë urave të shkurtra, të cilat janë me dy korsi.
-Autostrada përfshin kryqëzimet në vijim: Milot, Rubik, Rrëshen, Reps, Thirrë, Kalimash dhe Kukës.
-Qeveria e Shqipërisë aktualisht po realizon punime ndërtimi në kryqëzimin e Fushë- Milotit (në km 0), që lidh autostradën me rrugën Tiranë-Shkodër, dhe dualizimin e 7 urave në segmentin II të autostradës. Punimet pritet të përfundojnë deri në kohën kur koncesionari i ardhshëm të marrë përsipër projektin.