Taksat e larta rrënojnë vendet e punës
Kryeministri Berisha ishte i pranishëm sot në inaugurimin e fabrikës “Alba Shoes”, në Vlorë, një linjë e standardeve bashkëkohore e prodhimit të këpucëve, investim tërësisht shqiptar me vlerë 3.5 milionë euro. Aktualisht në të punojnë 800 punëtorë, por kapaciteti është deri në 1400 punëtorë.
Kjo fabrikë është një ndër tre investimet e suksesshme në sipërmarrjen fasioniste të kompanisë “Alba Shoes” në prodhimin e këpucëve, krahas fabrikës në Laç, me eksperiencë 20 vjeçare dhe që udhëheq në prodhimin e këpucëve të punës, e certifikuar nga Komuniteti europian, ku 90 përqind e klientëve të saj janë në Europë, me 600 punëtorë dhe kapacitet për 1000 punonjës, si dhe fabrikës në Kamëz (Tiranë), ku punojnë 250 punëtorë dhe aktualisht po punohet për zgjerimin e ambienteve të punës dhe shtimin e fuqisë punëtore.
Kryeministri Berisha e vlerësoi këtë investim të rëndësishëm jo vetëm për Vlorën, me kontribut të konsiderueshëm në rritjen e punësimit në vend, ndërsa theksoi se synimi i qeverisë është të shohë me lupë çdo segment të veprimtarisë sipërmarrëse, për ta lehtësuar gjithnjë e më shumë. “Ne besojmë se krijimi i klimës miqësore për biznesin është rruga më e sigurt për krijimin e vendeve të punës dhe punësimin,” – u shpreh Kryeministri, duke garantuar për vazhdimin e politikës së taksave të ulëta dhe masave lehtësuese fiskale për biznesin.
Kryeministri theksoi se alternativa e taksave të larta është si “re e zezë në qiellin e biznesit shqiptar”. “Ata që premtojnë taksa të larta, - tha Kryeministri - premtojnë mbyllje të fabrikave, premtojnë largimin e investitorëve, premtojnë rënie të investimeve, premtojnë rrënim të vendeve të punës.”
Kryeministri i bëri edhe një herë thirrje opozitës për të votuar në parlament tre ligjet, kusht për marrjen e statutit të vendit kandidat në Bashkimin Europian, pasi duke vepruar në këtë mënyrë, theksoi Kryeministri, nuk dëmton qeverisë, sikurse beson, por shqiptarët.
Fjala e Kryeministrit Berisha në takimin me drejtues dhe punonjës të fabrikës “Alba Shoes”.
“Jam shumë i nderuar që jam sot këtu tek ju dhe urimi më i parë shkon për presidentin e nderuar të kompanisë “Alba Shoes”, për vendimin e tij fisnik për të krijuar me investimin e vet prej 3.5 milionë euro, 800 vende pune këtu në Vlorë, kaq të domosdoshme sot për Vlorën dhe mbarë Shqipërinë. Zoti president, unë ju falenderoj me shumë mirënjohje. Kompania juaj është një kompani suksesi shqiptar dhe botëror. Kompania juaj, e cila punëson në Laç 600 punëtorë, në Tiranë 250 të tjerë, këtu në Vlorë 800 dhe me kapacitet për të kaluar në 1400 punëtorë, është një kompani që i bën nder të madh jo vetëm Vlorës, Laçit e Tiranës, por mbarë Shqipërisë. Prodhimet e “Alba Shoes”, prodhimet e duarve tuaja, të dashura vajza e gra, tregtohen me suksesin më të madh në vendet më të zhvilluara, më të fuqishme si prodhime të certifikuara, të standardeve më të mira europiane, të cilat lartësojnë industrinë shqiptare.
Gjatë këtyre viteve, qeveria ka bërë gjithçka për klimën e biznesit. Ne kemi vendosur nivelin e taksave të ulëta 10 përqind, kemi ulur kontributin e sigurimeve shoqërore në 15 nga 32 përqind që ishte për sipërmarrësin, kemi hequr tarifat doganore 12 përqind për mallrat që përdoreshin për prodhim dhe së fundi hoqëm TVSH-në e çdo tarifë që kompania “Alba Shoes” dhe të gjitha kompanitë e tjera do të sjellin në vend, për prodhim. Po në mbështetje të vendeve të punë, të biznesit, ne hoqëm tatimin mbi të ardhurat personale 10 përqind, për të gjithë punonjësit me pagë mujore nën 30 mijë lekë. Ne besojmë se krijimi i klimës miqësore për biznesin është rruga më e sigurt për krijimin e vendeve të punës dhe punësimin.
Të gjithë jeni të njohur me faktin se një krizë e thellë ka pllakosur vendet përreth dhe Europën. Kjo krizë sigurisht pasqyrohet edhe në ekonominë shqiptare, por, siç do të deklaronte Komisioni Europian në raportin e fundit, ekonomia shqiptare është një ndër tre, katër ekonomitë që nuk ra në recesion. Ekonomia shqiptare, thekson raporti, është e vetmja ekonomi që realizoi një ulje 0.5 përqind të papunësisë dhe zoti president, në këtë ulje ju keni kontribut kryesor. Unë jam këtu për t’ju dhënë juve fjalën, të gjithë kolegëve tuaj, të gjithë investitorëve të kësaj fushe e fushave të tjera, se qeveria me paketën e re fiskale që vendosi nuk do të ndalet, por do të studiojë me lupë çdo segment të veprimtarisë suaj, për ta lehtësuar atë gjithnjë e më shumë.
Të dashura vajza e gra,
ju punoni tetë orë, në një punë të lodhshme, por këtu ju jeni dhjetëra herë më të dobishme për veten tuaj, familjen tuaj, për Vlorën dhe për Shqipërinë. Puna është bekimi i Zotit dhe të kesh punë do të thotë të kesh bekimin e Zotit në punën që bën. Kjo është alternativa jonë, alternativë që ka bërë që katër vitet e fundit, kjo Shqipëri, të cilën kundërshtarët tanë e shajnë çdo ditë, çdo e çdo minutë, të arrijë të marrë vetëm investime të huaja 4.2 miliardë dollarë në katër vitet e fundit. Kjo është arritur me përpjekje të mëdha. Por një re e zezë në qiellin e biznesit shqiptar po endet dhe kjo është reja e taksave të larta. Ata që premtojnë taksa të larta, premtojnë mbyllje të fabrikave, premtojnë largimin e investitorëve, premtojnë rënie të investimeve, premtojnë rrënim të vendeve të punës.
Të dashura vajza e gra,
po shkojmë drejt zgjedhjeve dhe unë ju bëj thirrje të ndani midis dy alternativave. Alternativës, e cila bën gjithçka për krijimin e vendeve të punës, që ka qëllimin më kryesor, zgjerimin e lirisë së biznesit dhe vendet e reja të punës, që po bën e do të bëjë gjithçka për ta bërë Shqipërinë më tërheqëse. Në këtë fabrikë punojnë 800 punëtorë dhe në sezonin turistik, numri i tyre shumëfishohet. Ne kishim 300 mijë turistë e vizitorë, sot kemi 4.7 milionë turistë e vizitorë dhe gjatë katër viteve që vijnë, ne synojmë të marrim 7 milionë. Unë po vij nga Orikumi. Nuk ka gji më të bukur, por ende nuk ka ujë 24 orë, ende nuk ka kanalizimet që duhen, ende nuk ka përpunim të ujërave të zeza. Sot inauguruam fillimin e punimeve, por ndërtimi i këtij sistemi do ta lartësojë më shumë Orikumin. Do të shndërrojmë Nartën Zvërnecin, Karaburunin, Sazanin, me një projekt të ri, në një nga zonat e Europës, më mahnitëse për turizmin. Industria nga njëra anë dhe turizmi në anën tjetër e bëjnë Vlorën një nga zonat me kapacitetet më të mëdha zhvillimore dhe punëdhënëse për qytetarët e saj e të mbarë Shqipërisë.
Kompania juaj është në Europë, sepse ju me duart tuaja të arta nxirrni prodhime të certifikuara europiane. Ndërsa nga tetori i viti të kaluar, muaj në të cilin Komisioni Europian vendosi të rekomandojë Shqipërinë për statusin e vendit kandidat, me kusht që të votohen tre ligje, statusi mbahet peng se opozita nuk do t’i votojë tre ligjet. Ajo beson se në këtë mënyrë dëmton qeverinë, por jo! Në këtë mënyrë dëmton çdo shqiptar, demokratë, socialistë, të paparti, biznesmenë, fermerë, të rinj e të moshuar. Asgjë nuk mund të ndërtohet mbi dëmin. Mbi rrënimin ndërtohet rrënim. Ndaj në 23 qershor të votojmë për të ardhmen tonë europiane, të votojmë për standardet që ju realizoni me duart tuaja të arta, pasi janë këto standarde dinjiteti, me të cilat ne paraqitemi para kombeve të tjera si një komb punëtor, si një komb i zhvilluar, si komb i mençur.
Zoti president,
duke të shprehur falenderimin dhe mirënjohjen më të thellë, ju garantoj se do të bëjmë gjithçka gjatë mandatit të ri, që ju të shumëfishoni suksesin e madh që keni arritur gjer më sot. Në rast se deri më sot, 2009-20013, morën 4.2 miliardë dollarë investime të huaja, do të bëjmë gjithçka që gjatë katër viteve që vijnë të marrim investime të huaja, së paku, 6 miliardë dollarë. Do të bëjmë gjithçka që me votën tonë të çelim përfundimisht rrugën tonë drejt Europës, të meritojmë statusin e vendit kandidat, këtë pasaportë që lartëson shumë emrin e dinjitetin tonë, të ecim të sigurt drejt të ardhmes sonë europiane. Përpara, përpara, përpara! - kjo është thirrja jonë.”