E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rama solli Kokëdhimën në Vlorë për shkak të dashurisë që ka për betonin

08-05-2013 / Gazeta 55

“Edi Rama nuk solli në Vlorë pallatin në pajë, por erdhi në pajën e Koços dhe erdhi këtu për llogari të Koços. Është në të drejtën tuaj të mbani çdo qëndrim që doni, por këto fjalët e mia mund t’i vërtetoni me secilin socialist në Tiranë; mund t’i vërtetoni me secilin socialist në Himarë. Ndaj mos mendoni se votoni kryetarin e Partisë Socialiste”

Kryeministri Sali Berisha mori pjesë sot në një sërë inaugurimesh në Vlorë, ku veç evidentimit të investimeve të ndërmarra nga qeveria për këtë qark, parashtrohen dhe projektet për katër vitet e ardhshme. I ndalur në inaugurimin e një fabrike këpucës në Vlorë, kreu i qeverisë ftoi të punësuarit në këtë aktivitet që të bëjnë dallimin mes dy alternativave që ofrohen në 23 qershor.
“Puna është bekim i Zotit dhe të kesh punë do të thotë të kesh bekimin e Zotit në punën që bën. Kjo është alternativa jonë e cila ka bërë që kjo Shqipëri që në katër vitet e fundit, 4.2 miliard dollarë investime të huaja, por një re e zezë në qiellin e biznesit shqiptar po endet dhe kjo është reja e taksave të lata, ata që i premtojnë ato, premtojnë mbyllje fabrikash, largim të investitorëve dhe mbyllje të vendeve të punës. Po shkojmë drejt zgjedhjeve dhe u bëj thirrje të ndaleni e të bëni dallimin mes dy alternativeve. Ne do të bëjmë gjithçka për punësimin për ta bërë Shqipërinë më tërheqëse”, vuri në dukje Kryeministri.
Njëkohësiht, duke qëndruar po në përballjen mes du kampeve, kreu i mazhorancës risolli në kujtesë bllokimin që mbrojti me forcë opozita parlamentare ndaj statusit të vendit kandidat.
“Shqiptarët nga tetori i 2012, muaj kur KE rekomandoi statusin e vendit kandidat, mund të kishin realizuar ëndrrën e tyre. Por mbi rrënimin ndërtohet rrënimi, ndaj dhe më 23 qershor votojmë për standartet europiane se janë ato standardet e dinjitetit, se me këto standarde paraqitemi para kombeve të tjera si një komb punëtor, i zhvilluar dhe i mençur. Gjithçka që më votën tonë të çelim rrugën tonë drejt Evropës, statusin e vendit kandidat, të meritojmë këtë pasaportë që lartëson emrin tonë. Përpara, përpara, përpara! Kjo është thirrja jonë”, u shpreh Berisha duke garantuar se qeveria do të bëjë gjithçka gjatë mandatit të shumëfishohet suksesi i arritur deri më sot i këtij aktiviteti po dhe i sipërmarrjes në tërësi.

Kryeministri në Vlorë, akuza Koço Kokëdhimës dhe Edi Ramës: Koçoj kryetar për Ramën dhe nënkryetar për socialistët
I pranishëm në inaugurimin e fillimit të punimeve për impiantin e ujërave të zeza në Orikum, Kryeministri Berisha nuk mund të mos shigjetonte vendimin e kreut Rama për të garuar në Vlorë në 23 qershor dhe marrjen pas vetës në këtë qark dhe kandidatin surprizë Koço Kokëdhima .
E pa veten në anën e të vërtetës. Pas kandidimit në Vlorë të Edi Ramës dhe Koço Kokëdhimës, Berisha tha se deklaratat e tij u gjetën të drejta
“Kur rëndom e cilësoja Koçon si nënkryetarin e Partisë Socialiste, gazetarët më thoshin – po e tepron, sepse kjo nuk qëndron. Edhe disa bashkëpunëtorët e mi më thoshin nuk qëndron, se ai nuk është as anëtar i Partisë Socialiste. Ai, - u thosha unë , - është kryetar i zotit Rama dhe për socialistët është nënkryetar. Pra kjo është”, tha ai.
Kryeministri ishte në Vlorë, për të inauguruar disa vepra infrastruktuore, por edhe për ta vijuar ironinë. Në fillim ia mori si frikë largimin nga Tirana
“Është normale që kryetari i partisë, meqenëse selia është në Tiranë, të kandidojë në qarkun ku është selia e partisë. Por nuk është ndonjë mëkat i madh, se puna e trimërisë herë të jepet dhe herë nuk të jepet, herë e ke dhe here nuk  e ke. Kështu që frikë pati të matej në Tiranë, ndonëse mandatin e fitonte me siguri, si kreu i listës”, deklaroi Kryeministri.
Historiku i bashkëpunimit mes të dyve është i gjatë, që nga Tirana. Përherë i ka akuzuar për betonizim të saj dhe evazion fiskal, kur Rama kryesonte bashkinë. 
“Sepse Koçua në Tiranë njihet si menaxheri shpirtëror i zotit Rama; Koçua që e solli zotin Rama këtu, nuk e solli për ndonjë dashuri që ka për Vlorën, por e solli për pasionin e tij të çmendur për beton dhe brigjet e Vlorës. Cilitdo socialist që vë në dyshim këtë fjalë timen, i them miqësisht: shko në Himarë. Himariotët këndojnë këngën – Himarës, kush ia lidhi sytë? Koçua ynë!”, u shpreh kreu i mazhorancës. U kërkoi socialistëve vlonjatë të jene vigjilentë kur të hedhin votën.
“Edi Rama nuk solli në Vlorë pallatin në pajë, por erdhi në pajën e Koços dhe erdhi këtu për llogari të Koços. Është në të drejtën tuaj të mbani çdo qëndrim që doni, por këto fjalët e mia mund t’i vërtetoni me secilin socialist në Tiranë; mund t’i vërtetoni me secilin socialist në Himarë. Ndaj mos mendoni se votoni kryetarin e Partisë Socialiste”, vuri ne dukje Berisha.
Kryeministri Berisha deklaroi se sjellë në garën për votën e tyre një ekip kandidaturash që ai e cilësoi si të shkëlqyer, i kryesur nga Astrit Patozi Arben Ristani dhe Ardjan Kollozi.

Të dhëna të përgjithshme të projektit
Projekti starton me shërbimin e furnizimit me ujë të pijshëm, vijon me sherbimin e kanalizimeve dhe te trajtimit te ujit te ujit për popullsinë prej 15,000 banoresh qe jeton sot ne Orikum duke parashikuar një kapacitet të mundshëm sistemesh për deri 60,000 banore përfshirë këtu dhe fluksin turistik qe gati katër-pese fishohet çdo vit gjate sezonit turistik.
Vlera e financimit është 16.441 Milion USD nga të cilat 13.351 Milion USD (gati 80%) janë financim i Bankës Islamike për Zhvillim dhe 3.09 Milion USD (gati 20%) janë kontribut i Qeverisë Shqiptare.
Projekti është “pagëzuar” me emrin “Furnizimi me Ujë dhe Shërbimet Sanitare në Orikum” pasi synimi ynë ne Orikum është shumë planesh.
   •  Sigurimi i pandërprerë i ujit të pijshëm (24 orë në dite/24) për banorët që jetojnë në zonën administrative të Bashkisë Orikum, e cila përfshin Qytetin e Orikumit, fshatrat e Radhimë, Tragjas, Dukat i Vjetër (Dukat Fshat) dhe Dukat i Ri (Dukat Fushë), si dhe të zonës turistike Radhimë - Orikum.  Në total do të ndërtohen rreth 55 km rrjet i ri ujësjellësi ku 27 km jane linja kryesore furnizimi dhe 28 km linja shpërndarjeje per te arritur uje cilesor ne cdo shtepi tuajen, depo uji dhe stacione te reja pompimi për secilën nga fshatrat e lartpërmendura. Ne përfundim te tij ne synojmë një furnizim me ujë të pijshëm prej rreth 150-220 litra për fryme në ditë;
   •  Ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve për banorët që jetojnë në zonën administrative të Bashkisë Orikum e cila përfshin Qytetin e Orikumit, si dhe rrjetet e reja të kanalizimeve për fshatrat e Rradhimë, Tragjas, Dukatit të Vjetër (Dukat Fshat), Dukatit të Ri (Dukat Fushë) dhe zonës turistike Radhimë - Orikum. Në total do te filloje puna per ndertimin e rreth 30 km rrjet i ri te kanalizimeve si dhe stacioneve te reja pompimi;
   •  Përmirësimin e kushteve të mjedisit, mbrojtjen dhe rritjen e cilësisë së jetes se banoreve dhe turizteve nëpërmjet ndërtimit të impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura të zonës te Bashkisë Orikum. Sot ujërat e ndotura të kanalizimeve te qytetit të Orikumit derdhen ne kanal dhe që andej përfundojnë në det në Gjirin e Vlorës. Duke qene se Gjiri i Vlorës është cilësuar si objekt me ndjeshmëri të larte për arsye te karakterit turistik, ndërtimi i impiantit do te garantoje mbrojtjen e shëndetit, mjedisit dhe zhvillimit te industrise se turizmit. Impianti i trajtimit ka kapacitet trajtimi te ujerave te ndotur prej 8,000 m³ në ditë.
Gjate viteve 2005 - 2012 jane investuar 55 miliard Lekë për te ndërtuar 364 sisteme te reja ujësjellësish dhe 419 sisteme te reja kanalizimesh, ndërkohë që ne një kohe rekord kanë përfunduar 9 impiante trajtimi të ujërave të ndotur si ne Kavaje, Pogradec, Korçe, Durrës, Sarande-Ksamil, Shëngjin-Lezhe, Shiroke, Velipoje, Vlore dhe janë në proces Tirana, Kavaja Turistike përfshirë Golemin, Shkodër etj.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›