E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taksat elektronike, të gjitha subjektet e mëdha pagesa vetëm në internetit



Ervin KOÇI

Nga 1janari 2010 të gjitha subjektet e bizneseit të madh në të gjithë vendin janë të detyruar që të bëjnë pagesat e taksave vetëm në rrugë elektronike. Deri më sot deklarimi on-line i detyrimeve tatimore i është lënë në dorë të lirë biznesit, por vitin që vjen të gjitha subjektet do të jetë të detyruar me ligj t‘ia paraqesin elektronikisht tatimeve. Projekti është iniciuar dhe përgatitur nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe i është paraqitur për miratim Ministrisë së Financave. Nëse aprovohet, kalon në qeveri dhe më tej për miratim në Kuvend, me qëllimin për ta vënë në zbatim nga muaji janar i vitit të ardhshëm. Aktualisht bizneset i shkarkojnë deklaratat tatimore përmes faqes së internetit të Tatimeve, i plotësojnë dhe ia paraqesin dorazi drejtorisë. Kjo formë do të ndryshojë, si fillim për biznesin me TVSH-ë, i cili duhet të përgatisë deklaratën tatimore elektronikisht dhe t‘ia përcjellë tatimeve përmes internetit. Si fillim, Tatimet panë mundësinë e pagesës së taksës on-line, përmes shërbimit “e-banking” (bankingu në internet), por nuk u arrit për shkak të kushteve të pamjaftueshme. Këtë detyrim me ligj do ta kenë vetëm bizneset VIP, të cilët i kanë kapacitet e mjaftueshme.

Propozimi

Me ligj nuk do të lejohet që asnjë tatimpagues me TVSH t‘ia dorëzojë tatimeve dorazi deklaratën tatimore, por vetëm përmes internetit. Projekti ka të bëjë me plotësimin e formularit nga faqja e internetit të Tatimeve dhe po aty, t‘ia nisë drejtorisë. Sipas drejtorit të Tatimeve, Artur Papajani, procedura nuk ka vështirësi për t‘u zbatuar, pasi i gjithë veprimi ndodh brenda një faqeje interneti. "Çdo biznes do të gjejë formularin në internet dhe pasi të ketë hedhur të gjitha detyrimet tatimore, po aty ia përcjell drejtorisë. Procedura e shkurton kohën dhe shmang veprimet me letër dorazi", tha për "Shqip", kreu i Tatimeve. Përveç kësaj, projekti synon edhe pagesat e taksave përmes sistemit on-line vetëm për biznesin VIP.

Situata

Aktualisht vetëm 33 për qind e bizneseve i bëjnë deklarimet tatimore përmes sistemit on-line. Drejtoria e Tatimeve pranon se ekziston ende te biznesi mentaliteti i dorëzimit të deklaratës në formë dorazi. E gjitha lidhet me çështjen e besimit, por edhe të mungesës së kushteve teknike. Deri pak kohë më parë, katër drejtori rajonale nuk ishin ende të lidhura on-line me qendrën në Tiranë, duke shërbyer si pengesë për zgjerimin e pagesës në formë elektronike. Drafti i përgatitur nga Tatimet ka shkuar për miratim te Ministria e Financave dhe pritet të vihet në zbatim nga 1 janari 2010. Nuk jepen ende detaje rreth sanksioneve që do të aplikojë organi tatimor ndaj rasteve të mosdërgimit të deklaratës përmes internetit, por propozimi është për zbatimin e detyrueshëm me ligj. Gjatë hartimit të ligjit të ri, administrata tatimore ka marrë parasysh edhe rastet që ndjekin vendet e rajonit apo ato të Bashkimit Europian. Sa i takon bizneseve, ato shpeshherë janë ankuar për sistemin e dobët on-line të tatimeve, ku në shumë raste përballen me bllokimin e faqes së internetit. Tjetër shqetësim lidhet me manipulimin e të dhënave, për aq kohë sa paraqitja e tyre do të jetë përmes kompjuterit.

Prifti: “Verifikim të gjitha koncesioneve të kromit në vend”

Vetëm dy ditë pas deklaratave të Ministrisë së Ekonomisë për heqjen e koncesionit të kromit kompanisë ACR, ka reaguar titullari i saj, zoti Dritan Prifti, i cili ka deklaruar se do të bëhet verifikim i marrëveshjeve. Në një deklaratë për mediat, ai ka lajmëruar se jo vetëm koncesioni i kromit do të jetë në qendër të verifikimeve, për të parë nëse zbatohet kontrata me qeverinë shqiptare. Ministri i Ekonomisë ka thënë se koncesioni i kromit do të verifikohet në të gjitha detajet. Sipas tij, Darfo në Elbasan duket se po ecën mirë, ndërsa kompania ACR në Bulqizë, dyshohet se nuk ka zbatuar kontratën që ka lidhur me shtetin shqiptar. “Nëse do të rezultojnë shkelje të marrëveshjeve, mungesë e theksuar e zbatimit të ligjit, jo vetëm për kromin, do të ketë heqje të koncesioneve në industrinë minerare”, - ka përfunduar prononcimin e tij ministri Prifti. Dy ditë më parë, pas takimit të ministrit Prifti me një grup punonjësish të uzinës së Ferro-kromit në Burrel, u deklarua zyrtarisht nga zëdhënësja se do të ketë heqje të koncesionit për konsorciumin austriako-rus. Një tjetër problem i ngritur nga specialistët është edhe koncesioni i bakrit në vendin tonë, ku është kërkuar verifikimi i kushteve që kompania turke duhet të plotësojë me shtetin shqiptar.

Kriza, bursat evropiane shënojnë sërish humbje

Bursa evropiane ka vazhduar të pësojë sërish humbje të mëdha në aksionet e kompanive të ndryshme, edhe pse po thuhet se efekti i krizës financiare duket se po mbaron. Në Evropë, rrëshqitje u reflektua veçanërisht në seancën e fundit të bursës kur të gjitha tregjet e tjera përveç atij të Londrës, kanë shitur me më shumë se dy pikë përqindje, ndërsa në Milano dhe Frankfurt më poshtë se mbi tre pikët e fundit. Në sektorin e kreditit, “Deutsche Postbank” ka pasur një rënie përfundimtare nga 5,26 për qind në 5,04 për qind, ndërsa rënie më e madhe është shkaktuar veçanërisht për “Sony Ericsson”, kompani kjo e cila humbi 10,61 për qind, humbje neto kjo e shënuar pas 3-mujorit të tretë me 182 milionë euro, e cila e tejkalon atë të 40 milionëve të një viti më parë, kur shitjet e aksioneve ranë nga 9,3 për qind në 3.6 miliardë. Në të gjitha rastet gjithsesi, bursa në Evropë duket se po shënon rezultate shumë më të këqija se sa pritej nga analistët. Në një ditë të bursës në rënie kufizimi më i madh po ndodh edhe për sektorët farmaceutikë dhe ushqimorë.

2 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›