E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria u hap dyert bizneseve kineze, investime në energjetikë dhe industri



Ervin KOÇI

Shqipëria dhe Kina duket se janë të interesuara të dyja për të zhvilluar mes tyre marrëdhënie të fuqishme ekonomiko-tregtare. Në qendër të tyre parashikohen investimet e kompanive më të mëdha kineze në vendin tonë në sektor të rëndësishëm si energjetika, infrastruktura portale dhe rrugore, industria etj. Këto projekte janë paraqitur dje gjatë zhvillimit të forumit ekonomik shqiptaro-kinez, ku rreth 70 kompani të fuqishme kineze dhe mbi 100 shqiptare ishin të pranishme. Diskutimet në këtë forum janë përqendruar tek thelbi i takimit, tërheqja e investimeve kineze në Shqipëri. Sektori energjetik dhe barra e ulët fiskale ishin ndër mundësitë kryesore të cilat kryeministri i vendit, Sali Berisha, ua prezantoi dhjetëra sipërmarrësve kinezë. Vizita e biznesmenëve dhe disa funksionarëve të Republikës Popullore të Kinës përkon me 60 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Kryeministri Berisha në fjalën e tij u ka bërë thirrje sipërmarrësve kinezë të investojnë në vendin tonë në sektorë të tillë si turizmi, minierat apo energjetika duke vënë në dukje avantazhet e mëdha që ofron në këtë drejtim Shqipëria.

Premtimet

Kreu i qeverisë shqiptare, Berisha, garantoi investitorët kinezë se do t’u ofrojë edhe një zonë të veçantë industriale, në vijim kjo të lehtësirave fiskale dhe krijimit të kushteve të favorshme për zhvillimin e aktivitetit ekonomik. Forumin e përshëndeti edhe Zëvendëskryeministri i Republikës Popullore të Kinës, Zhang Dejiang, duke e cilësuar Shqipërinë si “një partner të rëndësishëm rajonal”. Sipas tij, “Shqipëria është një partner i rëndësishëm për Kinën në rajon. Pavarësisht krizës ekonomike, tregtia mes të dy vendeve këtë vit regjistroi një rritje prej 13,5 për qind. Bashkëpunimi ekonomiko-tregtar po ecën drejt nivele më të larta”. Më herët delegacioni kinez i kryesuar nga zëvendëskryeministri Dejiang, gjatë një takimi me kryeministrin Berisha e siguroi atë se Kina do t’i ofrojë Shqipërisë ndihmë në formën e kredive të buta për sektorin e bujqësisë si dhe do të nxisë investitorët kinezë të eksplorojnë mundësitë për biznes në vendin tonë.

Marrëveshjet

Pjesë e këtij forumi ishte edhe nënshkrimi i disa kontratave mes kompanive shqiptare dhe atyre kineze. Gjithsej Shqipëria dhe Kina firmosën dje 6 marrëveshje me njëri tjetrin në fushën ekonomike e arsimore përmes përfaqësuesve të shtetit dhe të biznesit nga të dyja vendet. Marrëveshjet synojnë thellimin e bashkëpunimit midis dy vendeve në fushat e ekonomisë, arsimit, telekomunikacionit industrisë minerare. Marrëveshjet janë përkatësisht: Memorandum Mirëkuptimi për Bashkëpunimin Ekonomik midis Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Tregtisë së Republikës Popullore të Kinës. Marrëveshje për Bashkëpunimin Ekonomiko-teknik midis Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Popullore të Kinës. Programi i Bashkëpunimit Arsimor për vitet 2010-2012 midis Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit të Republikës Popullore të Kinës. Memorandum Mirëkuptimi për UMTS/LTE midis Kompanisë Shqiptare “Eagle Mobile” dhe Kompanisë Kineze “HuaWei”. Marrëveshje e Bashkëpunimit midis “Albtelekomit” dhe “ZTE Corporation sh.p.k.” për projektin “MSAN Data” dhe Telefonisë së Gjeneratës së Re në Shqipëri. Memorandum Furnizimi të Kromit për vitin 2010.

Bizneset nga Kina, interes për sektorin minerar shqiptar

Bizneset nga Kina kanë qenë mjaftë të interesuar për të investuar në Shqipëri, ku një ndër sektorët më të rëndësishëm është ai minerar. Për këtë qëllim dje në Tiranë, u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet kompanisë “IEMR”-ë kineze dhe “ELITE GROUP” shqiptare, për bashkëpunim të ndërsjelltë midis palëve në fushën minerare në Shqipëri. Marrëveshja u nënshkrua përkatësisht nga Long Wang, Drejtor i Kompanisë “IEMR” dhe Ardi Kollçaku, Drejtor i Përgjithshëm i “ELITE GROUP”. IEMR-ë është një kompani ndërkombëtare me eksperiencë të konsiderueshme në eksplorimin, shfrytëzimin dhe pasurimin e mineraleve, do të investojë rreth 600 milionë dollarë në veprimtaritë e minierave në Shqipëri, duke bashkëpunuar për këtë qëllim me “ELITE GROUP”, që ka një eksperiencë të gjerë dhe operon prej vitesh në tregun shqiptar. Kjo e fundit zotëron disa leje për eksplorimin e mineraleve brenda territorit të Republikës së Shqipërisë dhe me anë të këtij memorandumi shpreh gatishmërinë për të vendosur bashkëpunim në shfrytëzimin dhe pasurimin e mineraleve me “IEMR”-ë. Të dy palët do të bashkëpunojnë në studim, shfrytëzim, pasurim dhe shkrirje të mineraleve dhe ndërtimin e uzinës së pasurimit të mineraleve në Kukës. “IEMR”-ë do të ofroj eksperiencën e nevojshme teknike knoë-hoë, me një staf profesional për realizimin e këtyre proceseve. Për të garantuar suksesin e bashkëpunimit, ajo ka ndërmarrë të gjitha kontratat e blerjes së kromit dhe nikelit të prodhuara nga konsorciumi. Ky bashkëpunim ndërmjet “ELITE GROUP” dhe “IEMR”-ë do të sjellë edhe rritjen e të punësuarve në sektorët e lartpërmendur, si dhe kualifikimin cilësor të tyre. Nga kjo marrëveshje, “ELITE GROUP” merr përsipër bashkëpunimin me METE-n, si dhe me autoritetet lokale për të hulumtuar për rezervat e kromit, nikelit dhe qymyrit në vendin tonë, me synim rritjen e prodhimit dhe eksportit të këtyre mineraleve.

Qeveria prish kontratën me ACR, i heq koncesionin e kromit

Kompania koncesionare “ACR” apo siç njihet ish-“Darfo” nuk do të jetë më shfrytëzuesja e uzinës së Ferrokromit në Burrel dhe në minierën e Bulqizës. Pas 7 vitesh marrëveshje me ministrinë e Ekonomisë, kjo e fundit ka vendosur të prishë kontratën me kompaninë. Ministria e Ekonomisë nuk tërhiqet nga vendimi i saj për t’i hequr licencën koncesionare, kompanisë “ACR”-ë, për uzinën e Ferrokromit dhe minierën e Bulqizës. Ministri Dritan Prifti ka konfirmuar faktin se, është e nevojshme të shkohet drejt këtij përfundimi, pasi kjo kontratë konsiderohet e dështuar. “Ne jemi të vendosur për t’ia hequr firmës lejen e shfrytëzimit, pasi pronari i saj nuk ka plotësuar kriteret e përcaktuara në kontratë”- tha Prifti. Sipas tij, “kompania nuk ka kryer pagesat e sigurimeve shoqërore, por mbi të gjitha nuk ka qenë korrekt me pagat e punonjësve dhe nuk ka kryer investimet nevojshme”. Kjo deklaratë e ministrit erdhi në një moment kur në Ministrinë e Ekonomisë një përfaqësi e punonjësve të uzinës morën takim me sekretarin e përgjithshëm të këtij dikasteri, Durim Kraja.

ACR: “Nuk e përfillim vendimin e METE-s”

Kompania “ACR” deklaroi dje se mbetet e vendosur për të vazhduar punën e nisur, duke sqaruar njëkohësisht edhe rrethanat e kësaj deklarate të papritur. Kompania tha se ka ndjekur me shqetësim deklaratën e fundit të ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, në lidhje me kontratën koncesionare që kjo shoqëri zbaton në Shqipëri që prej prillit të vitit 2007. Kompania tha dje se nuk ka pasur asnjë komunikim zyrtar me zyrën e METE-s apo me drejtori përkatëse nën varësinë e tij, në lidhje me shqetësimet eventuale që kanë të bëjnë me realizimin e detyrave të kontratës koncensionare. “Albanian Chrome ACR siguron të gjithë punonjësit e saj dhe publikun e gjerë se mbetet e vendosur për të vazhduar punën e nisur, duke sqaruar njëkohësisht edhe rrethanat e kësaj deklarate të papritur”, - thuhej në deklaratë. ACR-ë sapo përmbylli në Uzinën e Ferrokromit në Elbasan investimin për furrën e re për prodhimin e ferrokromit me karbon të ulët, një mall tejet i kërkuar në tregjet ndërkombëtare, që e bën Uzinën e Elbasanit furnizuesin e pestë më të rëndësishëm në botë.

Risi në tregun shqiptar, dyqani i lëvizshëm AMC

AMC, operatori i parë në vend i telefonisë së lëvizshme, sjell një risi në treg, pika shitjesh dhe asistence të lëvizshme. AMC për herë të parë në Shqipëri u ofron qytetarëve edhe dyqane të lëvizshme. Dyqanet e lëvizshëm mund të ofrojnë të njëjtën gamë shërbimesh si dyqanet e tjera AMC në vend. Abonentët mund të blejnë në to ALBAKARTA, AMCKARTA, What’s Up dhe paketa të tjera ekskluzive AMC të komunikimit me parapagesë. Përveç këtyre, mund të blejnë karta rimbushëse, mund të rimbushin numrin me AMC Fleksi dhe të informohen për tarifat e programeve me kontratë të AMC. Mbulimi me sinjal AMC është më i miri në vend, ndërsa rrjeti i dyqaneve AMC është më i madhi. Për ta bërë sa më të prekshme telefoninë celulare AMC sjell edhe dyqanet e lëvizshëm. Ata përshkojnë rrugët e vendit, duke u dhënë përparësi zonave të veçuara. Këto dyqane mund të qëndrojnë të hapura gjatë gjithë ditës, në përputhje me nevojat e konsumatorëve në zonën ku ndodhen. Projekti, megjithëse është në fazën fillestare, është shtrirë në një hapësirë të gjerë. Vitin e ardhshëm pritet të qarkullojnë më shumë dyqane të lëvizshëm AMC në vend, të cilët do t’u shërbejnë një numri më të madh qytetarësh. Koncepti i ri i dyqaneve të lëvizshëm dhe rrjeti AMC prej 170 dyqanesh ekzistuese, më i madhi në vend, konfirmojnë sërish politikën e kompanisë për ta bërë telefoninë celulare të përballueshme dhe të aksesueshme nga të gjithë.

Zëvendëskryeministrat e Shqipërisë dhe Kinës, vizitojnë zyrat e “Eagle Mobile”

Zëvendëskryeministri kinez Zheng Dejiang dhe ai shqiptar njëherazi Ministër i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, kanë vizituar dje ambientet teknike të “Eagle Mobile” në Tiranë. Zyrtarët e lartë të dy shteteve janë pritur nga Presidenti i “Çalik Group”, Ahmet Çalik dhe Drejtori i përgjithshëm i “Huawei Technologies”, Renzheng Fei. Meta u shpreh se “investimi i bërë në Shqipëri vazhdon të kontribuojë në zhvillimin e vendit dhe si qeveria ashtu dhe populli ynë e ka mirëpritur dhe lavdëruar punën e bërë nga kompania Eagle Mobile dhe kompani të tjera të këtij grupi”. Numri dy i qeverisë shqiptare, ka biseduar në një mbledhje me drejtuesit më të lartë të tre kompanive të “Çalik Holding” në Shqipëri, “Eagle Mobile”, “Albtelekom” dhe “BKT”-ë dhe është informuar gjerësisht për ecurinë e punës së tyre në vend. Po ashtu u arrin në parim marrëveshja për shtrirjen e këtyre investimeve në vende të tjera të rajonit tonë. Një ditë më parë drejtuesit e “Eagle Mobile” dhe “Huawei Technologies”, Ali Taskin dhe Renzheng Fei, në ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe në prani të dy Zëvendëskryeministrave, Meta dhe Dejiang, kanë nënshkruar një marrëveshje për teknologjinë 3G dhe teknologjitë e tjera më të fundit që kanë të bëjnë me internetin, thirrjet pamore, transferimin e njohurive, etj.

31 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›