Taksat, rriten të ardhurat në Bashkinë e Tiranës
Gjatë tre javëve të fundit niveli i mbledhjes së taksave është rritur me 13%. Vijon puna për nxjerrjen e borxheve, 377 subjekte të biznesit të madh dhe 244 të biznesit VIP nuk kanë shlyer detyrimet
Rritet niveli i mbledhjes së taksave në Bashkinë e Tiranës. Të dhënat nga Drejtoria e Tatim-Taksave në këtë Bashki tregojnë se gjatë tri javëve të fundit janë rritur të ardhurat. Ndërkaq është shtuar numri i kontrolleve, ka nisur puna për mbledhjen e borxheve, si dhe janë marrë masa në rastet e konstatimit të paligjshmërisë në territorin e kryeqytetit. “Niveli i mbledhjes së taksave deri në fund të muajit korrik nga Bashkia e Tiranës ishte 55% krahasuar me muajin korrik të vitit të shkuar. Sot niveli i mbledhjes së taksave është rritur me 13%, pra 68%, krahasuar me muajin gusht të vitit të kaluar. Kontrollet e inspektorëve të Tatim-Taksave gjatë këtij viti kryheshin 1 deri 2 herë në muaj. Sot, këto praktika janë shumëfishuar në funksion të reduktimit të informalitetit. Drejtoria e Tatim-Taksave vazhdon punën për nxjerrjen e borxheve, si dhe ka njoftuar subjektet (377 të biznesit të madh dhe 244 të biznesit VIP), duke u bërë të ditur detyrimet që ata kanë”, - sqarojnë burime nga Drejtoria e Tatim-Taksave. Gjithashtu, kjo drejtori ka bërë thirrje për respektim të afateve për shlyerjen e borxheve, duke u kujtuar subjekteve se në rast të kundërt nuk do të përfitojnë dot nga ligji i faljes së gjobave, dhe si pasojë do të mbetet në fuqi edhe detyrimi edhe penaliteti. Ndaj, inspektorët e Tatim-Taksave kanë rritur kontrollet në terren, duke evidentuar dhe marrë masa në rastet e mosrespektimit të ligjit. Kështu janë evidentuar 369 subjekte tregtare të paregjistruara dhe janë marrë masat për futjen e tyre në skemën e pagesës së taksave. Gjithashtu, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake, janë marrë masa për lirimin e hapësirave publike në 247 raste, dhe rikthimin e tyre për qytetarët. Sipas Bashkisë së Tiranës, përmirësimi i punës së Drejtorisë së Tatim-Taksave ka ardhur si rezultat i reduktimit të informalitetit, rritjes së kontrollit dhe menaxhimit me eficencë të fondeve publike. Drejtoria e Tatim-Taksave në Bashkinë e Tiranës në çdo rast komunikon me subjektet dhe lë afate për shlyerje, kur konstatohen paligjshmëri. Pas kalimit të afatit kalohet në marrjen e masave ligjore.