Libri i Transparencës, si plotësohet formulari i pasaktësive
Maturantët që do të konstatojnë pasaktësi në të dhënat që u janë publikuar në Librin e Transparencës do të kenë mundësi të bëjnë korrigjimin e tyre. Për këtë arsye është përgatitur formulari i korrigjimit të pasaktësive, që tashmë është gati dhe pritet vetëm që të bëhet publikimi dhe shpërndarja e tij në shkolla. Në këtë formular, maturantët mund të korrigjojnë gabimet e bëra qoftë në të dhënat e tyre personale, por edhe me notat ose pikët. Specialistë të arsimit shpjegojnë se të gjitha drejtoritë dhe zyrat arsimore në vend duhet të afishojnë të dhënat e Librit të Transparencës në çdo shkollë. Sipas tyre, pas kësaj, maturantët-kandidatë për në institucionet publike të arsimit të lartë, nëse do të vërejnë pasaktësi në llogaritjen e bërë në mesataren e shkollës së mesme, gabime te emri, mbiemri, atësia e kandidatit etj., duhet të plotësojnë formularin e korrigjimit të pasaktësive që mund ta tërheqin në shkollën përkatëse. Sakaq, parashikohet që maturantët të kenë 10 ditë kohë në dispozicion për të bërë kontestimet e tyre. Bashkë me Librin e Transparencës do të publikohet dhe formulari i korrigjimit të pasaktësive, që lidhen me të dhënat personale dhe notën mesatare të çdo maturanti. Ky formular është përgatitur për të evidentuar ndryshimet që duhen bërë për një maturant dhe ai duhet të plotësohet vetëm prej maturantëve që kanë kontestime për të dhënat e tyre në Librin e Transparencës. Në pjesën e parë është e detyrueshme të plotësohen të dhënat për rrethin, bashkinë/komunën, shkollën dhe ID e maturantit. Në çdo kuti shkruhet vetëm një shkronjë ose një numër. Shkronjat duhet të jenë kapitale dhe numri me shifra arabe. Këto të dhëna janë të domosdoshme për identifikimin e maturantit që konstaton pasaktësi në të dhënat e tij. Në pjesën e dytë, në seksionin “Si ishte” janë të detyrueshme të plotësohen të gjitha të dhënat: emri, atësia, mbiemri, datëlindja, nota mesatare (me shifra dhe me shkrim si në Formularin A2). Praktikisht këto të dhëna janë si në Librin e Transparencës. Në seksionin “Si bëhet” do të plotësohen vetëm ato të dhëna ku kërkohet ndryshimi. Për shembull, nëse kërkohet ndryshim te emri, te rreshti Emri shkruhet si duhet emri i saktë. Mund të ndodhë të kërkohen dy ose më shumë ndryshime: për shembull, edhe datëlindja edhe nota mesatare. Pasi kërkesa për ndryshimet të jetë plotësuar me kujdes, maturanti shkruan emrin, mbiemrin dhe firmos në vendin përkatës. Këto ndryshime që kërkohen nga maturanti duhet të konfirmohen nga mësuesi kujdestar, drejtori i shkollës, si dhe nga drejtori i drejtorisë arsimore rajonale ose zyrës arsimore (DAR/ZA). Pjesa e fundit e formularit të korrigjimit të pasaktësive plotësohet vetëm nga Agjencia Kombëtare e Provimeve (AKP). DAR/ZA-të, pasi mbledhin të gjithë formularët e korrigjimit të pasaktësive, të plotësuar siç shpjegohet më lart, i përcjellin ato në AKP, sipas afateve të përcaktuara nga MASH. Pas dorëzimit të këtyre formularëve në AKP dhe daljes së rezultatet të konkurseve të pranimit, për degët me konkurs, do të bëhet edhe shpallja e rezultateve paraprake të fituesve të universiteteve, lista e të cilëve pritet të dali në datën 11 shtator.