Taksë progresive? OK, por kujdes!
Partia Socialiste është angazhuar kohët e fundit për vendosjen e taksës progresive duke e parë atë si një mënyrë shumë më të mirë dhe dobiprurëse sesa taksa e sheshtë që po aplikohet tash 5 vjet. Nuk po i hyj diskutimit për aplikimin e saj tek pagat që marrim, sepse afërmendsh ai që merr pagë më të lartë duhet të taksohet më shumë sesa ai që merr pagë më të ulët. Këtu dua të trajtoj çështjen e bizneseve përsa i përket tatimit mbi fitimin. Edhe në këtë rast është shumë mirë që kompanitë V.I.P. ose të mëdha duhet të paguajnë më shumë sesa bizneset e tjera që realizojnë fitime të ulëta. Por, një nga gjërat që PS duhet të bëjë pasi të vijë në pushtet e të aplikojë taksën progresive, duhet të jetë gjetja e mekanizmave që luftojnë abuzivizmin e inspektorëve të kontrollit tatimor.
Për ata që se dinë, taksa e sheshtë (proporcionale) është një taksë e njëllojtë për të gjitha kategoritë pavarësisht nivelit të fitimit dhe aktualisht është në masën 10 përqind, kurse taksa progresive është një taksë rritëse dhe sipas nivelit të fitimit taksohesh me 10, 15, 20, 25 … përqind.
Po e konkretizoj këtë taksë me një shembull për ta thjeshtuar dhe bërë më të qartë. Shifrat janë vetëm për ilustrim.
Për një fitim prej 1.000 lekë, kompania taksohet 10 përqind.
Për një fitim prej 1.001 – 1.500 lekë taksohet psh. 15 përqind, e kështu me radhë.
Kompania ka realizuar fitim të deklaruar në organin tatimor 700 lekë.
Inspektori tatimor pas kontrollit nxjerr diferencë fitimi të padeklaruar (evazion fiskal) prej 305 lekë që në total përbëjnë një fitim prej 700 + 305 = 1.005 lekë.
Nëse inspektori është i ndershëm dhe i vendos fitimin real prej 1.005 lekë, atëherë kompania paguan 1.005 lekë fitim * 15% tatim fitimi = 150,75 lekë detyrim ndaj shtetit.
Në rast se inspektori i rivlerëson me marrëveshje dypalëshe (korruptive) një shumë prej vetëm 250 lekë dhe totali bëhet 700 + 250 = 950 lekë, atëherë kompania paguan 950 lekë fitim * 10% tatim fitimi= 95 lekë detyrim ndaj shtetit.
Nga ballafaqimi i shifrave shihet qartë se ka diferenca të mëdha. Shteti humbet 55,75 lekë në këtë rast, ndërkohë që një pjesë të këtyre të ardhurave që do merrte shteti shkojnë tek xhepi i inspektorit i cili duke bërë pazar me kompaninë e kategorizoi normën e taksimit, jo tek 15 përqindshi, por tek 10 përqindshi.
Po mund të ndodhë edhe e kundërta ku një kompania të ketë realisht një fitim në kufijtë e taksimit 15 përqind, por inspektori, nga paaftësia apo djallëzia, nuk i njeh një pjesë të shpenzimeve, ia zbret ato duke i rritur kësisoj fitimin ose i rivlerëson normën e fitimit në shitje; si rrjedhim kemi kapërcimin e pragut 15 përqind dhe taksim me një normë më të lartë prej 20 përqind.
Pra, këto lloj mekanizmash abuzivë që rëndojë si mbi shtetin ashtu edhe mbi biznesin që të shmangen duhen shoqëruar me reforma të thella tatimore (jo thjesht burimet njerëzore) që abuzimi të ulet sa më shumë të jetë e mundur me qëllim që as Buxheti i Shtetit të mos humbasë të ardhura, as inspektori tatimor të mos tejmbushë xhepat dhe as biznesi të mos penalizohet pa faj.
PS: Shembulli im është me shifra qesharake, por kur ato përkthehen në miliona lekë bëhen të frikshme.
