Thagmat e kundërzbulimit të Ramës
Kundërzbulimi i Partisë Socialiste arriti një sukses të jashtëzakonshëm në parandalimin e “shit-blerjes” së dy deputetëve të saj. Kundërzbulimi i brendshëm ka informuar në kohë udhëheqësin e padiskutueshëm dhe udhëheqësi informoi anëtarët e byrosë, apo siç quhet sot të kryesisë, për tentativën e maskuar të ndoca agjentëve imperialistë të Sali Berishës për të rekrutuar dy deputetë socialistë. Synimi ishte që këto dy deputetë të votonin për Berishën si President i Republikës. Edi Rama informoi byronë e partisë për çmontimin jo vetëm të kësaj afere, por dhe tentativa të mëparshme të çarjes së barrikadës së PS me para. Nga kjo na del: Rama, ky refuzues i madh i parave! Disa deputetë socialistë të ulur në mbledhje kryqëzuan sytë me njëri-tjetrin pa thënë ndonjë fjalë.
Megjithëse Rama nuk përmendi emrat të deputetëve PS-së apo “negociatorët ” në këtë aferë, për të cilën u shpreh se “nuk është për tu çuditur” por “një shqetësim” që duhet të ndahet me publikun, “se pala tjetër nuk po shfaq asnjë shenjë vullneti për të vënë interesat e vendit mbi interesat e saj”. Në fund shefi i opozitës përgëzoi dy deputetët për qëndresën jo vetëm ndaj tundimeve financiare, por siç tha ai, edhe tundimeve të ardhura përgjatë grevës së urisë.
Kuptohet vetiu skenari i konspiracionit i ndërtuar me mjeshtëri qetëson sadopak frikën që ka lideri i PS-së për rrjedhjen recidive të votave brenda partisë, sidomos të atyre që janë të paracaktuar të jenë jashtë listës për deputet, në legjislaturën e pritshme të 2013. Një gjë e ngjashme ndodhi në votimin e 2007, ku disa deputetë “paqeruajtës të Nanos” dolën jashtë rreshtit të Ramës për të votuar kandidatin e PD, Bamir Topi. Prandaj Egoarku ka frikë se ndonjë deputet i sotëm socialist duke kërkuar të sigurojë jetesën edhe pas mandatit të votojë për kandidatin e maxhorancës.
Me këtë lëvizje Rama së pari tenton të mbrojë një pozicion negociues pse, sipas tij, maxhoranca nuk i ka votat për të zgjedhur presidentin e ri; së dyti kërkon të bëjë diversion publik për të testuar kompaktësinë e deputetëve, sidomos atyre që kishin mendim ndryshe ndaj politikës radikale të Ramës; së treti kjo dalje konspiracioniste nuk i drejtohet jo Berishës, jo publikut, por fraksionin të mendimit ndryshe. Egoarku ka frikë për “tradhtinë” e deputetëve të tij, prandaj teston me akuza të forta.
Sidoqoftë shplurosja e skenarëve të Kinostudios së re me aktorë të rinj e rrethana të reja dëften për hallin që e ka zënë për fyti kreun e opozitës. Ka gjasa që shantazhi për hyrjen në listën e ardhme të PS-së në qytetet e mëdha të kushtëzohet me votimin “kundër” ndaj një kandidati të PD. Prandaj zbulimi i hijeve që përndjekin gjithë natën Ramën do të ishte me efektiv me nxjerrjen e emrave dhe sekserëve të votës. Por s’mund ta bëjë sepse është lojë.