Një diplomat që turpëron OSBE-në
Ambasadori i OSBE në Tiranë, Eugen Wolfarth, i ka thyer të gjitha rekordet në qëndrimet e tij publike pro qeverisë, për të gjitha çështjet e diskutuara që prekin kornizën demokratike të vendit, për të cilat OSBE është vendosur këtu në vitin 1997, kur Berisha në përpjekje për të mbrojtur pushtetin, rrënoi gjithë shtetin shqiptar. Dy nga çështjet më të rëndësishme, për të cilat OSBE justifikon faturën e shpenzimeve dhe rrogave në Shqipëri, janë zgjedhjet e lira dhe demokratike dhe liria e shtypit.
Ambasadori i OSBE në Tiranë është diplomati me profil më të ulët publik që ka pasur ndonjë herë OSBE në këtë vend, dhe ndoshta zyrtari që ka shmangur me vetëdije nga axhenda e punës së tij misionin e OSBE në Shqipëri. Qyshkurse ai ka ardhur në Shqipëri, imazhi i tij i vetëm publik është një fytyrë e skuqur nga kënaqësia pas çdo takimi dhe deklaratat e tij të papërgjegjshme politike pro qeverisë, që shpesh herë po qe se ky diplomat do të merrej seriozisht, mund të kishin shkaktuar dhe trazira në vend. Ky është diplomati që deklaroi se kishte mbyllur çështjen e 21 Janarit, kur hetimet ende nuk kishin përfunduar nga vetë SHBA, që është sponsori kryesor i OSBE dhe e ka atë mekanizmin kryesor të ndikimit mbi demokracitë e reja në Lindje. Pas ekspertizës së SHBA, kur u mësua se Komandanti i Gardës ka vrarë së paku një qytetar dhe dyshohet për një të dytë, dhe rojet e sigurisë kanë vrarë dhe dy të tjerë, ky diplomat, jo vetëm që nuk kërkoi ndjesë për deklaratën e tij, por vazhdonte të relativizonte procesin e mospërfilljes së drejtësisë nga qeveria, sikur të ishte një debat politik dhe jo një çështje kruciale për ndarjen e pushteteve në Shqipëri. Ai heshti për zgjedhjet e 8 Majit në Tiranë, ndryshe nga diplomatë të tjerë, dhe puna e vetme që bëri si përfaqësues i OSBE ishte të vraponte i pari në zyrën e Lulëzim Bashës fill pas therjes së dashit. Rutina e tij e punës së përditshme në Tiranë është të vrapojë nëpër institucione ku ka aplikime për fonde dhe e ka kthyer misionin e OSBE në Shqipëri në një OJQ, e cila u merr nga duart OJQ-ve shqiptare dhe ato pak fonde që kanë mbetur në këtë vend për shoqërinë civile. Në mënyrë të papërgjegjshme ky ambasador shikohet të shëtisë nëpër panaire ushqimore dhe vende turistike, ndërkohë që nuk ka ardhur në Shqipëri për cilësinë e birrës Korça, por për cilësinë apo problemet e gazetës Panorama apo News 24, që kanë të njëjtin pronar me birrën Korça. Nuk do të çuditesha aspak të shikoja ambasadorin përkrah Hysenbelliut në redaksitë e tij, por jo nëpër punishtet apo fabrikat e tij.
Ky ambasador, i cili gjendet në Shqipëri në periudhën më putiniste të këtij vendi, kur media është tërësisht nën ndikimin e pushtetit dhe asfiksuar prej tij, jo vetëm që nuk ka ngritur qoftë dhe një herë zërin për standardin ku ka rënë liria e shtypit në Shqipëri, por i është bërë patericë qeverisë kundër saj në disa raste. Ai dhe kur shfaqet në media, gjen mediat më fanatike proqeveritare për tu bërë palë me to dhe për të dhënë mesazhet e tij shpesh qesharake.
Shqipëria po aplikon gjyqe drakoniane ndaj gazetareve, duke i dënuar ata shpesh me pagën e 90 viteve punë, dhe ky diplomat nuk e ka ngritur zërin asnjëherë. Ambasadori i SHBA, Arvizu, edhe pse është ambasador i një vendi të madh si SHBA, që ka dhjetëra probleme me Shqipërinë dhe një miqësi të konsoliduar, ka gjetur mundësinë të flasë për gjyqet e gazetareve apo për zgjedhjet e 8 Majit, ashtu siç ka gjetur kohë të vizitojë dhe Berishën e Bashën. Ambasadori i BE, po ashtu ka një gjuhë më të rrumbullakosur ndaj problemeve të pushtetit me median. Kurse për ambasadorin e OSBE thua se nuk ekziston asnjë problem dhe ai të duket dita- ditës se po plas nga kënaqësia për këto suksese në këtë vend.
Ky diplomat nuk ka bërë asnjë deklaratë për luftën e Berishës ndaj institucioneve, veçanërisht Presidentit dhe Kryeprokurores, nuk ka folur asnjëherë për cilësinë e gjykimeve politike të Gjykatës së Lartë për zyrtarët e lartë, nuk ka ngritur asnjëherë zërin për pandëshkueshmërinë e zyrtarëve të lartë, nuk ka dalë asnjëherë në mbrojtje të shtypit kritik me qeverinë, edhe pse organizatat botërore të lirisë së shtypit çdo vit e zbresin Shqipërinë me dy- tri shkallë nga renditja. Shumë shqiptarë janë të mllefosur me të pasi mendojnë se ai njeri është thjesht një nga zyrtarët palë me qeverinë shqiptare dhe i korruptuar si shumica e tyre. Dikush thotë e ka ushtar Genc Pollo, e dikush Sali Berisha. Unë nuk mendoj kështu. Mendoj pak më keq për këtë dështak. Ky është një standard i ulët diplomati, që as nuk e paguajnë për t’u shërbyer. Është inferior, i paaftë, dhe vullnetar i bindur i pushtetit. Si i tillë ai fyen rëndë misionin e OSBE në Tiranë dhe i jep OSBE dhe ODIHR ngarkesa negative në opinionin shqiptar, duke e keqkatandisur kreun e saj në një nëpunës të paaftë të Berishës. Ai mund të qëndrojë këtu sa të dojë, por sa më shpejt ta ndërrojë OSBE, aq më shpejt do të shpëtojë fytyrën e saj në një vend, ku simboli i saj ngjan me një sarahosh drekash e darkash, që ngatërron kënaqësinë e tyre me vlerat e deformuara të demokracisë në këtë vend.
Së fundmi e pamë sërish të dilte në krah të qeverisë për të justifikuar dështimin e reformës zgjedhore, mos kontrollin elektronik të kartave dhe mos numërimin elektronik të votave. Por nëse i heqim këto dy elementë, përse duhet të quhet reformë zgjedhore muhabeti tremujor i Damianit me Oertin, pasi vetëm këto dy gjëra ishin të reja? Përse presim kot datën 24 nëse nuk miratohen dy elementët reformues të Kodit Zgjedhor? Reforma nuk bëhet për të korrigjuar gabimet ortografike të ligjit të parë, por për ndryshime cilësore në të, dhe nëse diplomati i OSBE bëhet palë me Berishën kundër këtyre ndryshimeve, atëherë çkuptim ka të flasim për dështim të reformës zgjedhore. Duhet ta flasim thjesht për zgjedhje me kodin e vjetër zgjedhor.
Ky diplomat e ka ndërtuar vetë dita- ditës profilin e tij të ulët në publik, herë naiv e herë të neveritshëm, herë gazmor e herë të rrezikshëm, por asnjëherë nuk na ka lënë të kuptojmë se është një përfaqësues i OSBE në Tiranë. Imazhi i shqiptarëve për OSBE është shumë më i fortë se vetë ndërgjegjësimi që ka ambasadori Wolfarth për këtë mision. OSBE lidhet në kujtesën e shqiptarëve me institucionin e parë që hyri si dallëndyshe demokracie në këtë vend qysh në vitin 1991, dhe si shpëtimtare në vitin 1997, dhe kurrë nuk mund ta ngatërrojnë me profilin banal të atij që i ka ngelur në dorë në vitin 2012, pikërisht atëherë kur demokracia në këtë vend po vihet në pikëpyetje nga ato sëmundje që OSBE shëron kudo në botë. Ky mision ka pasur në Shqipëri diplomatë të shkëlqyer si ambasadori Ahrens apo ambasadori Liponnen, të cilët janë burra të denjë shtetesh. Një profil kaq të ulët nuk ka pasur kurrë. Ne nuk na bën dot më dëm duke ndihmuar Berishën. Aq dëm na bën çdo bodigard i tij. Ai i bën dëm vetëm OSBE dhe imazhit të saj. Është mirë që ata të mendojnë për veten e tyre se ne mendojmë vetë për të ardhmen tonë. Nuk e shkëmbyem ëndrrën tonë për liri dhe demokraci me një pjatë qofte si ky diplomat.
