Taksistët: Bashkia e Tiranës na merr dy herë taksa
Taksimetrat mund të gjenden tashmë në disa taksi. As kostoja e lartë, 220 euro, as moshyrja në fuqi e vendimit për tarifat e reja, nuk ka ndaluar taksistët të marrin mjetin e ri të punës. Më shumë se përpjekje për të qenë korrektë me klientët, duket se entuziazmi ka të bëjë me një fenomen tjetër, abuzimin me taksat nga ana e Bashkisë së Tiranës. Ata shprehen se taksohen me çmime joreale dhe xhiro që bashkia e vendos vetë e sipas tyre, vetëm vendosja e taksimetrave mund ta ulë këtë abuzim.
Në të njëjtën kohë, Bashkia e Tiranës u vjel dy herë në vit taksat e pastrimit dhe gjelbërimit taksistëve të kryeqytetit. Si kryefamiljarë detyrohen t’i paguajnë këto taksa në njësitë bashkiake ku jetojnë, në të njëjtën kohë taksitë tatohen edhe si biznes i vogël. Për taksistët kjo është e patolerueshme, pasi këto taksa janë dyfishuar çdo vit.
Taksat
Përveç konkurrencës së pandershme që i bëhet këtij shërbimi nga taksistët që punojnë pa licencë, për taksistët e licencuar është e padrejtë edhe pagimi i taksave të bashkisë për të dytën herë. Ata detyrohen t’i paguajnë taksat e vendosura nga Bashkia e Tiranës brenda të njëjtit vit një herë si kryefamiljar dhe një herë si biznes. “Është e pakuptueshme se si duhet të paguajmë dy herë të njëjtën taksë. Ne i paguajmë këto taksa në njësitë bashkiake, përse duhet t’i paguajmë edhe si biznes. Aq më tepër kur këto taksa nga viti në vit janë dyfishuar. Ne mezi po arrijmë të mbijetojmë me këtë punë, jo më të paguajmë dyfish”, - shprehen taksistët.
Në vitin 2007, taksistët kanë paguar taksën e pastrimit 1500 lekë dhe të gjelbërimit 2500 lekë. Ndërsa për vitin 2008 taksën e gjelbërimit e kanë paguar 5000 lekë dhe pastrimit 5000 lekë.
Këto taksa nga viti në vit janë dyfishuar, duke shënuar shifra rekord në vitin 2009. Për këtë vit taksistët kanë paguar taksën e gjelbërimit 10.000 lekë dhe të pastrimit 6 000 lekë. Nga viti në vit taksat vendore janë dyfishuar. Shumë prej qytetarëve shmangin pagesën e këtyre taksave për shkak të çmimit të lartë. Por për taksistët pagimi i këtyre taksave është e detyrueshëm, pasi nuk u lejohet ushtrimi i shërbimit taksi në kryeqytet.
Taksimetrat
Një tjetër abuzim i ndodhur prej vitesh me taksistët është tatimi mbi xhiron vjetore. Nga viti në vit Bashkia e Tiranës ka tatuar këtë shërbim në bazë të hamendësimeve. Në kushtet kur u mungonin taksimetrat, të gjithë taksistët raportonin xhirot vjetore në bazë të mendjes së tyre. Nga ana e bashkisë kjo merrej e mirëqenë, duke bërë kështu edhe tatimin. Me vendosjen e taksimetrave taksistët shpresojnë që ky abuzim të marrë fund për t’u tatuar në mënyrë korrekte.
Zylfo Zotolli, taksist prej vitesh në Tiranë, thotë se vendosja e taksimetrave është një ndër parametrat kryesorë evropianë që i duhet patjetër këtij shërbimi. “Taksitë nuk kolaudohen pa pasur taksimetrin, d.m.th. për ne ka qenë kusht kryesor vendosja e taksimetrave. Nga ana tjetër, kështu shmangen edhe abuzimet me tatimin që bënë bashkia mbi xhiron vjetore”, - shprehet Zotolli.
Taksimetrat
Taksistët kryeqytetas thonë se shpeshherë kanë pasur edhe konfrontime me klientët si shkak i çmimeve, pasi këta të fundit kanë thënë distanca të tjera në krahasim me atë ku taksisti i ka dërguar. Nga ana tjetër, ka edhe taksistë të licencuar të cilët nuk e kanë blerë taksimetrin, pasi ende nuk e kanë parë të arsyeshme të operojnë me ta. Vendosjen e taksimetrave do ta bëjnë në momentin që bashkia do t’ua kërkojë me detyrim. Por Vera Elezi, taksiste në Tiranë, e shikon si mjaft pozitive vendosjen e taksimetrave. “Taksimetri të lehtëson punë. Nga ana ekonomike është më praktik, pasi na qëllon që të punojmë me të huajt në këtë mënyrë hiqen edhe abuzimet”. Taksimetrat u janë shpërndarë taksistëve të licencuar nga Shoqata e Taksistëve të Tiranës, mirëpo tarifat janë ato që ka vendosur kjo shoqatë, ndërkohë që në mbledhjen e Këshillit Bashkiak janë miratuar disa të tjera. Sipas taksistëve, me hyrjen në fuqi të vendimit, do të jenë vetë anëtarët e shoqatës të cilët do t’i tërheqin sërish këta taksimetra për t’i riprogramuar me tarifat e reja, pasi vetëm kështu mund të shmangen abuzimet me çmimet.