E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fullani: Stabiliteti makroekonomik amortizoi efektet e krizës



Kriza globale nuk ka dhënë ndikimin e saj negativ në ekonominë shqiptare përgjatë vitit 2008. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka pranuar dje para deputetëve të komisionit, gjatë prezantimit të raportit vjetor 2008, se stabiliteti makroekonomik ka amortizuar ndikimin e krizës ekonomike financiare e globale në aktivitetin ekonomik të vendit. “Ky stabilitet i shprehur në inflacion të ulët të çmimeve të konsumit, qëndrueshmëri të bilancit të pagesave dhe të borxhit publik, balanca të shëndosha të agjentëve ekonomikë, luhatje të ulëta të tregut financiar dhe besim të publikut në një zonë financiare, është një kapital i madh i ekonomisë shqiptare", - theksoi në fjalën e tij Fullani. Guvernatori i BSH-së theksoi në fjalën e tij se situata e krijuar në tregjet ndërkombëtare ka ndikuar në mënyrë të natyrshme në uljen e mundësisë dhe gatishmërisë së sistemit bankar shqiptar, për të kredituar ekonominë shqiptare. Ndërkohë, ai shtoi se këto zhvillime të ekonomisë globale sugjerojnë se ekonomia shqiptare duhet të përballet me një reduktim të nivelit të remitancave dhe të hyrjeve në përgjegjësi të kapitalit gjatë vitit 2009. Sipas Fullanit, në optikën e BSH-së problemi kryesor me të cilin do të përballet ekonomia shqiptare në vitin në vijim është mungesa e likuiditetit dhe e lidhur me të, shtrëngimi i kushteve të financimit të aktivitetit ekonomik. Fullani tha se BSH gjykon se sjellja e deficitit të llogarisë korente duhet të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme. Barazimi i këtij deficiti me hyrjet e reduktuara në llogarinë kapitale duhet të jetë një prioritet tjetër i zhvillimit të politikave ekonomike. Sipas Fullanit, ky moment kushtëzon ndjeshëm ekuilibrat makroekonomikë dhe financiarë të vendit, ndaj ai shprehu edhe angazhimin për mbajtjen nën mbikëqyrje nga ana e BSH-së. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, tha se rënia e kërkesës së jashtme dhe rritja e papunësisë, veçanërisht në vendet fqinje anëtare të eurozonës, ndikoi në rënien e eksporteve dhe të të ardhurave nga emigrantët, duke zbutur kërkesën e brendshme për konsum. Në 2008, të ardhurat dhe shpenzimet në buxhetin e shtetit, me një rritje relative vjetore, përkatësisht në masën 15 për qind dhe 23 për qind, u realizuan pranë parashikimeve. Norma vjetore e rritjes së çmimeve të konsumit zbriti në 2.2 për qind në muajin dhjetor. Fullani informoi se duke filluar që nga mesi i muajit nëntor 2008 u ndryshua forma e ankandit të marrëveshjeve të anasjellta të riblerjes me shumë çmime në ankand, me çmime fikse. Përveç kësaj, u përdorën instrumente injektimi të likuiditetit me afat më të gjatë maturimi deri në shitjet me të drejta të plota. “Në fund të vitit 2008, aktivet e sektorit bankar ishin 834.1 miliardë lekë, duke zënë rreth 86 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) dhe duke qenë 12.3 për qind më të larta në krahasim me fundin e vitit 2007”, - vijoi Fullani. Në fund të vitit 2008, kapitali aksioner i sektorit bankar zinte rreth 8.6 për qind të totalit të aktiveve, krahasuar me rreth 7.6 për qind në fund të vitit 2007. Ndërkohë, rezultati financiar i sektorit bankar në fund të vitit 2008 ishte pozitiv, për rreth 9.3 miliardë lekë.

BOX

Në 2009 do të ulet kreditimi

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka paralajmëruar dje në Komisionin e Ekonomisë se gjatë vitit 2009 do të ulet niveli i kreditimit. Ekonomia shqiptare po vihet gjithnjë e më shumë nën ndikimin e krizës botërore. Pasiguria që përcolli tronditja e sistemit financiar botëror u reflektua në tërheqjen e një pjese të depozitave nga sistemi, duke sjellë probleme likuiditeti në të dhe tendenca për rritjen e normave të interesit. Kjo situatë ka ndikuar në mënyrë të natyrshme në uljen e mundësisë dhe gatishmërisë së sistemit për të kredituar ekonominë”, - deklaroi dje Guvernatori Fullani. Ai shtoi se nga ana tjetër, zhvillimet e ekonomisë globale sugjerojnë se ekonomia shqiptare duhet të përballohet me një reduktim të nivelit të remitancave dhe të hyrjeve kapitale gjatë vitit 2009. Këto zhvillime përbëjnë një reduktim të mëtejshëm të mundësive të financimit të aktivitetit ekonomik, si dhe dëmtojnë balancat e kërkesës dhe ofertës për valutë. Fullani tha se gjatë vitit 2009, në optikën e Bankës së Shqipërisë, shihet si problemi kryesor me të cilin do të përballet ekonomia shqiptare gjatë vitit në vijim, mungesa e likuiditetit dhe, i lidhur me të, shtrëngimi i kushteve të financimit të aktivitetit. Fullani tha se ky kufizim duhet të njihet dhe të faktorizohet në planet e biznesit të të gjithë agjentëve ekonomikë. “Ekonomia shqiptare do të përfitojë më pak kredi gjatë vitit 2009. Kjo mungesë likuiditeti kufizon edhe hapësirat që ka politika fiskale dhe monetare për reagim. Në këto rrethana, ajo që kërkohet është një eficiencë më e madhe e përdorimit të fondeve të sistemit bankar, nëpërmjet renditjes prioritare të shpenzimeve në funksion të impaktit që kanë mbi rritjen ekonomike”, - tha Fullani.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›