E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taksisti vetëvaret pas kabllit elektrik

Enver Tahiraj i jep fund jetës në rrethana misterioze. Policia: Vuante nga depresioni
TIRANË- Depresioni shton numrin e të vetëflijuarve në kryeqytet.Dy ditë pas vetëvarjes së një 24- vjeçari dhe një fëmije 11-vjeç në Durrës, një taksist nga Tirana i ka dhënë fund jetës në të njëjtën mënyrë.Babai i dy fëmijëve, Enver Tahiraj, u gjet i varur me litar në kabllin elektrik nga familjarët e tij të cilët më kot tentuan t’i jepnin ndihmën e parë, pasi 42-vjeçari kishte ndërruar jetë. Efektivat e komisariatit të policisë nr.3, të sinjalizuar për ngjarjen nisën menjëherë hetimet për të zbardhur rrethanat e këtij vetëflijimi. Burime zyrtare nga policia e kryeqytetit thanë se nga hetimet e para rezulton se Tahiraj vuante nga depresioni psikik dhe në këto kushte ka ndërmarrë veprimin fatal.
Vetëvarja
Pasditen e së enjtes, Enver Tahiraj duket se ka kaluar ditën më depresive të jetës së tij. 42-vjeçari ka shfrytëzuar momentin kur banesën e tij, që ndodhet pranë ”Spitalit Ushtarak” në Laprakë të Tiranës, nuk ndodhej asnjë pjesëtar tjetër i familjes për të përgatitur vetëflijimin. Një litar i lidhur pas kabllit elektrik ka mjaftuar për t’i marrë jetën babait të dy fëmijëve, për t’u gjetur më pas nga të afërmit në gjendje të vdekur. Të alarmuar, këta të fundit janë përpjekur t’i shpëtojnë jetën, por ka qenë e kotë pasi 42-vjeçari kishte vdekur. Policia mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes për të bërë këqyrjen e provave. Burime nga policia thanë se në cilësinë e provës materiale u sekuestrua litari me të cilin u vetëvar Tahiraj, ndërsa u morën në pyetje familjarët e tij për të zbardhur shkaqet e këtij vetëflijimi.
Motivi
Mësohet se Enver Tahiraj punonte si taksist në kryeqytet, ndërsa vilte të ardhura edhe nga disa dyqane që kishte lëshuar me qira. Sipas policisë, gjendja ekonomike e 42-vjeçarit ishte normale duke hedhur poshtë pistën e vetëflijimit nga varfëria. Ndërkohë, para pyetjeve për shkakunqë ka detyruar Tahirajn t’i japë fund jetës, familja e tij ka ”ngritur supet” duke mos dhënë asnjë motiv që mund të justifikonte sadopak veprimin fatal të 42-vjeçarit. Megjithatë policia bëri të ditur se nga hetimet e para dhe nga deklarimet e familjarëve, rezulton se kohët e fundit Enver Tahiraj vuante nga sëmundja e depresionit, gjë e cila mund të jetë rënduar dy ditë më parë duke e çuar atë drejt varjes. Policia shtoi se po punohet për të zbardhur me saktësi shkakun e vërtetë që detyroi Enver Tahirjan t’i japë fund jetës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›