E Diel, 1 Nëntor 2026

Laç, gjendet i varur në një plep 44-vjeçari

Lefter Basha u gjet dje pa jetë, nga kalimtarë të rastit i varur në plep rrugës për në fshatin Gjorm

Dy javë më parë ai tentoi të digjej me benzinë, pasi deklarohej si i akuzuar për vrasjen e Remzi Hoxhës

LAÇ-Atë që nuk e bëri dy javë më parë, 44-vjeçari, Lefter Basha e ka realizuar mëngjesin e djeshëm, teksa është vetëvarur në një plep, në afërsi të fshatit Gjorm të Laçit. Basha deklarohej si i akuzuar për vrasjen e Remzi Hoxhës dhe për këtë kishte tentuar vetëvrasjen edhe më parë. Kanë qenë disa kalimtarë që e kanë pikasur trupin e pajetë të 44-vjeçarit, të varur me litar në degët e një plepi, në anë të rrugës që të çon për fshatin Gjorm të Kurbinit.

Vetëvarja

Kanë qenë disa kalimtarë të rastit që e kanë vënë re që tejtrupin e pajetë të varur në degët e një plepi. Të tmerruar nga pamja që kanë parë, kalimtarët kanë njoftuar me urgjencë policinë. Mësohet se uniformat blu kanë mbërritur shumë shpejt në vendin e ngjarjes, ku u njoftuan për një të vetëvarur, por janë mjaftuar vetëm me kryerjen e hetimeve të rastit. Pasi trupi i varur ka qenë i pajetë e për pasojë çdo lloj ndërhyrjeje për t’i dhënë ndihmë ka qenë e kotë. “Policia, e mbërritur në vendin e ngjarjes ka verifikuar se personi që i kishte dhënë fund jetës ishte shtetasi Lefter Basha”- thanë dje burimet zyrtare të policisë. Sipas tyre, ishte po i njëjti person që dy javë më parë kërcënoi me bujë vetëflijimin, por pa ia arritur qëllimit të tij për t’u vetësakrifikuar. Në konkluzionin e vetëvarjes policia ka arritur dhe për faktin se ai këtë gjë tentoi të bënte dy javë më parë ndaj dhe pistat e tjera thuajse janë të pabaza.

Tentativa

Vetëm dy javë më parë, Basha deklaroi para mediave se do të vetëvritej. Sipas tij, po i jepte fund jetës, pasi nuk mund ta përballonte dot më jetën, pasi ndihej i akuzuar për vrasjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha, 13 vite më pare. “Nuk mundem dot më të jetoj. Po jetoj në ankth prej këtij fakti që prej disa kohësh”,- ka thënë ai në tentativën e parë të vetëvrasjes. Atëherë ai u ngjit në majat e larta të një pike inertesh në anë të autostradës, në afërsi të kryqëzimit të Patokut. Pamja që iu shfaq atyre që ishin të pranishëm nuk qe e zakontë. Viktima pinte benzinë dhe bërtiste se do t’i jepte fund jetës së tij me djegie. Në njërën dorë mbante dhe shkrepësen i gatshëm për t’u lyer me benzinë dhe më pas për t’u djegur në gjithë trupin. Vetëm negociatat me orë të gjata të policisë kanë bërë të mundur që ta zbresin nga vendi ku ishte ngjitur për vetëflijim. Ai deklaronte për mediat se e akuzonin për vrasjen e Remzi Hoxhës, por që ai bërtiste me të madhe se nuk kishte gisht në këtë punë dhe se për këtë fakt ndihej gjithnjë i rrezikuar.

Policia

Sipas burimeve policore edhe pse është hetuar rreth këtij fakti, nuk mësohet se sa të vërteta rezultojnë deklarimet e viktimës. Sipas policisë tek 44-vjeçari Basha janë konstatuar shenja të çekuilibrit mendor. Që në rastin e parë të tentativës vetëflijuese, u deklarua se ky ishte një person me probleme të rënda mendore dhe për pasojë deklaratat e tij nuk mund të kishin baza reale. E megjithëse tentativa e parë e vetëvrasjes nuk u realizua nga Lefter Basha, edhe për shkak të ndërhyrjes policore, kjo e ditës së djeshme ka rezultuar fatale. Trupi i tij, i varur në degët e një plepi shihej nga kalimtarët që kaluan në atë orë rrugës që të shpie në fshatin Gjorm. Ndërkohë grupi hetimor po vazhdon hetimin për ngjarjen, duke marrë në pyetje dhe njerëz të afërm të familjes dhe të tjerë. Por, sipas tyre, është ende herët të flitet përfundimisht, ndonëse të dhënat e para flasin për një akt vetëvrasjeje të pastër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›