E Shtunë, 31 Tetor 2026

Verifikimi i pronave, penalizimet për abuzuesit

 

Sipas nënkryetarit të PR, deri tani ka rezultuar se 50 mijë ha tokë bujqësore është përfituar në mënyrë abuzive

Verifikimi i pronave, ja penalizimet për abuzuesit

TIRANË- Partia Demokratike pritet që të marrë konsensusin e parë nga republikanët për pronat. Drafti i përgatitur prej më shumë se një viti nga Ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, për verifikimin e titujve të pronësisë, ka marrë më në fund edhe “bekimin” e republikanëve. Nënkryetari i PR-së, Aleksandër Garuli deklaroi dje për “Shekullin” edhe pikat e miratuara. Sipas Garulit, deri më tani përllogaritet se nga zbatimi i dy ligjeve për tokat, rezultojnë përafërsisht 40-50 mijë ha tokë bujqësore e përfituar në mënyrë abuzive. Ajo ç’ka republikanët kanë kërkuar dhe për të cilën është rënë dakord, qëndron në faktin se nëse vërtetohet se ka pasur abuzime, poseduesi që shfrytëzon tokën faktikisht, (nëse nuk preken interesat e ligjshme të personave të tretë), do të jetë i detyruar që ta blejë atë me çmimin e tregut. Por republikanet e kanë një zgjidhje edhe për rastin e kundërt. Sipas Garulit, në rast se poseduesi nuk ka mundësi për ta blerë tokën me çmimet e tregut, atëherë sipërfaqja që ai disponon do të përfshihet në fondin e tokave të lira, që do të përdoret për kompensimin e ish-pronarëve të ligjshëm. Garuli sqaron se do të jetë pikërisht Komisioni Qeveritar i Tokës (i përfshirë në draftin qeveritar) i cili për një periudhë trevjeçare do të bëjë evidentimin e të dhënave zyrtare me kufijtë konkretë të çdo prone për të cilën ka dyshime, dhe që, sipas tij, nuk janë pak, por më mijëra hektarë. Drafti për verifikimin e titujve të pronësisë që po shqyrtohet aktualisht nëpër komisionet parlamentare, parashikon edhe masa të tjera të rënda penalizuese për të gjithë ata që jo vetëm zotërojnë një pronë të pambështetur në dokumente origjinale, por edhe për ata që kanë favorizuar transferimin apo mbivendosjen e pronave. Do të jetë pikërisht një Task-Forcë në nivel qendror e lokal, që nën drejtimin e Komisionit Qeveritar të Tokës, do të marrë kompetenca dhe përgjegjësi të reja ligjore për të kontrolluar penalizuar të gjitha shkeljet ligjore të konstatuara në ndarjen e tokës bujqësore. Demokratët janë shprehur se zbatimi i një nisme të tillë do të synojë rritjen e sigurisë se prona shkon tek ata që u takon. Sipas demokratëve, më miratimin e draftit për verifikimin e titujve të pronësisë, do të konsiderohet i përfunduar edhe veprimi i Ligjit 7501. Pikërisht për këtë arsye, pak kohë më parë, gjatë shqyrtimit të draftit në Komisionin e Ligjeve, deputetët e PD-së i kërkuan kryetarit te grupit parlamentar të PR-së, Arjan Madhi, që të tërhiqej nga amendamenti i tij për ndalimin e veprimit të Ligjit 7501, për të pritur pikërisht draftin që po hartohej nga Ministria e Bujqësisë. Megjithatë, përpos konsensusit që mund të arrihet për çështjen në fjalë, nuk dihet në fakt se sa frytdhënëse do të jenë rregullat e reja që do të vendosë qeveria dhe a do të mund realisht që përmes mekanizmave që ajo ka ngritur, të zgjidhë të metat e shkaktuara nga zbatimi i Ligjit 7501.

20 mijë ha, në funksion të kompensimit fizik

TIRANË- Rreth 20 mijë hektarë tokë bujqësore dhe troje, janë evidentuar nga Ministria e Bujqësisë si toka të lira që do të shërbejnë për kompensimin fizik të ish-pronarëve. Kjo ishte shifra e fundit që u bë publike pak kohë më parë nga AKKP, referuar një raporti të përgatitur nga Ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana. Në të njëjtën kohë, Ministria e Bujqësisë thuajse ka gati një sërë ndryshimesh ligjore lidhur me përfundimin dhe kontrollin e procesit të ndarjes së tokës, zbatimin e qiradhënies dhe zbatimin e projekteve koncesionare për sipërfaqet e tokave të refuzuara nga Ligji 7501. Sipas një raporti të bërë publik nga Ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, janë rreth 110 mijë hektarë tokë, që për shumë vite nuk janë shfrytëzuar dhe që do të jepen për shfrytëzim në kuadër të disa nismave që qeveria ka ndërmarrë apo kundrejt qirave normale. Këtu nuk bëhet fjalë për tokat disponibël shtetërore, të cilat paraqesin interes real në procesin e kompensimit fizik të pronarëve.

Flet anëtari i kryesisë së Shoqatës “Pronësi më Drejtësi”. Ish-pronarët s’pranojnë gjithashtu shifrat e AKKP-së

Ish-pronarët: Drafti për titujt e pronësisë, nuk e zgjidh problemin

TIRANË- Nuk kanë të sosur pakënaqësitë e ish-pronarëve sa i takon çështjeve të trajtuara nga qeveria për pronat, përfshi këtu edhe draftin e verifikimit të titujve të pronësisë. Mbi bazën e një argumentimi logjik, anëtari i kryesisë i Shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, Reshit Vorpsi deklaroi dje se drafti i përgatitur nga Ministria e Bujqësisë për verifikimin e ndarjes së tokave me Ligjin 7501, nuk do të zgjidhë problemin që ekziston prej vitesh. "Abuziviteti i ndarjes së tokave ka qenë në ato zona që ka pasur interes më të madh ekonomik dhe këtu bregdeti ngelet vendi ku është bërë kasaphana në ndarjen e tokave. Kjo është një nga gjërat më të mira që mund të bëhet, identifikimi i gjithë abuzimeve që janë bërë ndër vite në raport me ndarjen e tokës bujqësore. Por ajo që na ka shqetësuar më tepër, është fakti që për çudinë e madhe, ligjvënësi parashikon që kjo tokë t'u shitet pikërisht këtyre personave", - tha Vorpsi.

Fondi 4.4 mld $

Shoqata “Pronësi me Drejtësi” ka shqyrtuar më hollësi edhe të dhënat e tabelës së përgatitur nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, të nxjerra mbi bazën e evidentimit të treguesve për sipërfaqet e shprehura për kompensim (troje, tokë bujqësore, livadhe, kullota e pyje) për 12 qarqet në vend. Të dhënat e mësipërme çonin në konkluzionin se fatura financiare e sipërfaqeve për kompensimin shkonte në rreth 4.4 miliard dollarë, një shifër kjo e bazuar vetëm mbi çmimet mesatare, të nxjerra në nivel rrethi e qarku. Por nuk është aspak dakord anëtari i kryesisë i Shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, duke marrë si rast konkret çmimet mesatare në Tiranë. “Përsa u përket vlerave e çmimeve mesatare që parashikohet nga AKKP, është një shifër që agjencia e ka bërë publike 4.4 miliardë dollarë. Kjo shifër është totalisht e pavërtetë dhe e pasaktë. Dhe rasti më konkret është rasti i Tiranës. Në Tiranë, agjencia, çmimin mesatar e ka parashikuar 32 mijë lekë të vjetra, ndërkohë që pronarët për vitin 2007 janë kompensuar për qytetin e Tiranës nga 300 mijë lekë për metër/katror, deri në 770 mijë lekë për metër/katror", - tha Vorpsi.

Vizitat e Topallit jashtë kanë zvarritur raportimin e ish-ministrit të Mbrojtjes në Këshillin e Rregullores

Topalli në Bruksel, shtyhet  mbledhja e Këshillit të Rregullores

TIRANË- Vizitat e shpeshta të kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli jashtë vendit, kanë zvarritur jo pak raportimin e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu para Këshillit për Rregulloren, Mandatin dhe Imunitetin, për dosjen voluminoze prej 648 faqesh me të cilën Prokuroria e Përgjithshme shoqëron kërkesën për heqjen e imunitetit të tij. Pas vizitës katërditore të zhvilluar në Strasburg, Kryetarja e Kuvendit sot ndodhet në Bruksel për të zhvilluar një tjetër vizitë, kësaj here më të shkurtër. Sipas njoftimit zyrtar të Kuvendit, Topalli do të marrë pjesë në takimin parlamentar mbi Ballkanin Perëndimor në Parlamentin Europian, me temë “Arritja e perspektivës europiane për Europën Juglindore”, në datat 26 dhe 27 Maj. Edhe pse pritej që sot të kishte diçka konkrete mbi raportimin e Mediut, vizita e Topallit ne Bruksel do të çojë sërish në shtyrjen mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatin dhe Imunitetin që drejtohet nga vetë ajo. Ndërkohë, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu është kthyer nga Amerika, ku qëndroi për disa ditë për arsye familjare. Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu do të duhet që të argumentojë materialet e dërguara më hollësi nga organi i akuzës, për 20 shkeljet ligjore, përmes së cilave, sipas prokurorisë, ai ka favorizuar haptazi kompanitë private “SAC” dhe "Alba Demil", duke u garantuar atyre fitim maksimal, si dhe ka shpërfillur rregullat e sigurisë, mungesa e të cilave solli edhe ngjarjen fatale, që u shoqërua me 26 viktima e mbi 300 të plagosur.

MB, draft shtesë për kalimin  në pronësi të tokës bujqësore

TIRANË- Krahas draftit për verifikimin e titujve të pronësisë, Ministria e Bujqësisë ka hartuar paralelisht edhe një tjetër material që në thelb është një shtesë e ligjit“Për kalimin në pronësi pa shpërblim, të tokës bujqësore”. Sipas këtij drafti, përdoruesit e tokave bujqësore brenda vijave kufizuese të qyteteve, fshatrave ose qendrave urbane, që disponojnë aktet e marrjes së tokës në përdorim, të lëshuara deri në fund të muajit shkurt, të vitit 1996, kompensohen me truall në zonat urbane, në çastin që toka e tyre do të kalojë për kompensimin fizik të subjekteve të shpronësuara ose për ndërtime publike. Ndërkohë, përdoruesit e tokës bujqësore brenda vijave kufizuese të zonës me përparësi turizmin, të përcaktuara sipas vendimit “Për miratimin e zonave që kanë përparësi zhvillimin e turizmit”, që disponojnë aktet e marrjes së tokës në përdorim, të lëshuara deri në fund të muajit shkurt, të vitit 1996, do të kompensohen me truall në zonë turistike, në çastin, që toka e tyre do të kalojë për kompensimin fizik të subjekteve të shpronësuara ose për ndërtime publike. Kalimi i tokës së përdoruesve, për kompensim fizik, për subjektet e shpronësuara, bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave, ndërsa kalimi i tokës së përdoruesve, për ndërtime publike, do të bëhet, sipas rastit, me vendim të Këshillit të Rregullimit të Territorit të qarkut ose të Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë, sipas kompetencave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për urbanistikën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›