E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrugët drejt zonave turistike, të bllokuara nga dherat

 

Ndërmarrja në vështirësi: Kemi vetëm një mjet për mirëmbajtjen e rrugëve, është e pamundur

Shkodër

SHKODËR-Vetëm një mjet i ndërmarrjes së rrugëve rurale e bën tepër të vështirë mirëmbajtjen e akseve rrugore, sidomos në zonat malore të Shkodrës. Situata paraqitet problematike aty ku ka pasur shembje rruge dhe pjese mali që kanë sjellë rënien e dherave, duke bllokuar rrugën.

***

Sipas drejtorit të ndërmarrjes së rrugëve rurale, Gjovalin Kodra, po punohet për hapjen e aksit rrugor Mes-Prekal, Mali i Shoshit-Preg Lumi- Theth, i cili është bllokuar në disa segmente si pasojë e dherave dhe gurëve të rrëshqitur nga malet. “Kemi marrë një fadromë të ndërmarrjes së rrugëve nacionale, sepse mjeti i vetëm që ka ndërmarrja jonë që është një mjet vetëshkarkues, i amortizuar dhe ka pësuar defekt. Ai ndodhet në mesin e rrugës, ndërsa kemi përdorur dhe mjete private për të bërë të mundur largimin e materialeve që kanë bllokuar rrugën”,-thotë Kodra. Terreni i thyer malor e ka vështirësuar shumë punën, pasi mjetet mungojnë dhe ky shqetësim është ngritur prej kohësh nga kjo ndërmarrje. Fadroma e marrë në drejtorinë e rrugëve nacionale po punon për të bërë të kalueshëm një segment të këtij aksi, i cili është bllokuar nga shembja e një pjese të kanalit të hidrocentralit të Ndërlysës, që ka sjellë hedhjen në rrugë të rreth 350 metër kub dheu e masivi shkëmbor, rreth 1 km larg hidrocentralit. Sipas Kodrës, ndonëse me mjete dhe në terren të thyer, po punohet për t’i bërë të kalueshëm akset malore në këtë qark, ku në disa prej tyre ka pasur dhe probleme bllokimi nga orteqet e rëna kohë më parë.

***

Rrëshqitjet e dherave kanë sjellë probleme dhe në aksin malor Tamarë-Vermosh. Shembje rruge nga gërryerjet e përrenjve, rënia e pjesëve shkëmbore dhe rrëshqitjet e dherave kanë sjellë probleme në segmentin Tamarë-Vukël , ku as kamionët nuk mund të kalojnë. Shqetësimi është bërë publik nga kryetari i komunës Këlmend, Ndue Lelçaj, i cili thekson se komuna nuk ka fonde e mjete për të bërë zhbllokimin e rrugës, ndërsa këto akse nuk janë në pronësi të saj por të dy ndërmarrjeve të ndryshme me qendër në Shkodër. Për Lelçajn, situata bëhet më problematike tani me afrimin e sezonit veror kur Këlmendi vizitohet nga turistë të huaj, të apasionuar pas turizmit malor si dhe emigrantë. “Kemi bërë disa kërkesa në prefekturë e ministrinë përkatëse por akoma rruga Tamarë- Vukël vazhdon të jetë e pakalueshme”- thotë ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›