E Diel, 1 Nëntor 2026

Përplasen me maunen, aksidentohen me vdekje 3 kroatë

 

Aksidenti ndodhi në kryqëzimin e Gjadrit, ku makina e kroatëve u përplas me një maune që drejtohej nga një malazez

LEZHE-Tre shtetas kroatë kanë mbetur të vdekur dje në një aksident rrugor, kur makina me të cilën udhëtonin u përplas me një maune. Ngjarja e rëndë ndodhi në kryqëzimin e Gjadrit, ku tre të huajt humbën jetën, ndërsa drejtuesi i automjetit, gjithashtu kroat, ka mbetur i plagosur rëndë. Policia e mbërritur me urgjencë në vendin e ngjarjes ka deklaruar se shkak i aksidentit ka qenë parakalimi i gabuar dhe shpejtësia e madhe me të cilin automjeti ishte duke lëvizur.

***

Sipas burimeve zyrtare të policisë automjeti me të cilin po udhëtonin kroatët, ishte tip Volksvagen me targa të Kroacisë SI998-DL. “Automjeti është përplasur me një maune dhe si pasojë e kontaktit shumë të fortë, të dy automjetet kanë dalë nga rruga”,- thanë dje burimet policore. Personat që ndodheshin në makinën e vogël kanë humbur jetën në moment. Sipas burimeve policore, tre viktimat janë shtetas kroatë dhe deri në orët e vona të së dielës, ishte bërë vetëm identifikimi i njërit prej tyre.

“Alen Zukanovic, i datëlindjes 1974, i cili drejtonte automjetin me të cilin udhëtonin kroatët është plagosur rëndë”- thonë të njëjtat burime. Hetimet e para në vendin e ngjarjes kanë verifikuar një nga viktimat e aksidentit të rëndë. Mësohet se një prej viktimave është shtetasi Gan Dokovic, 24-vjeç, i cili ndodhej bashkë me 2 viktimat dhe Zukanovicin në golf.

***

Makina me të cilën u përplas golfi i kroatëve, sipas policisë së Lezhës, ishte një maune me targe 25-38 TG . “Maunia drejtohej nga shtetasi malazez, Jedomir Komacina 56-vjeç nga Plava”- thonë burimet zyrtare. Pas hetimeve paraprake të bërë nga grupi i ekspertëve në vendin e ngjarjes mësohet se shkaktar për aksidentin ka qenë një parakalim i gabuar i drejtuesit të golfit, në momentin që është përballur me maunen. Mësohet gjithashtu se në këtë aksident ka ndikuar negativisht edhe shpejtësia e madhe me të cilën kanë qenë duke lëvizur kroatët, gjë që e ka bërë të pamundur manovrimin në kohën që në rrugë është shfaqur maunia. Policia po punon për identifikimin e 2 trupave të tjerë të pajetë të të aksidentuarve, ndërkohë që nuk dihet qëllimi i rrugëtimit të tyre në këtë aks.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›