Shkolla e policisë, shpallen 106 fituesit e parë të testit me shkrim
Shpallen fituesit e testimit me shkrim për shkollën e policisë në qarqet Tiranë, Durrës dhe Dibër. Nga 432 aplikues në këto tre qarqe, 106 kanë mundur ta kalojnë testimin me shkrim dhe tashmë presin kohën për të kaluar në test fizik dhe intervistë, me qëllim për të filluar shkollën e policisë. Ditën e djeshme, në ambientet e Qendrës së Formimit Policor u zhvillua testimi me shkrim i kandidatëve nga qarqet Tiranë, Durrës dhe Dibër, që kanë aplikuar për të ndjekur studimet në shkollën bazë të policisë për “Patrullë të Përgjithshme”. Këtij testimi iu nënshtruan 432 aplikantë nga këto qarqe, të ndarë në dy grupe. Grupi i parë iu nënshtrua testimit në orën 07:30 dhe grupi i dytë në orën 11:00. Në përfundim të konkurrimit të ditës së djeshme u shpallën fitues të testimit me shkrim 106 aplikantë, të cilët arritën të grumbullonin mbi 60 pikë. Korrigjimi i testimit u realizua me skaner dhe kandidatët u njohën me rezultatin brenda ditës. 106 kandidatët e shpallur fitues të testimit me shkrim do t’u nënshtrohen fazave të mëtejshme të konkurrimit. Aplikantët që rezultuan fitues të këtij konkurrimi do t’i nënshtrohen testimit fizik në datën 01 qershor 2010, në orën 08:00, në Qendrën e Formimit Policor (ish-Akademia e Policisë). Aplikantët duhet të paraqiten në ditën dhe orën e përcaktuar për testimin fizik të veshur me uniformë sportive. Policia ka kujtuar edhe njëherë se për qarqet Fier, Vlorë, Berat dhe Gjirokastër testimi me shkrim do të zhvillohet në ambientet e universitetit “Kristal” në Fier në datën 14 maj 2010, i ndarë në dy grupe. Ato do të ndahen sipas listës së përcaktuar, ku në orën 07:30 do të paraqiten për t’iu nënshtruar testimit me shkrim aplikantët nga qarqet Fier dhe Vlorë, ndërsa në orën 11:00 do të paraqiten për t’iu nënshtruar testimit me shkrim aplikantët nga qarqet Berat dhe Gjirokastër. Për qarqet Shkodër, Kukës dhe Lezhë, testimi me shkrim do të zhvillohet në ambientet e universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, në datën 18 maj 2010. Kandidatët duhet të paraqiten në orën 07:30 pranë këtij universiteti. Për qarqet Elbasan dhe Korçë testimi me shkrim do të zhvillohet në ambientet e universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, në datën 27 maj 2010, i ndarë në dy grupe. Kandidatët, ditën e zhvillimit të testimin me shkrim, duhet të kenë me vete fletën e pranimit në testin me shkrim dhe kodin e aplikantit, të cilët i kanë tërhequr pranë Drejtorive të Policisë në Qarqe ku kanë aplikuar. Të gjithë aplikantët, për çdo paqartësi që mund të kenë lidhur me këtë proces, të drejtohen pranë Zyrave të Personelit në Drejtoritë e Policisë në Qarqe, ose pranë Sektorit të Pranimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
#