E Shtunë, 31 Tetor 2026

Talebanët i kërcënohen sërish SHBA-së

Militantët talebanë në Pakistan i janë kërcënuar sërish SHBA-së, duke theksuar se “Amerika së shpejti do të digjet” dhe se këtë fat së shpejti do ta përjetojnë edhe shtetet aleate të SHBA-së.

“Amerika do ta shoh, do ta shohin të gjitha fuqitë imperialiste. Amerika do të shpërthejë, Amerika do të digjet”, deklaroi në audio-porosinë më të re zëdhënësi i talebanëve në Pakistan, Azim Tarik.

Ai më tutje shtoi se të njëjtin fat do ta përjetojnë edhe shtetet aleate të SHBA-së.
“SHBA-ja nuk mund të eliminojë muxhahedinët, e as luftën e shenjtë, e nuk mund ta rrezikojë as islamim. Amerika do të zhduket, do të digjet dhe do t’ia hap vetës varrin”, tha Tarik.

Pakistan është duke u përballur me kryengritjen gjithnjë e më të fuqishme të talebanëve, të cilët po bashkëveprojnë me militantët talebanë në Afganistan.

Qeveria në Islamabad ka fajësuar militantët talebanë për një seri të sulmeve vetëvrasëse, si pasojë e të cilave janë vrarë me qindra civilë në Pakistan.

Tarik mohoi se kryengritësit talebanë në Pakistan janë përgjegjës për sulmet me bomba nepër vendet publike, duke theksuar se kjo është vetëm një propagandë e qeverisë në Islamabad, e cila po tenton të “njollosë kryengritësit”, me fajësimin e tyre për vrasjen e civilëve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›