Talebanët, vrasësit e 31 marinsave në Afganistan

Burime amerikane deklarojnë se shumica e 31 marinsave, që mbetën të vrarë nga rrëzimi i helikopterit në Afganistan, ishin nga njësia Navy Seal që vrau Osama bin Laden. Megjithatë, të njëjtat burime kanë nënvizuar se ka të ngjarë që marinsat e vdekur të mos jenë të njëjtët, që hynë në ndërtesë dhe vranë kreun e Al Kaedës.
Shtetet e Bashkuara nuk kanë konfirmuar ende numrin e viktimave, që mund të jetë edhe më i rëndi që nga nisja e konfliktit në Afganistan.
Sipas zyrës së presidentit afgan Hamid Karzai, e cila njoftoi edhe numrin total të të vdekurve, helikopteri “Chinook” u rrëzua gjatë natës në provincën e Uardakut. Ushtarët amerikanë dhe ata afganë po ktheheshin nga një operacion kundër talebanëve, ku kishin mbetur të vrarë tetë rebelë.
Një zyrtar i administratës së presidentit amerikan Barack Obama tha për agjencinë “Associated Press” se helikopteri ishte qëlluar. Ndërsa një zyrtar i koalicionit të NATO-s në Afganistan tha për “New York Times” se helikopteri është goditur me një granata-hedhës. Shumica e 31 ushtarëve amerikanë që u vranë pas një sulmi të talebanëve në helikopterin e tyre janë pjesë e Njësitit Special SEAL 6. Ishin pikërisht pjesëtarët e këtij njësiti që e kryen operacionin e kapjes dhe vrasjes së kryeterroristit botëror, Osama Bin Laden. Talebanët e morën përgjegjësinë për sulmin me granatë. Mohammad Hazrat Janan, tha se kryengritësit goditën amerikanët teksa ata po ktheheshin nga një operacion. “Është një humbje e madhe për SEALs. Numri është i lartë”, tha një zyrtar. Lajmin për sulmin e rëndë e ka bërë të ditur presidenti Hamid Karzai, që i ka shprehur keqardhjen e tij Presidentit Obama. Kjo është humbja më e madhe përnjeherësh e trupave amerikane në Afganistan. Njësit i Seal 6 përbëhet nga 200 pjesëtarë, dhe një pjesë e tyre e kishte kryer operacionin para disa javësh për vrasjen e Bin Ladenit.
Presidenti amerikan, Barak Obama, ka vlerësuar "sakrificën e jashtëzakonshme" të 31 ushtarëve amerikanë të vrarë në Afganistan, pas rrëzimit të helikopterit të tyre nga ana e talibanëve.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, është shprehur thellësisht i trishtuar" nga vdekja e 31 ushtarëve amerikanë në Afganistan.Rasmusen ka shprehur "solidaritet të fortë" të NATO-s me Shtetet e Bashkuara dhe Afganistanin pas tragjedisë.