"Talentet ekzistojnë, duhen kultivuar"
Në Tiranë, Zagreb apo kudo tjetër në botë, skena për të ka të njëjtin kuptim. Për Ilir Kernin është një vend pasioni. E thotë këtë edhe teksa rrufit nxitimthi kafen para shfaqjes së fundit të "Arrëthyesit". Për të tretën herë, në ikje-ardhjet e tij të vazhdueshme është i pranishëm gjatë fundvitit në Teatrin e Operës. Më shumë se fije kujtimesh, në qoshe që mund të ngacmojnë pa dashje ndjeshmërinë, me këtë institucion e lidh dëshira për të bërë art.
Në Tiranë, Zagreb apo kudo tjetër në botë, skena për të ka të njëjtin kuptim. Për Ilir Kernin është një vend pasioni. E thotë këtë edhe teksa rrufit nxitimthi kafen para shfaqjes së fundit të "Arrëthyesit". Për të tretën herë, në ikje-ardhjet e tij të vazhdueshme është i pranishëm gjatë fundvitit në Teatrin e Operës. Më shumë se fije kujtimesh, në qoshe që mund të ngacmojnë pa dashje ndjeshmërinë, me këtë institucion e lidh dëshira për të bërë art. E fundit mbrëmje e baletit kompozuar prej Çajkovskit, ka pasur edhe një mision. Në ëndrrën që përbën vetë baleti, në skenat fillimisht aristokratike, në fustanet shumëngjyrëshe, në tekat fëmijërore, në valsin e flokëve të dëborës, apo skenat ku pamjet zëvendësojnë lehtshëm njëra-tjetrën, janë përfshirë në rolin e publikut fëmijë që kanë humbur të dashurit e tyre në krye të detyrës. "Arrëthyesi", baleti popullor që të çon në fillimshekullin e nëntëmbëdhjetë, solli një atmosferë tjetër në Teatrin e Operës për atë publik që shkoi ta shihte. Kerni e pranon një fije mëdyshje që i shkoi në mend teksa drejtori Zhani Ciko i propozoi këtë balet. "Unë e njoh baletin dhe për vështirësitë teknike që ka mendoja se do të kishim probleme në realizim. Megjithatë ne arritëm ta realizojmë dhe jam i kënaqur. I jam mirënjohës stafit me të cilin punova. Kemi shkëmbyer energji, që nga ana ime besoj se ka qenë tepër pozitive. Do të veçoja këtu Alisa Gjonin, si një element që për mua premton një të ardhme për sa i përket fushës së balet-maestrisë. Shpresoj që bashkëpunimi im me të të ketë kontribuar sado pak në nxitjen dhe në ndezjen e shkëndijave për ta dashuruar këtë punë, tepër specifike dhe që do të donte përkushtim të madh". Nuk rreket të gjejë fjalë me ngjyresa emocionale për të treguar mbi punën e fundit. Për të artin e bëjnë detajet. Përputhja të çon në perfeksion. E kundërta është e imagjinueshme. "Detajet janë të tilla që vijnë gradualisht. Asgjë nuk mund të bëhet me shpejtësi të rrufeshme, ashtu siç ne shpesh tentojmë të veprojmë", shprehet Kerni. Në këtë pikëpamje, për të nata e katërt e shfaqjes së baletit ka qenë optimalja për nivelin artistik, të dëshmuar nga solistët, ansambli, orkestra, teknika. Përvoja e deritanishme, në skenën shqiptare e atë të huaj, e bëjnë të besojë se tashmë ngjitet në skenë me objektivin e qartë për atë që do. "Vështirësia e madhe e çdo lloji ose të rrëzon, ose të ngre më lart. Meqenëse kam një eksperiencë të grumbulluar të çdo lloji e çdo forme, siç duket nuk jam rrëzuar dhe besoj se tashmë nuk është më ajo kohë", thotë ai. Teksa punon vazhdimisht me balerinë të rinj, që natyrshëm mund t‘i kujtojnë veten në përpjekje e sipër për t‘u afirmuar, Kerni shprehet se në rrugën për t‘u bërë balerin ndodh i njëjti proces. Kjo, pavarësisht kohës. "Është një pasion, një entuziazëm i madh që përjetohet njësoj në të gjitha brezat. Ndoshta ndryshon pak vetëm qasja ndaj punës. Dikush është më konsekuent e dikush jo. Ky qëndrim ndikohet pak edhe nga vendi ku ndodhen njerëzit. Këtu duhet të mësohen të punojnë qetë, në vazhdimësi dhe pa ndalur. Ne si shqiptarë e kemi pak të vështirë, sepse duam të punojmë shumë shpejt, të ndalojmë e pastaj të fillojmë sërish". Në këtë kuptim, për të talentet duhet të kultivohen. Ashtu siç duhet të ketë edhe një publik që ushqehet vazhdimisht me balerinët dhe performancat e tyre në skenë. Një publik që të shkuarin në teatër e sheh si kuptim të jetës. Nëse nuk ndodh kjo? "Do të jetë një fatkeqësi për ne", thotë Kerni, duke iu referuar edhe teatrit të Zagrebit, ku publiku që mbush plot sallën në çdo shfaqje është një matës i mirë i nivelit artistik që duhet të ngjitet në skenë. Ata nuk t‘i lejojnë lajthitjet, sado të vogla qofshin ato. Nëse ka emra që tashmë janë skalitur si pjesë e artit, për të nuk mungon vazhdimësia. "Në balet nuk duhet të kemi frikë për talente të reja. Ka disa të tillë në një brez, veçse duhen kultivuar". Ilir Kerni i ka "dhuruar" vite të tëra këtij profesioni. Nëse e pyet se çfarë e ka çuar deri këtu, me një qeshje të lehtë thotë: "Një lloj dashurie dhe mirësie i të parit të gjërave. Një mbështetje që kemi pasur ndaj njëri-tjetrit (i referohet bashkëshortes). Të gjesh këtë lloj qetësie nuk mjafton vetëm fenomeni para, i ngritur tashmë mbi gjithçka". Ndonëse dy vjet më parë, kur vuri në skenë "La Sulphide" pati deklaruar se ndoshta kjo do të ishte ngjitja e fundit në skenë, Kerni edhe së fundmi është shfaqur për publikun shqiptar. "Për mua personalisht nuk ishte e rëndësishme që të dilja në skenë. Jam i çliruar nga kjo ide, për mua mjafton që puna të bëhet saktë. Nuk është se unë përzgjodha që të dal vetë, natyrisht që kjo nuk kishte rëndësi për mua në kuptimin personal, ndërsa në kuptimin e përgjithshëm të punës, do të ishte me interes që ne të ishim në skenë, të shkëmbenim energji dhe të mbështesnim moralisht edhe më të rinjtë". Pas një shkëputjeje të gjatë, këto tri vitet e fundit Ilir Kerni ka qenë i pranishëm në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Nuk do të thotë nëse në vazhdim do të ketë një tjetër. "Asnjëherë nuk mendoj se çdo të ndodhë kaq gjatë. Nesër kam për të bërë një rrugë të gjatë, më duhet të kthehem në Zagreb, në punën time për "Liqenin e mjellmave". Është një nga majat e baletit klasik dhe do na duhet një punë përgatitore që të garantojë suksesin. Më tej ndoshta do të ketë një çlodhje". Në vajtje-ardhjet në Tiranë i qëllon të gjejë pak nga miqësia e vjetër. Këtë radhë ka qenë kolegu i tij Albert Janku që kishte dashur t‘i hidhte ca radhë për të jo vetëm si mik.