Incident me shfaqjen e fundit të "Arrëthyesit"
Si pasojë e ndryshimit të programit për natën e mbrëmshme, që ishte edhe e fundit e baletit "Arrëthyesi", një pjesë e publikut që kishte prerë biletat nuk kanë mundur ta ndjekin. Ata kanë shkuar në orën 19.00 në Teatrin e Operës me bileta që i kishin prerë që në ditët e para, por e kanë gjetur në mes shfaqjen që sot nisi në orën 17.00 dhe ishte parashikuar për fëmijët në nevojë. Të gjendur të papërgatitur përballë kësaj situate, edhe të fyer, të pranishmit kanë debatuar. Në një njoftim të shpërndarë nga zyra e shtypit e TOB-it dje, bëhej e ditur se shfaqja e fundit do t‘u kushtohej fëmijëve në nevojë dhe do të fillonte në orën 17.00, ndërkohë që po nga kjo zyrë shtypi thanë se ka pasur edhe postera që kanë njoftuar lajmërimin e orarit për ditën e fundit. Gjithsesi, për këtë ndryshim programi, kur biletat ishin shitur për ditën e fundit në orën 19.00, një pjesë ka mbetur e painformuar, duke shkaktuar një situatë të pakëndshme për ata që kanë shkuar të ndjekin shfaqjen e fundit. "Meqenëse ne pamë se për natën e fundit nuk ishin shitur shumë bileta, vendosëm që shfaqja e fundit të bëhej për bamirësi dhe për këtë njoftuam me afishe, por edhe përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat. Nëse numri i shikuesve që kishin ardhur në orën 19.00 do të kishte qenë i madh, ne do ta kishim përsëritur shfaqjen, por meqenëse ishin rreth 15 vendosëm që t‘u kompensonim biletat", ishte shpjegimi nga zyra e shtypit për këtë ngjarje. Por ata që kanë pritur të shohin shfaqjen në orën 19.00 thonë se ishin rreth 70 veta dhe se janë ndier të fyer për mënyrën se si janë trajtuar dhe se si funksionon organizimi për programin e shfaqjeve.