Tallavaja dhe partitë politike
Partitë politike ruajnë një rol thelbësor në procesin e zhvillimit të demokracisë. Ato janë një urë lidhëse në mes të shoqërisë dhe politikës. Teoricienët argumentojnë që roli i partive politike, për shkak të rëndësisë që ka relacioni shoqëri – politikë konsiderohet si e mirë esenciale publike për demokracinë. Pas mbarimit të luftës në Kosovë, dhe deri më sot ekziston një situatë cilësisht e re, si nga fusha politike, ekonomike dhe ajo sociale. Brenda kësaj situate në Kosovë kanë filluar të zhvillojnë veprimtarinë e tyre një numër i madh i forcave politike. E këtij kallaballëku në muajt e fundit iu shtuan edhe një kallaballëk tjetër me parti të vogla të reja e të sapo formuara taze. Sa kohë që në Kosovë nuk do të jetë i ndërtuar shteti juridikisht, partitë politike në mënyrë objektive do të ndahen vetëm në dy ngjyra specifike, ngjyrime këto që nuk i kanë shtetet demokratike: në parti që do të janë të angazhuara për të ndërtuar shtetin dhe në parti që do të mendojnë vetëm për pushtetin, në parti që do të kënaqen me çfarë t’u japin dhe në parti që do të luftojnë me mjete demokratike të realizojnë programet e tyre maksimalisht, ngjyrime këto të imponuara nga realiteti aktual i Kosovës. Të mos marrësh parasysh këtë realitet do të thotë të biesh në aventurizëm dhe teorizime të kota që dëmtojnë jetën e përditshme politike të Kosovës.
Shumë parti të vogla sot në Kosovë nëse ndalemi dhe i analizojmë ato nga aspekti struktural do të shohim se e gjitha çfarë ato posedojnë janë 3 ose 4 individë të hairit që ta themi troç meritojnë të quhen me termin politikanë, kurse nëse i analizojmë në aspektin ideologjik e gjitha ka të bëjë me fitimin e një posti ministror dhe me punësimin e disa të afërmve në poste të mira dhe asgjë më tepër, duke i shtuar faktin këtu edhe se shumica e këtyre partive politike me ardhjen në pushtet dhe hyrjen në qeveri nuk arritën t’i përmbushin as 10% të premtimeve të tyre të dhëna ndaj elektoratit që i zgjodhi. Si shembull të kësaj që thamë mund të marrim partinë Social-Demokrate të Agim Çekut, i cili pranoi të hynte në një koalicion të çuditshëm me liberalët e AKR-së së Behxhet Pacollit. Çeku me këtë arriti ndoshta të realizonte aspiratat e tij personale për t’u bërë ministër, por këtë e arriti më shumë falë votave të liberalëve të AKR-së dhe partisë së qendrës së djathtë të Partisë së Drejtësisë. Për hir të së vërtetës duhet të themi se social-demokratët nuk janë e vetmja parti politike që ka zgjedhur këtë mënyrë të përfaqësimit të saj, kemi edhe shumë parti të tjera që gjatë kësaj periudhës 13-vjeçare të qeverisjes Kosovare kanë marrë hapa të tillë, dhe si rezultat kanë krijuar një mishmash në skenën politike kosovare.
Mirëpo, këtu shtrohet pyetja se si të dilet nga kjo situatë e krijuar me vite në vendin tonë? Si përgjigje ndaj kësaj pyetje dhe zgjidhje të këtij mish-mashi ndoshta do të ishte më e qëlluar që të shkohej drejt kufizimit të partive politike në dy eventualisht tri parti të mëdha të profilizuara qartazi për orientimin e tyre politik. Shumë do pyesnin se cila do të jetë dobia e kësaj? Në këtë rast sistemi dy partiak në Kosovë ( flasim për etnitetin shumicë shqiptarë) do të sillte shumë përfitime në normalizimin e jetës politike në Kosovë dhe këtë për disa arsye. Në radhë të parë ky lloj sistemi do ti jepte fund politikës së koalicionit, kurse agjendat e deklaruara nga palët kontestuese nuk do të ndryshojnë si rezultat i ndonjë koalicioni të formuar pas zgjedhjeve. Së dyti do të ishte shumë më e lehtë për votuesin për të zgjedhur me dy kandidatëve, në vend, duke e shmangur në këtë mënyrë përpjekjet e kota për studimin e politikave të partive të ndryshme, para se ai të bëjë zgjedhjen e tij. Së treti Qeveria e zgjedhur do të jetë në gjendje të funksionojë pa ndonjë presion të panevojshëm. Ajo do të jetë në gjendje të marrë vendime të rëndësishme, pa pasur nevojë të dorëzohet para kërkesave të partnerit të koalicionit, duke i dhënë mundësin që qeverisja e tyre të gjykohej më drejtë nga qytetarët.
Një element tjetër në sistemin dy partiak do ishte edhe fakti se në një sistem dy partiak palët priren të jenë më të moderuara dhe liberale në pikëpamjet e tyre për të gjitha çështjet e nevojshme. Po ashtu sistemi eventual dy partiak në Kosovë do të rriste kapacitetin kualitativ të partive politike në Kosovë, duke i forcuar ato me inkuadrimin e ekspertëve nga partitë e vogla, si dhe do të ndihmonte në rritjen e garës së brendshme partiake për udhëheqjen e subjektit, duke eliminuar në këtë rast nepotizmin e brendshëm si dhe duke fuqizuar llogaridhënien para strukturave partiake. Dhe se fundi një sistem dypartiak do t’i ndihmonte edhe buxhetit shtetëror, duke i ndihmuar në këtë mënyrë të zvogëlonte shpenzimet e ndryshme të fushatave zgjedhore.
Marrë nga e përditshmja e Prishtinës “Zëri”