E Diel, 1 Nëntor 2026

“PD hyn në këto zgjedhje me një bilanc qeverisës të suksesshëm”

26-12-2012 / Intervistoi Lavdrim Lita

Flet deputeti i PD, Luçiano Boçi
 
Në një intervistë të posaçme për gazetën “55”, deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi flet për zvarritjen e procesit të integrimit nga ana e PS, për shembjen e murit të bllokimin në zgjedhjet e  23 qershorit, për bilancin e suksesshëm të qeverisë përgjatë të cilit kanë vazhduar të bëhen realitet vepra infrastrukturore e rrugore me impakte tërësore në ekonominë dhe jetën sociale e kulturore...
Sipas Boçit, “më shumë se për çdo gjë tjetër PS po investohet në acarimin e klimës politike me qëllime të qarta për të përfituar maksimalisht nga pasiguria artificiale dhe minimalisht për të justifikuar më pas humbjen e afërt me terma tashmë të njohur dhe të përdorur prej katër vitesh”.
 
Procesi i integrimit të Shqipërisë në BE është shtyrë në një datë të papërcaktuar. Mos Marrja e Statusit Kandidat këtë vit është një sinjal i “ngërçit të ri” në të cilën është futur parlamenti. Pse sipas jush, PS po zvarrit konsensusin deri në limitin e zgjedhjeve parlamentare?
Para 2000 vjetësh farisenjtë që e dërguan Krishtin në kryqëzimin e dinin shumë mirë se cili ishte ai dhe cili i ishte misioni i tij për njerëzimin. Sot farisenjtë e majtë e dinin dhe e dinë shumë mirë çdo të thoshte marrja e statusit të vendit kandidat për shqiptarët dhe kryqëzimin e tij momental e realizuan me ndërgjegjen më të plotë, brenda një qëllimsie të errët e cila fsheh jo thjesht një ëndërr të tyren për revansh politik. Justifikimet e ngritura si bazë e veprimeve të tyre bllokuese nuk ekzistojnë. Kjo jo vetëm është argumentuar nga ne por dhe është dëshmuar në vazhdimësinë e sjelljes politike të së majtës e cila në ligjërimin e saj politik ka hequr, që prej ditës së refuzimit të statusit, termat dhe çështjet Fier, gjykatë e lartë apo reformë parlamentare. Gatishmëria jonë për konsensus vazhdimisht ka marrë refuzimin absurd të opozitës e cila sheh jo konsensusin politik por konfliktin politik si strehën e saj më komode nga ku mund të marrë pozicionin e viktimës dhe nga ku mund të motivohet për bllokime dhe acarime të mëtejshme politike, sikurse e sheh këtë konflikt si bazën dhe mënyrën e realizimit të fushatës së saj elektorale. Kjo është dhe arsyeja jo thjesht e shtyrjes së këtij konsensusi në limite, por akoma më keq. Nga kjo forcë politike e pushtuar nga ethet e pushtetit të fanepsur nuk pritet aspak konsensus. Kjo dëshmohet jo vetëm në deklaratat e tyre por dhe në veprimet e fundit si goditje ndaj KQZ, miratimin e së cilës e trumbetuan si fitore përgjatë realizimit të reformës zgjedhore. Këto veprime goditëse lidhen kërkesën për ngritjen e një komisioni parlamentar që hetonte një vendim të KQZ si dhe në sulmin që ju bë kërkesës së propozuar nga PD për shtimin e ZAZ-ve, funksioni i vetëm i të cilave ishte rritja e shpejtësisë së daljes së rezultatit. Më shumë se për çdo gjë tjetër PS po investohet në acarimin e klimës politike me qëllime të qarta për të përfituar maksimalisht nga pasiguria artificiale dhe minimalisht për të justifikuar më pas humbjen e afërt me terma tashmë të njohur dhe të përdorur prej katër vitesh.
 
Për të ecur sa më shpejt në BE është e nevojshme që parlamenti shqiptar të ketë sa më pak forca euroskeptike. Sipas jush a janë zgjedhjet e ardhshme parlamentare “shembja e murit te bllokimit”?
Për mënyrën se si u soll një forcë e tillë opozitare si PS me çështjen e statusit, gjykoj që shqiptarët gjenden para një momenti të tillë historik të krahasueshëm me marsin e viti ‘92, kur në mënyrë plebishitare vendosën, kundër dëshirave të matrapazëve politikë të së kaluarës dhe kundër kastës ramiziste, të zgjedhin Europën. Ajo fitore e atëhershme u konsiderua dhe si rënia përfundimtare e bllokut dhe si futja e Shqipërisë në rrjedhat e demokracisë funksionale, sikurse u konsideruar si startimi drejt ëndrrës europiane. Misioni i atyre ditëve ka ecur sipas rrugëtimit të vet duke kaluar pengesa e vështirësi të shumta, midis të cilave bllokimi sotëm i bllokistëve të rinj, muri i të cilëve duket të jetë më problematiku dhe i cili meriton një goditje finale. Më së miri kjo goditje i shkon për shtat atyre që vazhdojnë të mbajnë peng këtë projekt të kahershëm, ditën e zgjedhjeve. Kjo ditë do të ndajë saktë dilemën e shpërblimit të punës sonë për të arritur ëndrrën dhe për të mos ndalur zhvillimin e vendit ndaj dilemës për ta zhytur atë drejt një projekti majtist që synon ta shtyjë me forcë Shqipërinë drejt një së kaluare që kërkon të ringjallet në formën e një rilindje të çalë dhe të zymtë.
 
Edhe pese muaj na ndajnë nga zgjedhjet. Si është bilanci i qeverisjes ketë mandate te fundit? Ku sipas jush duhet te fokusohet programi politik PD ose i koalicionit qe udhëheq PD ne përmbylljen elektorale?
PD hyn në këto zgjedhje me një bilanc qeverisës të suksesshëm përgjatë të cilit kanë vazhduar të bëhen realitet vepra infrastrukturore e rrugore me impakte tërësore në ekonominë dhe jetën sociale e kulturore. Rritja e mirëqenies dhe e cilësisë së jetës së qytetarëve ka qenë dhe mbetet qëllimi kryesor i realizimeve tërësore. Ruajtja e stabilitetit ekonomik e dëshmuar në rritjen e të ardhurave, në konsolidimin e sipërmarrjes private dhe frymëmarrjen e iniciativës së lirë ka ndikuar ndjeshëm në konkretizimin e rritjes së dukshme të pagave dhe pensioneve për të gjitha kategoritë si dhe të paketave për grupet në nevojë. Subvencionet dhe investimet e orientuara në bujqësi kanë kapur impaktet e dëshiruara dhe sot produktet shqiptare mbulojnë jo vetëm territorin shqiptar por kanë kaluar tashmë kufijtë. Vazhdimi i investimeve në rrjetin rrugor me ndërtimin e akseseve strategjike ekonomike do të vazhdojë të jetë në fokusin e programit politik të ardhshëm. Subvencionet si forma nxitje dhe përkrahje për bujqësinë për kultura të ndryshme, të shoqëruara me ndërtimin e veprave të mëdha ujore do të mbeten qëllime kryesore për këtë fushë. Politikat fiskale fleksibele dhe lehtësimet e ndryshme do të synojnë përmirësimin e klimës së biznesit vendas e të huaj. Arsimi si prioritet do të jetë në qendër të vëmendjes qeverisëse për të shkuar drejt rritjes së cilësisë nëpërmjet aplikimit të metodave dhe reformave bashkëkohore. Në shëndetësi prioritare do të jenë ngritja e qendrave të mëdha spitalore që synojnë jo vetëm rritjen e gamës por dhe cilësinë si dhe mbulimi efikas dhe cilësor me shërbim shëndetësor i gjithë territorit të vendit. Turizmi si vlerë e pazëvendësueshme do të njohë vëmendje totale nëpërmjet programeve konkrete dhe ndërhyrjeve energjidhënëse me vlerë të gjithanshme. Arti e kultura si refleksione të një kombi do të marrin vëmendjen e merituar dhe investimet e kërkuara, me qëllim që ato të pasqyrojnë saktë pasurinë tonë të shumëfishtë shpirtërore në histori dhe sot.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›