E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Festa e të gjithë shqiptarëve, mesazhi i kësaj dite, paqja për të gjithë njerëzimin”

26-12-2012 / Gazeta 55

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli uroi shqiptarët për festën e Krishtlindjeve. Ajo vizitoi selinë e re të Kishës Ortodokse Autoqefale, ku u takua me Kryepeshkopin Anastas Janullatos, i cili në respekt dhe gëzim të kësaj dite i dhuroi zonjës Jozefina Topalli, botimin e Kodikëve të Korçës, të cilët datojnë në shekullin e dhjetë.
Kryetarja e Kuvendit tha se, Krishtlindjet janë festa më e gëzueshme, veçanërisht për fëmijët dhe se mesazhi i kësaj dite, është paqja për të gjithë njerëzimin.
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Çoba Topalli vizitoi gjithashtu dhe selinë e Kishës së Shën Palit, ku shkëmbeu urimet me Kreun e Kishës Katolike, Imzot Rrok Mirdita. “Në tërësinë e vet çdo festë është e bukur. Krishtlindjet janë festa të bukura, por më të gëzuarat nga të gjithë të tjerat. Krishtlindjet festohen jo thjesht për datën, jo vetëm për ditëlindjen, por për mendimin dhe gëzimin që ato sjellin tek fëmijët, tek familjet, tek besimtarët dhe tek çdo fe tjetër, të cilët nderojnë besimin e qytetarëve të kombit të vet. Në fakt është një moment gëzimi, është një moment reflektimi, ku të gjithë duhet të përcjellin dashuri, paqe, sepse ai ishte qëllimi i atij, që quhet princ i Paqes e që erdhi në tokë 2000 e ca vjet përpara; për të sjellë paqen dhe veshi me trupin e njeriut, ata që ishin në mjerim moral, për t’i hequr mëkatet e tyre, për të qenë në shekuj të shekujve, shërbyesi i njerëzimit. Edhe një herë, unë ju uroj gëzuar festat, gëzuar të gjithë shqiptarëve që janë në emigracion, kudo ata jetojnë në Evropë apo kontinente të tjera, shqiptarët që jetojnë në treva të tjera shqiptare dhe të gjithë besimtarëve katolikë, ortodoksë, si edhe atyre myslimanë, pasi, ne festat i kemi të përbashkëta”, deklaroi kryetarja e Kuvendit, Topalli.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›