Tallavaja e Partisë Demokratike në KQZ
Av. Aleksa ndër Myrtaj
-Fillimisht dua të besoj dhe të uroj që mundësia për zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme të mos jetë sfumuar. Të paktën jo këtë herë, pas ngjarjes madhore të 100-vjetorit të Pavarësisë dhe përpara një seri ngjarjesh historike për aspiratat shumëvjeçare të vendit, siç është integrimi në BE. Në situatën e tanishme, sa i përket periudhës parazgjedhore, po shihet shfaqja më e shëmtuar e komedisë zgjedhore, ku pjesa me një akt e kësaj komedie po luhet vetëm nga katër aktorë të PDsë, duke shkelur me këmbë standardet e përcaktuara në legjislacionin zgjedhor të vendit . Por kjo është vetëm sa i takon tablosë së parë nga jashtë, ndërsa nëse shkojmë edhe së brendshmi, dallojmë se katër zotërinjtë në fjalë vazhdojnë të qetë të marrin vendime të njëpasnjëshme në mospërputhje me Kodin Zgjedhor, pasi ende nuk është bërë plotësimi i vendeve vakante në komision. Para së gjithash duhet mbajtur parasysh se veprimtaria e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve bazohet në parime ligjshmërie, kolegjialiteti, pavarësie, profesionalizmi, paanësie dhe transparence.
Nga këtu veçojmë një parim të rëndësishëm: kolegjialitetin. Parim që nënkupton se KQZ duhet të funksionojë si një trup i tërë, pavarësisht numrit të votave që kërkohen për marrjen e vendimeve. Për 4 anëtarët "e mbetur" në KQZ është pikërisht neni 24 i Kodit Zgjedhor që i paracakton qartë se nuk mund të marrin asnjë vendim pa u konstituuar plotësisht komisioni. Në pikën 1 të këtij neni sanksionohet shprehimisht se konsiderohen vendime të miratuara, ato votime ku kanë votuar pro jo më pak se pesë anëtarë të KQZ-së. Në fund të dispozitës, ligjvënësi është shprehur qartë përmes një paragrafi ku thotë se: "vendimet e tjera miratohen me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të KQZ-së". Është ky paragraf , që përcakton qartë se KQZ-ja nuk mund të funksionojë pa qenë numri i plotë i anëtarëve të këtij komisioni, pavarësisht sesi votojnë këta anëtarë. Gjithçka tjetër që dëgjohet mbi interpretimin e kësaj dispozite i takon fatkeqësisht vetëm linjës së interesave partiake të secilit prej anëtarëve.
Ligjvënësi i ka dhënë kuptim të qartë dhe të plotë funksionimit të këtij komisioni kur shprehet se, vendimet merren me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të KQZ-së, që me fjalë të tjera do të thotë, se KQZ-ja duhet të jetë e plotë dhe anëtarët e saj duhet të jenë të pranishëm në vendimmarrje që ajo të funksionojë ligjërisht. Por edhe që vendimet e miratuara prej tyre të kenë fuqinë ligjore sipas interpretimit të drejtë që i jep Kodi Zgjedhor. Do të ishte ndryshe nëse do të lejohej shprehimisht funksionimi me 4 apo 5 anëtarë dhe ku ligjvënësi të ishte shprehur se vendimet miratohen me shumicën e votave të anëtarëve të KQZ-së të pranishëm në mbledhje. Kështu që, ndarja e këtij momenti ligjor është mjaft e rëndësishme për të kuptuar mungesën e ligjshmërisë dhe parregullsitë në mënyrën e funksionimit të KQZ-së. Ndaj mund të shpreh me bindje, bazuar në njohjen e mirë të legjislacionit, se të gjitha vendimet e marra nga ky komision deri tani janë në kundërshtim flagrant me Kodin Zgjedhor dhe si të tilla ato duhet të konsiderohen Nul nga Kolegji Zgjedhor, nëse do të kemi një Kolegj të paanshëm dhe në respekt të ligjit.
Funksionimi i këtij komisioni me katër anëtarë krijon një problematikë tjetër që do të haset nëse do të kemi ankime nga ndonjë subjekt zgjedhor në lidhje me parregullsitë ose probleme të tjera që do të konstatohen gjatë procesin e votimit, pasi në këtë rast është e domosdoshme që vendimet e KQZ-së të merren nga shumica e anëtarëve të saj. Në mendimin tim, ky komision, nga dita e parë e dhënies së dorëheqjes nga njëri prej anëtarëve, nuk duhet të funksiononte më. KQZ është i përbërë nga shtatë anëtarë dhe jo nga katër dhe këta zotërinj e dinë mirë që ky komision gjysmak, nuk përfaqëson kërkesat që kërkon ligji për te funksionuar si trup. Ata duhet të tregonin profesionalizëm duke mos hedhur asnjë hap më tej për funksionimin e këtij komisioni deri ne formatimin e plotë të tij, pasi këta zotërinj po krijojnë një precedent të keq, nga i cili do të vijnë pasoja të rënda më vonë. Veçse, nga ana e 4-es së mbetur në KQZ, nuk do harruar se ata janë përgjegjës për mbarëvajtjen e administrimit zgjedhor dhe për këtë është bërë prej tyre betimi përpara Kuvendit, se me demek do të jenë të paanshëm. A mund të besohet paanshmëria e katër anëtarëve të mbetur të KQZ-së, të cilët janë beniaminët e PD-së në atë komision? E keqja është se ata që kanë në dorë formatimin e KQZ-së pas situatës që ndodhi, janë partitë politike kryesore, por kokëfortësia dhe anashkalimi i kësaj situate nga kreu i mazhorancës mund të sjellë probleme madhore. Si qytetar, si njeri i angazhuar në sipërmarrje private, si njohës i administratës së shtetit shqiptar, si aktivist politik por mbi të gjitha si një njeri i ligjit dhe jurisprudencës uroj dhe kërkoj që kjo situatë të zgjidhet sa më shpejt në nder të vendit por edhe atyre që e quajnë veten profesionistë.