Tangat, moda më e fundit e burrave
Të shfaqura në këtë dhjetëvjeçar, tangat janë moda më e fundit nëpër sexy-shop. Tangat u bënë moda e preferuar për femrat e kohës. Mirëpo tangat janë bërë edhe moda më e fundit e burrave që pëlqejnë seksin e njëjtë. Diku në fshatin Pezë thuhet se është parë me tanga një burrë. Nuk ishte një fshatar i asaj zone. –“Ku-ku, nëne”, kukurisnin graria nëpër sokaqe lagjesh. Po kush ishte ai mre? Copëra nga bisedat e gazetave të Tiranës. Ishte një udhëtar i rastësishëm në politikën shqiptare. Kishte ftuar miq në kullën e Babës. Ishin dy deputetë shqiptarë. Kishin mbajtur frymën deri në gurmaz. Nga versioni që ata molloisën për miqtë e tyre ishte se tangat i shkonin shumë atij burri. Dhe ç’lezet, ç’nur për atë Zot? Gjithë ai gjatohul me tanga. Po në ç’dyqan ishin psonisur, me atë madhësi? Versioni më i parë ishte se ishin bërë me porosi diku në Francë, për t’u përdorur në një ishull grek në kohën e zhegut të verës.
Tjetër. Mund të ishin një numër i atyre burrave japonezë që bëjnë atë sportin si të mundjes. Nën vrazhdësinë e fytyrës, ata heshtnin, sepse ndërsa kryetari mbante një ligjëratë se si duhej sjellë opozita lidhur me transparencën, ata e kuptuan mirë se shembull më tipik se kaq nuk duhej se ku të merrnin. Ata u zhdukën në mesnatë ndërsa në mendje ishte fotografuar pamja e njeriut me tanga. Ai kishte disponuar aftësinë e ëndërrimit, se edhe një tjetër qeverisës në Perëndim ishte parë me tanga. Qëkur u hap llafi se diku pranë shtëpisë së Babës ishte parë me brekë grash një burrë ardhës në këtë fshat, lajmi la pa mend burrat e fshatit. Të shkojmë t’ja heqim, se kush tha, dhe t’i veshim brekushe. Ne jemi koshientë mor babë për fatkeqësinë e të marrëve, po ku gjendet ai gjidi? Pyetën shumë. Dikush tha se ishte parë jo këtu, por më larg dhe më thellë. Dikush tha se nuk ishte nga kjo lagje dhe se nuk dinte gjë vallahi-bilahi, por po qe kështu, mos e zëntë sabahu. Përballë një sprove të tillë, u rrëfye pragu ku ishte parë burri me brekë grash. Mua kjo plako më ngjan me kullën e Babës, se kush tha. Ashtu është, por baba ka ikur nga shtrojet në vitet ‘80.
Po i gërryente krimbi i dyshimit. Pa shtjer tek dera? Bam, bam, bam. ç’jeni ju aty?, se kush foli nga kulla. Dil pak poshtë or çun. ç’doni? U hap porta e rëndë. Një burrë nja dy metra i gjatë pyeti prapë: ç’doni? Na fal se edhe natë është, por thonë se kanë parë një burrë këtej me brekë grash. E pastaj ça?, klithi prapë çuni. -Na kemi ardhë me e vesh me brekushe, se Perëndia vërtetë i ka marrë mëndtë, por na kemi detyrë me i dhanë brekushe. Ik or babë, ik u tha burri, se po na detyroni të dalim me grekë grash. U iku fytyra. Ah ç’e hëngrën atë m... Por mos ka dalë gjë moda mor babë dhe ne këtej nuk e dimë? Kushedi thoshte tjetri. Kemi mbetur si ai ushtari japonez që luftonte pa e ditur se lufta kishte mbaruar. Kushedi! Dhëntë Zoti qoftë një ëndërr! Ndriço o Zot këtë skutën tonë të mjerë! Mos o Zot, mos na lër të biem në këtë farë feje. Nesër, tha njëri prej pleqve, do t’i hipi satës e do të shkojë t’i ankohem kryetarit të bashkisë. Duhet të marrë masa shteti, që këtej të mos lëvizin më njerëz me brekë grash. Thonë se strehohen në kullën e babës, por ne me sy s’kemi parë gjë. Thua të jetë ndonjë i marrë i ikur nga çmendina e Vlorës, e ka bërë strehë në kullën e Babës? Ku i dihet. More harrova të të pyes, shton njëri, nëse edhe burrat veshin brekë grash, atëherë do të mbyllen fare dyqanet tona. Po qe kështu more, mos na bie radha edhe neve? Pu-pu-pu. Mos i thuaj gjë plakës... Qoftë një ëndërr dhe kaq. Ishalla s’është nga katundi ynë se na mori lumi. Nesër, mërmëriti më plaku, do të vete te kryetari i bashkisë, t’i ankohem për ata burrat që veshin brekë grash. Nesër, tha, do të vete patjetër. Nuk u thonë më brekë grash... Po çfarë u thonë? Tanga. çfarë? pyeti plaku. Kur isha ushtar, kam parë “Tangoja e fundit në Paris”. Jo tango, por tanga. Por nesër - e vulosi plaku - do të vete se s’bën te kryetari i bashkisë, t’i ankohem për atë burrin që kanë parë në kullën e babës me brekë grash.