Tani edhe Venecia kërkon pavarësi

Dikur ka qenë një prej fuqive më të pasura ekonomike të Evropës, me anijet dhe tregtarët e vet që haseshin në të gjitha anët e Mesdheut. Që nga ajo kohë, ditët e famës së Venecias kanë kaluar, por tani ky vend po e ri-zbulon trashëgiminë e vet dhe po e shqyrton mundësinë e pavarësimit nga Italia.
Ndoshta mund të duket si imagjinatë dhe si një gjë e çuditshme, por lëvizja për pavarësi që po lulëzon me besim të plotë po parashikon se Venecia do të bëhet më parë e pavarur, se sa dy rajonet tjera të Evropës që kanë filluar shtegtimin në rrugën drejtë pavarësisë, Skocia dhe Katalonia.
Është fakt se qyteti ka një pedigre historike-Venecia ka qenë republikë e pavarur për më shumë se 1 mijë vjet. Kjo epokë përfundoi në vitin 1797, kur u pushtua nga ushtria e Napoleonit, i cili shkarkoi doxhin e fundit, udhëheqësin tradicional të Republikës së Venecias.
Tani aktivistët dëshirojnë të formojnë një shtet të ri në verilindje të Italisë, në të cilin do të përfshiheshin Venecia, si dhe rajonet përreth, Veneto, disa pjesë të Lombardisë, Trentino dhe rajoni Friuli-Venezia Giulia, i cili kufizohet me Slloveninë dhe Austrinë.
“Republika Veneta”, me të cilin emër do të njihej shteti i ri, do të përfshinte një territor me 5 milionë banorë.
Shteti do të bazonte në dallimet historike të rajonit me pjesën tjetër të Italisë, duke filluar nga dialekti dalluese, e deri te lidhjet e veta të ngushta me Adriatikun.
Sikurse edhe në Kataloni, kriza ekonomike, e cila ka kapluar Evropën, ka shtuar kundërshtimin e banorëve të Venecias ndaj kontrollit të ushtruar nga qeveria qendrore.
Ngjashëm si Katalonia, rajoni Veneto, në kuadër të së cilit gjendet Venecia, është një pjesë e pasur e Italisë, e cila për një kohë të gjatë është ankuar për shumën e parave, të cilat i paguan në emër të tatimeve qeverisë kombëtare.
Këto tatime vetëm sa janë bërë me të rënda, në momentin kur Roma po tenton të ulë nivelin e borxhit kombëtarë, i cili kap shumën prej 1.9 biliardë euro.
“Recesioni ka goditur rëndë bizneset e vogla dhe të mesme dhe situata ekonomike këtu është vërtetë dëshpëruese”, theksoi Lodovico Pizzati, ish-ekonomist në Bankën Botërore, i cili kryeson partinë e sapoformuar politike pro-pavarësisë, Indepedenza Veneta.
“Prej 70 miliardë eurove, të cilat ja paguajmë në emër të tatimeve Romës, neve në mënyrë direkte dhe indirekte na kthehen 50 miliardë euro. Po humbim nga 20 miliardë euro në vit. Është kjo një shumë e madhe e parave për 5 milionë njerëz”, theksoi Pizzati.
Anketat e fundit kanë dëshmuar për një nivel të lartë të mbështetjes për pavarësinë e Venecies. Një anketë, e bërë muajin e kaluar nga gazeta lokale, Il Gazzettino, dëshmoi se 70 për qind e të anketuarve ishin në favor të pavarësisë. Në shtator, në anketën e bërë nga gazeta Corriere Della Sera, madje 80 për qind e të anketuarve u shprehen në favor të pavarësisë.
Në maj, pak kohë pas formimit të lëvizjes, aktivistët ja dorëzuan një peticion pro-pavarësisë me 20 mijë nënshkrime Luca Zaias, guvernatorit të rajonit Veneto.
Edhe Zaia favorizon pavarësinë, edhe përkundër faktit se ai është anëtar i lëvizjes rivale politike, Liga Veneta, e cila është aleate e Ligës Veriore, një parti e cila që moti ka kërkuar për shkëputjen e gjithë pjesës veriore të Italisë.
Ai theksoi javën e kaluar se “venecianët janë lodhur të qenit skllav të Romës”, duke argumentuar se qeveria qendrore ka injoruar për një kohë të gjatë problemet dhe pakënaqësitë e rajonit.
Përderisa anketat sugjerojnë për një mbështetje të fuqishme për pavarësi, ato duhet të përkthehen tani në atë lloj të mobilizimit masiv, të parë në rrugët e Katalonisë, ku muajin e kaluar më shumë se 1 milionë njerëz morën pjesë në tubimin, në të cilin u kërkua ndarja e rajonit nga Spanja.
Indipendenza Veneta organizoi javën e kaluar një tubim në Venecie, ku kërkoi organizimin urgjent të një referendumi për çështjen e pavarësisë.
Organizatorët theksuan se 2 mijë njerëz morën pjesë në tubim, por policia tha se numri i pjesëmarrësve nuk ishte më i madh se 500.
Çfarëdo lëvizje drejtë pavarësimit të Venecias do të kundërshtohet me ashpërsi nga pjesa tjetër e Italisë, e cila vitin e kaluar kremtoi 150 vjetorin e Risorgimentos, apo ribashkimin e vendit, pas shekujve të tërë nën pushtimin e huaj.
Në të vërtetë, Venecia ju bashkua Italisë në vitin 1866, pesë vjet pas bashkimit të pjesëve tjera të vendit dhe shumë venecianë theksojnë se vendimi për bashkim është marrë nën detyrim.
Çfarëdo hapi i Romës për të bllokuar thirrjet për pavarësi do të jetë shkelje e të drejtës së Venecias për vetëvendosje, thotë Pizzati.
“Kemi përfituar shumë nga ngjarjet në Skoci dhe Kataloni dhe gjërat po lëvizin me shpejtësi”, nënvizoi ai.
(Christian Science Monitor)