Tani i Topit, 1 vit nga njeriu që ka përse të kujtohet
TIRANE
“E sigurt është që ai do të qëndrojë mes nesh, për arsyen e thjeshtë se kemi shumë se çfarë të kujtojmë prej tij, secili prej nesh dhe të gjithë bashkë, në planin personal dhe atë profesional...”. Kjo ishte një nga dedikimet e të afërmve, miqve e bashkëpunëtorëve në përkujtimoren e njëvjetorit të vdekjes së Dritan Hoxhës, Presidentit të “Top Medias”, një takim që u zhvillua dje paradite në ambientet e televizionit Top Channel. Të afërm, bashkëpunëtorë dhe miq të shumtë të pranishëm, përmes mikrofonit, kujtuan edhe njëherë deri në përlotje Tanin e Topit, njeriun që me aftësitë e kurajën e pabesueshme arriti që pothuaj nga hiçi të ngrinte, veç të tjerave, një perandori mediatike. “Ndarja nga jeta e prekshme e Tanit, krijuesit të revolucionit teknologjik në median shqiptare, ishte, vazhdon të jetë, e me gjasë do të vazhdojë të jetë një peshë e madhe për t’u mbajtur, edhe në të ardhmen...”, ishte një nga definicionet e artikuluara nga ata që morën fjalën. Folës të ndryshëm risollën në këtë takim kujtime nga më të ndryshmet, risollën Tanin e vogël, jetim, rritur në Laprakë, risollën Tanin emigrant në Itali, rikthimin, krijimin e familjes, lindjen e vajzës së parë, emrin e së cilës do të merrte biznesi i parë fitimprurës i kafesë, lindjen e vajzës së dytë në një ditë me lindjen e “Top Albania Radio” e kështu me radhë. Të tjerë miq, mes tyre emra të njohur të artit dhe ekranit, sollën kujtime të kontakteve me Tanin e Topit, dhe që të gjithë vlerësuan energjitë e tij, synimin e pakthyeshëm për të bërë më të mirën, me anë të teknologjisë më të fundit, me anë të ideve më të fundit të shkencës. “Sot Dritan Hoxha është i gjallë, është mes nesh, pasi ne kemi para syve, të prekshme, veprën e tij”, ishte një nga fjalitë përmbyllëse.
Vjollca Hoxha: Ëndrra e Tanit vazhdon të jetojë
Bashkëshortja e Tanit, nëna e katër fëmijëve të mrekullueshëm dhe njëkohësisht partnerja e durueshme dhe këshilltarja e urtë, e matur, është njeriu më i dëmtuar nga humbja e një viti më parë. Gjithsesi ajo gjen forca të falënderojë pjesëmarrësit në këtë përkujtimore si dhe të sjellë kujtime për bashkëshortin e humbur. “Ëndrra e Tanit vazhdon”, ishte konstatimi që Vjollca shprehu si bindje për vazhdimësinë e suksesshme të ideve të bashkëshortit të saj. “Faleminderit të gjithëve që jeni sot këtu, edhe atyre që nuk mundën të jenë, por që me mendje e zemër janë në këtë takim përkujtimor për Tanin. Edhe pse një vit më pas, ky mbetet një moment i vështirë. Nuk ka qenë e lehtë për të gjithë ne. Dimensioni publik i figurës së Tanit u pa qartë vetëm pas ikjes së tij. Nuk është e lehtë të mbushësh boshllëkun e krijuar, energjinë dhe dimensionet e themeluesit të Top Medias. Kur Tani mbushi dyzet vjet në tetor, iu drejtova të gjithëve, me fjalët se: “Ëndrra vazhdon”. Shtatë muaj më vonë dhe një vit pas ikjes, të gjithë e dimë, e shohim dhe e ndjejmë se kjo është e vërtetë dhe kështu do të jetë gjithmonë...”
Veton Surroi: Tani e kuptoj se Kosova s’ishte shumë larg
Në ceremoninë e djeshme ka marrë pjesë edhe një prej miqve të tij më të mëdhenj në Prishtinë të Dritan Hoxhës, Veton Surroi. I kursyer në fjalë, por jo në ndjenja, Surroi vlerësoi punën e Top Channel nën drejtimin e Presidentit Hoxha si “kontributorët e parë të hapjes së shoqërisë kosovare dhe promovimit të vlerave të saj kulturore, shoqërore dhe politike”. Ja disa pjesë nga fjala e Surroit: “Kosova ishte dhimbja e madhe e Tanit. I rritur me ndjenja patriotike në familjen e tij, ku ruhej një tjetër plagë, ajo e Çamërisë, ai ishte i pari që kuptoi se Kosova nuk ishte larg sa kujtonim. Një nga kontributorët e parë të hapjes së shoqërisë kosovare dhe promovimit të vlerave të saj kulturore, shoqërore dhe politike, sot Kosova e kujton atë me dashuri, siç e qau me lot e vaje humbjen e tij, një vit më parë, me solidarizimin e mijëra e mijërave kosovarëve, nga politikanë e deri njerëz të thjeshtë”.
Xhunga: Kujtova se Tani do i merrte të gjitha me vete
“Humbja e Dritan Hoxhës ishte një humbje e madhe për gjithë median shqiptare dhe sigurisht më shumë për vetë punonjësit e Top Channel, me të cilët ai komunikonte më shumë si shok se sa si pronar”. Një përkushtim në këtë ceremoni ka formuluar edhe gazetarja e njohur e emisionit “Shqip”, Rudina Xhunga. “Faleminderit që kam mundësi të them diçka për Tanin dhe ’Top Channel’, duke iu kërkuar ndjesë për të gjitha emocionet. Mendoja se do t’i kisha kaluar një vit më parë. Nuk qenka e thënë. Një vit më parë kur fola për Tanin isha shumë e emocionuar. Në fakt isha më shumë e frikësuar. Për një kohë të gjatë pasi Tani iku më ngjante sikur binte tërmet... Kur Tani iku mendova se do merrte të gjitha me vete këto, prandaj u frikësova. Por gjatë një viti pa të erdhi “E Diella’, erdhi “Big Brother 2”, “Portokallia”, surpriza të tjera nga “Fiks Fare”, vazhduan lajmet korrekte dhe debatet e paanshme në “Top Channel”. Dhe unë nisa të kuptoj përveçse të jem e emocionuar, diçka që Tani ma mësoi pas ikjes së tij me ikjen e tij: Për njeriun ndonjëherë është fat të ketë në krah njeriun e duhur...”
Biks Aliu: Tani ishte vizionar, mund të shikonte të ardhmen
Biks Aliu, drejtori i Marrëdhënieve me Publikun i ambasadës së Shteteve të Bashkuara, një nga miqtë e shumtë të Dritan Hoxhës, dhe njëkohësisht dëgjues i pasionuar i ideve të Presidentit të “Top Medias”, ishte një nga të pranishmit që vlerësoi edhe njëherë mikun e vet të humbur në përvjetorin e parë të vdekjes. “Ai ishte një vizionar, mund të shikonte të ardhmen”, ishte një nga fjalitë e Aliut. Më poshtë pjesë nga fjala e tij. “Është një nder për mua, që të jem sot në këtë ceremoni... Janë pikërisht njerëz si Dritani, që kanë ndryshuar kombe dhe botën. Unë nuk kam qenë këtu që të njihesha me të dhe të shihja ndryshimet, por shumë miq të mi shqiptarë më thonë që Shqipëria është një vend ndryshe sot, edhe falë punës së palodhur të Dritanit... Nuk është aspak e vështirë të shohësh që dashuria e Dritanit për Shqipërinë e shtyu atë dhe ekipin e tij të arrinte maja, të cilat mendoheshin të paarritshme. Kush mund të mendonte që Shqipëria do të bëhej udhëheqëse në rajon, për teknologjinë e medias... do ta mbyll duke cituar fjalë që iu atribuuan një prej themeluesve më të mëdhenj në Shtetet e Bashkuara të stacionit ABC, David Sarnof. Ai shpesh quhej vizionar, sepse kishte një aftësi të veçantë, që të mund të shikonte të ardhmen. Mendoj që fjala vizionar është fjala më e mirë që përshkruan zotin Hoxha”.
Milkani: Tani lëshoi në det një anije që nuk mbytet
Kineasti dhe regjisori i mirënjohur, Pirro Milkani, krijues i kryeveprave të kinemasë dhe ekranit, i cili po punon për një dokumentar që ia kërkoi Dritan Hoxha, ishte i pari që mori fjalën në këtë përvjetor. “Në ambientet e Top Channel, m’u duk sikur nuk isha në Shqipëri, por jashtë saj. Tani lëshoi në det një anije që s’mbytet, e lëshoi në duar profesionistësh”, ishin disa nga përshtypjet e Milkanit. Më poshtë fjala e tij.
“Para gjashtë vitesh, krejt rastësisht, me Gjergj Xhuvanin dhe me producentin francez Paskal Jodelevic, pata rastin të vizitoj për herë të parë ‘Top Channel’, televizionin më të ri shqiptar... Në përfundim të vizitës ai më pyeti se çfarë mendoja për atë që pashë. Unë i thashë se doja të dija se çfarë mendonte ai dhe m’u përgjigj: M’u duk sikur nuk isha në Shqipëri... Atë ditë të kaluar, atë të ditë të zezë kur Tani u nda nga ne, edhe ju besoj se nuk keni parë ndonjëherë varrim më madhështor. Aq shumë lule u hodhën mbi arkivolin e atij njeriu që u largua prej nesh para pak kohësh. Të nesërmen, edhe mua si shumë të tjerëve më lindi pyetja: Po tani, çfarë do të bëhet me “Top Channel”? Pas një viti, sigurisht edhe shumë më shpejt, e kuptova se ky njeri ishte si një konstruktor i një anije transoqeanike që e ndërtoi vet dhe vendosi ta drejtojë po vetë. Sot e dimë që atë anije ai e lëshoi në det, duke pasur një ekuipazh profesionistësh të shkëlqyer...”.
Edmond Leka: Tani rendte më shpejt se të tjerët
Edmond Leka, një nga bashkëpunëtorët në biznes të Dritan Hoxhës, e përkujtoi mikun e tij si një “njeri që synonte të ishte i pari, njeri që dinte të ishte vetëm i pari, njeri që nuk kënaqej të ishte vetëm i pari...”. Ja disa pjesë nga fjala e Lekës. “Është një privilegj, që në këtë ceremoni përkujtimore për Dritan Hoxhën t’ju drejtohem si një bashkëpunëtor i tij në biznes... Tani që unë njoha ishte një lider i lindur, një njeri që synonte të ishte i pari, njeri që dinte të ishte vetëm i pari, njeri që nuk kënaqej të ishte vetëm i pari. Një sipërmarrës vizionar e i talentuar, ai ideoi, krijoi, realizoi në jetë “Lori Caffe”, “Top Albania Radio”, “Top Channel”, “Digitalb”... Tani që unë njoha ishte një njeri i dashuruar me punën, i dashuruar me atë që krijonte. Ai nuk ngopej me perfeksionin e asaj që krijonte. Tani i bënte edhe bashkëpunëtorët e tij të dashuronin krijesën e tyre. Tani nuk kishte punonjës, kishte bashkëpunëtorë që dashuronin punën e tyre po aq sa i vetë... Tani ishte një vrapues i pandalur. Nuk arrinte të gëzonte suksesin e parë të tij. Ai kishte një sfidë tjetër dhe e bëri këtë moto të jetës së tij. Një vrapues i palodhur që rendte më shpejt se të tjerët. Respekt përjetë për Tan Hoxhën!”