E Diel, 1 Nëntor 2026

Uji i ndotur, rrezik epidemie për banorët e Shkodrës

 

SHKODER/ RIDVAN DIBRA

Familjet që jetojnë në zonën e stacioni të trenit në Shkodër rrezikojnë të marrin infeksione të ndryshme, si pasojë e ujit të ndotur që ata konsumojnë. Problemet e kanalizimeve të ujërave të bardha dhe ato të zeza janë evidente prej gati dy dekadash, por veç premtimeve elektorale, banorët e lagjes "Skënderbej" nuk kanë parë asnjë investim konkret. Ata janë zhvendosur gjatë viteve '90 nga zonat e thella të Shkodrës në kërkim të një jete më të mirë. Por tashmë janë të detyruar të vuajnë ujin e ndotur e pasojat e saj. Në spitalin e Shkodrës janë të shumta rastet kur fëmijë të kësaj zone shtrohen për shkak të infeksioneve të ndryshme. Nisur nga situata e krijuar, një përfaqësi e banorëve të kësaj lagjeje i është drejtuar bashkisë duke kërkuar zgjidhjen e problemeve të tyre. Sipas banorëve, prej disa muajsh, në të gjitha shtëpitë që janë afër magazinave të mallrave te stacioni i trenit, uji është  i ndotur plotësisht, me erë të keqe dhe ngjyrë. Ata janë të detyruar që të ziejnë dhe më pas ta përdorin atë. Ndërsa blerja e ujit të pijshëm është privilegj i një numri shumë të vogël familjesh, pasi shumica prej tyre jetojnë në varfëri ekstreme. Njëri prej banorëve, 57-vjeçari Mark Kodra u shpreh se: "Jemi që në fillim të '90-ës në këtë zonë. Na është premtuar nëpër fushata elektorale integrimi me pjesën tjetër të qytetit, por realisht nuk është bërë asgjë". Banorët i kërkojnë bashkisë që të ndërhyjë në zgjidhjen e kësaj situate, pasi kjo zonë rrezikohet të preket nga sëmundje të ndryshme. Ata kërkojnë gjithashtu që Drejtoria e Shëndetit Publik të bëjë kontrollin e ujit për të përcaktuar shkallën e ndotjes. Në lidhje me këtë problem, përfaqësues të Bashkisë së Shkodrës pranojnë se banorët e lagjes "Skënderbej" po përballen me probleme serioze. Sipas specialistëve të ujësjellësit, situata zgjidhet me një investim të plotë në këtë zonë informale ku krahas rrjetit të ujit të pijshëm do të bëhet edhe sistemimi i rrjetit të ujërave të bardha dhe të zeza, por ky investim kërkon financime të mëdha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›