Fatmir Xhindi, bie pista e pronave
Trazhgim Sokolaj
Konfliktet e pronësisë duket se nuk kanë qenë shkak për vrasjen e deputetit të Partisë Socialiste në Fier, Fatmir Xhindi, i cili u ekzekutua me breshëri armësh në oborrin e shtëpisë së tij në Roskovec, mbrëmjen e 2 majit 2009. Për disa ditë me radhë, prokurorët e Krimeve të Rënda verifikuan çdo dokument në lidhje me pronat e deputetit. Grupi i hetimit rrëmoi në arkivat e Hipotekës, në Bashkinë e qytetit të Fierit dhe në organet e pushtetit lokal në Roskovec. Pista e konflikteve të pronësisë ishte një nga variantet më të forta të hetimit në ditët e para pas ngjarjes së rëndë. Megjithatë kur kanë kaluar më shumë se 20 ditë nga vrasja e deputetit 49-vjeçar, burime të konfirmuara të hetimit thonë se deri më tani nuk ka asnjë fakt që e lidh ngjarjen me konflikte apo mosmarrëveshje pronësie. “Është verifikuar gjithçka me hollësi në këtë drejtim, është analizuar çdo dokument. Janë marrë në pyetje dhjetëra persona, të cilëve u janë kërkuar sqarime për ndonjë pretendim apo mosmarrëveshje pronësie”, thanë burimet nga hetimi. Sipas tyre, as nga dokumentet dhe as nga dëshmitarët, nuk janë konstatuar mosmarrëveshje të deputetit për shkak të pronave të tij. Kjo pistë ishte nga të parat që u ngritën pas ngjarjes ende misterioze që i mori jetën Fatmir Xhindit. Deputeti i PS-së zotëronte disa dynymë toka me ullishte në fshatin e lindjes, Kurjan. Sipërfaqet në fjalë ishin ndarë mbi bazën e ligjit “7501”, ndërsa grupi hetimor i vrasjes verifikoi mënyrën si ishin përfituar pronat në fjalë. Duke iu referuar këqyrjes së të gjitha dokumenteve që i përkasin pronave të deputetit, hetuesit thonë se Fatmir Xhindi kishte dhjetë vjet që kishte përvetësuar asetet që kishte në zotërim. “Gjatë gjithë kësaj kohe deputeti Xhindi nuk ka pasur mosmarrëveshje apo përplasje me persona të tjerë lidhur me pronat”, thanë më tej burimet hetimore. Nga ana tjetër, burime të Prokurorisë konfirmojnë se kanë mbajtur kontakte të vazhdueshme me familjarët e Fatmir Xhindit për çdo të re nga hetimi i çështjes.
Dy pista në hetim
Ezaurimi i pistës së konflikteve të mundshme të pronësisë duket se ka krijuar më shumë mundësi për grupin e hetimit për verifikimin e versioneve të tjera të ngjarjes. Sipas burimeve zyrtare të akuzës, pistat që po hetohen aktualisht lidhen me cilësitë e veçanta të Fatmir Xhindit, si deputet i Kuvendit të Shqipërisë si dhe me konflikte apo mosmarrëveshje personale. Mundësia e vrasjes për cilësi të veçanta apo për shkak të detyrës ishte një pistë e ngritur që në fillim, ndërsa duket se grupi i hetimit vazhdon të mbledhë prova e dëshmi në këtë drejtim. Ndërsa pista e dytë, e cila po hetohet, ajo për konflikte a mosmarrëveshje personale të deputetit, duket më e vështirë. Hetuesit dyshojnë se nëse ka pasur probleme të tilla personale të deputetit, verifikimi i tyre paraqitet i vështirë, pasi ekziston mundësia që në dijeni të tyre të jetë një rreth i ngushtë personash, ndërsa duket se nga shumica e dëshmitarëve ka një hezitim për të dhënë deklarime në ndihmë të zbardhjes së ngjarjes.
Akuza: Bëmë maksimumin në vendin e ngjarjes
Hetimi “pengohet” nga hezitimi i banorëve për të dhënë dëshmitë
TIRANE – Atentati që i mori jetën deputetit Fatmir Xhindi angazhoi policinë dhe prokurorinë në kryerjen e qindra veprimeve hetimore, me qëllim zbulimin e autorëve të ngjarjes. Zyrtarët e hetimit thonë se megjithëse është kryer një numër i madh veprimesh, hetimi është ende i papërqendruar në persona konkretë të dyshuar. Duke filluar që nga këqyrja e vendit të ngjarjes, më pas grumbullimi i informacioneve operative e duke vazhduar me shoqërime masive të personave me dijeni në qytezën e Roskovecit dhe në fshatin Kurjan, Prokuroria thotë se ka bërë maksimumin për zbardhjen e ngjarjes. Duke iu referuar faktit se skena ku ndodhi krimi ishte prekur në momentin e mbërritjes së policisë dhe prokurorëve, pasi familjarët kishin marrë deputetin e vrarë dhe ishin nisur për në spitalin e Fierit, zyrtarët e hetimit thonë se këqyrja dhe administrimi i vendit të ngjarjes është bërë me kujdesin maksimal për të gjetur çdo provë dhe çdo fakt. Ajo çka duket se nuk ka qenë në ndihmë të hetimeve ka qenë hezitimi i disa banorëve të zonës dhe dëshmitarëve, të cilët janë treguar të rezervuar në pohimin e të dhënave që mund të ndihmonin zbardhjen e ngjarjes. tr.so
Apeli i familjes Xhindi
Familjarët dhe të afërmit e deputetit të vrarë Fatmir Xhindi bënë apel pak ditë më parë për zbardhjen e ngjarjes sa më shpejt. Ata janë treguar të kujdesshëm në dhënien e versioneve për shkakun e krimit, duke pohuar se duan ta mësojnë edhe ata arsyen e fatkeqësisë që u ka ndodhur në prag të shtëpisë. Megjithatë përtej deklaratave publike në media, mësohet se anëtarët e familjes së Fatmir Xhindit, gjatë seancave të marrjes në pyetje nga grupi i hetimit, kanë hedhur dyshimet e tyre se ngjarja ka pasur lidhje me detyrën e 49-vjeçarit si deputet i Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë.