E Diel, 1 Nëntor 2026

Tanja Fajon: Luftoni abuzuesit me vizat ose rrezikoni lëvizjen e lirë

Share

Tanja Fajon, eurodeputetja sllovene- njëherësh lobistja më e fortë në Parlamentin Europian për heqjen e vizave për Shqipërinë dhe Maqedoninë, flet ekskluzivisht për portalin Shqipmedia rreth mundësisë së rikthimit të vizave për Maqedoninë si dhe përgjigjet në pyetje të ndryshme rreth situatës politike në Maqedoni, çështjen e lirisë së mediave, flet edhe për jetën e saj, për peripecitë gjatë ushtrimit të profesionit, për paragjykimet që ekzistojnë për popullin shqiptar në Evropë etj.

Intervistoi: Enisa Bajrami Shqipmedia

Znj Fajon, vetëm disa ditë më parë ju keni pohuar që vendet e Ballkanit Perëndimor po rrezikojnë kthimin e regjimit të vizave. Sa shqetësuese duhet të jenë paralajmërimet tuaja?

Ka disa shifra shqetësuese të azilkërkuesve të rremë që po paraqiten në disa prej shteteve anëtare të BE-së. Në të kaluarën kemi përjetuar valë të ndryshme të njerëzve që vijnë nëpër konsullata në Belgjikë, Luksemburg, Suedi, duke kërkuar azil. Të gjitha vendet (5 shtetet) e Ballkanit Perëndimor kanë përmbushur kriteret për regjim pa viza, që ishin shumë kritere në fakt, qeveritë kanë marrë masa shumë të rëndësishme kundër abuzimeve të sistemit dhe të fushatës informuese. Tani është e nevojshme të vazhdohet me implementimin, ti bashkojmë të gjitha përpjekjet dhe të luftojmë kundër atyre abuzuesve të këtij sistemi, të cilët mund të rrezikojnë udhëtimin e lirë të gjithë qytetarëve të tjerë nga çdo vend. Unë sinqerisht shpresoj që qytetarët e Ballkanit Perëndimor mos të jenë përsëri në pozitë për të kërkuar viza që të udhëtojnë në BE.

Jeta juaj është shumë e lidhur me gazetarinë, prandaj sinqerisht besoj se ju e vlerësoni punën e gazetarisë. Në Maqedoni, ashtu si në shumicën e vendeve të Ballkanit, mediat nuk janë të lira të shprehin atë që në të vërtetë mendojnë apo zbulojnë, për shkak se janë të frikësuar nga sanksionet e qeverisë. Zinxhir me i madh i mediave në Maqedoni u mbyll nga qeveria një vit më parë. Si e shihni ju të ardhmen e medieve në Ballkan?

Kjo nuk vlen vetëm për Maqedoninë, liria e mediave në Ballkanin Perëndimor është një problem i përgjithshëm. Liria e shtypit dhe pluralizmi i medias është një bazë esenciale për çdo shoqëri demokratike. Unë jam njohur me rastin e këtij stacioni televiziv dhe kohët e fundit po dëgjoj ankesat të shumta dhe raste të shkeljeve në fushën e lirisë së medias që vjen nga Maqedonia. Në nëntor, Grupi Ndërkombëtar për lirinë e shprehjes, bashkë me organizata të ndryshme, u takua me përfaqësuesit e qeverisë, parlamentit, shoqërisë civile, shoqatat e gazetarisë dhe zhvillimin e organizatave të mediave si dhe gazetarë individual. Unë jam me të vërtetë e shqetësuar me konstatimet e tyre për gjendjen e lirisë së shprehjes dhe lirisë së medieve në Maqedoni dhe me konstatimet në raportin e 2011 për përparim nga BE-ja për Maqedoninë në lidhje me lirinë e medias dhe ato të Përfaqësueses të Posaçëm për Lirinë e Medias nga OSBE. Unë e mirëpres dhe e mbështes qeverinë për formimin e grupit punues për media, që buron nga momenti i përkeqësimit të lirisë së mediave gjatë vitit të kaluar në Maqedoni. Por kjo nismë është e vonuar dhe nuk duhet të jetë zëvendësim për reforma të thella në kuadrin ligjor dhe të politikave në media si dhe ne vetë-rregullimin dhe solidaritetin brenda profesionit.

Ju jeni shpallur Qytetare nderi në qytetin e Tiranës. Si ishte kjo ndjenjë?

Sinqerisht shumë mirë! Unë e shoh se çfarë domethënie ka puna që bëjmë tek populli i Shqipërisë, kështu që në një mënyrë kjo më bën të lumtur. Ne dhamë disa rezultate të sinqerta tek qytetarët e Shqipërisë dhe vendi im Sllovenia ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm, po ashtu. Shpërblime të tilla nuk janë dhe aq të rëndësishme për mua. Shpërblimi më i madh është të shoh njerëz të qeshur dhe të kënaqur. Jam e bindur që kjo situatë ka rëndësi të madhe, sidomos për të rinjtë shqiptarë.

Çfarë pëlqeni më së shumti në Shqipëri dhe tek shqiptarët?

Në Evropë, shumë njerëz ende kanë shumë paragjykime mbi popullin shqiptar. Unë besoj se është shumë gabim ky perceptim. Kam takuar shumë të rinj, njerëz me mendje të hapur dhe inteligjentë. Ata e meritojnë një shans. Shqipëria ishte për kohë tepër të gjatë vendi më i izoluar. Tani është koha e duhur të ndryshojnë këto paragjykime. Shqipëria ka qenë gjithmonë dhe është pjesë e Evropës. Më pëlqen pasioni i njerëzve për të vërtetuar se ata janë po aq të mirë. Për fat të keq, ende shumë shpesh emocionet shpërthejnë në luftë verbale. Kjo duhet të ndalet. Shqipëria duhet të provojë se është vend i pjekur dhe të përkushtohet në rrugën e saj evropiane, e cila për mua është e vetmja rrugë e drejtë për vendin.

Si e përballoni udhëtimin në mes Lubjanës-Brukselit-Strasburgut?

Së pari, unë e dua punën time, kështu që nuk është aq i rëndë përballimi. Nëse ju pëlqen ajo që ju bëni atëherë nuk është e vështirë. E pra, mund të lodheni nga gjitha udhëtimet brenda një jave, dhe unë më së shumti punoj kur udhëtoj, por unë e pëlqej këtë. Fundjavat i kaloj më së shumti në Slloveni, duke punuar në zonat e mia në Lubjanë, por është e vërtetë që të gjitha këto udhëtime mund të jetë rraskapitëse. Ne udhëtojmë në Strasburg, në selinë e Parlamentit Evropian çdo muaj dhe ajo konsiderohet një javë e çmendur. Unë do preferoja nëse PE do të kishte vetëm një kryeqendër, atë në Bruksel dhe jo aq shumë për shkak të udhëtimeve çdo muaj për në Strasburg, por më shumë për shkak për të shpëtuar nga taksat dhe nga dioksidi i karbonit po ashtu. Gjithashtu logjikisht do të ishte shumë më e lehtë nëse do të kishte vetëm një kryeqendër të PE.

Ju keni një karrierë shume të suksesshme dhe të mahnitshme dhe jeni shumë e re në moshë. Cila do të ishte këshilla juaj për të rinjtë, sidomos për femrat, se si të arrijnë sukses?

Faleminderit për komplimentet. Unë thjesht mendoj se ju duhet të bëni atë që ju pëlqen të bëni dhe atë që ju besoni. Nëse ju bëni punën tuaj me dashuri dhe arsyen e drejtë, atëherë nuk mund të dështoni. Dihet se ju merr kohë, por nëse ju bëni përpjekje për të bërë punën sa më mirë, suksesi vjen vetë. Unë ndjek instinktet e mia dhe njerëzit thonë që gratë kanë instinkte të mira. Në rastin tim kjo funksionon. Unë do të doja të inkurajoja të gjitha femrat që të mos kenë frikë, ne kemi nevojë të jemi të forta, sepse ende ka shumë burra në pozita udhëheqëse. Kjo është një sfidë e madhe për të mësuar çdo ditë dhe një kënaqësi e madhe për të parë disa rezultate konkrete.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›