E Diel, 1 Nëntor 2026

INTERVISTA/ Alfred Moisiu: Sulmet ndaj kreut të shtetit tregojnë tendenca tribale

Share

Një këndvështrim për politikën, ngjarjet dhe aktorët politikë dhe pasardhësin e tij. Ish-presidenti Alfred Moisiu flet për gazetën Tema, duke ndarë qëndrimin e tij për marrëveshjen e fundit politike mes dy krahëve të politikës, sa premtuese ashtë ajo si dhe për garën e hapur herët për zëvendësimin e Presidentit aktual Bamir Topi. Zoti Moisiu thotë se në një vend demokratik krerët e institucioneve duhen respektuar si të tillë sa kohë janë në detyrë, duke i cilësuar më tej si tendenca tribale sulmet ndaj kreut aktual të shtetit. Kryeministrin e respektoj si kryetar i qeverisë, Ramën si kryetar i opozitës, ndërsa Presidentin Topi si Kryetar i Shtetit. Nuk i quaj aspak të drejta sulmet ndaj Kryetarit të Shtetit dhe për këtë jam shprehur në vazhdimësi. Ato tregojnë mungesën e konceptit kushtetues të një shteti të vërtetë ligjor dhe predominancën e tendencave tribale tek ne. Ndarja e pushteteve është tepër e rëndësishme dhe duhet respektuar. Me këtë duhet të mësohemi si duhet, nëse duam një demokraci europiane dhe synojmë me të vërtetë integrimin europian, thotë Presidenti Moisiu. Ai rezervohet të japë opinion të plotë mbi mundësitë e Fatos Nanos për tu bërë president dhe pse quan të ligjshme ambicien e tij. Zoti Moisiu, i vetmi president i zgjedhur në mënyrë konsensuale, bën përgjegjës politikanët për tranzicionin e zgjatur të vendit dhe në këtë prizëm kërkon që të shohë rezultate nga marrëveshja e fundit. Kushtetuta është një tjetër çështje për të cilën ai së fundmi mblodhi dhjetëra ekspertë të huaj dhe vendas. Megjithëse e vlerëson si një dokument me të cilin nuk duhet të luhet, ish-presidenti thotë se mënyra e zgjedhjes së kreut të shtetit nuk është e denjë, ai duhet të zgjidhet nga populli.

Intervistoi: Blerina Gjoka

Fondacioni Moisiu organizoi një konferencë për ndryshimet në Kushtetutë, çfarë opinioni u krijua nga kjo konferencë dhe a prisni që ky opinion i ekspertëve të fushës të ketë impakt tek politika?

Jo, konferenca e organizuar nuk iu kushtua ndryshimeve në Kushtetutë, por kishte si qëllim kryesor që të bëhej një reflektim i përgjithshëm për 13 vitet, kohë nga hartimi i Kushtetutës së miratuar në referendumin e vitit 1998. Pikësynimi ynë ishte ballafaqimi i saj me realitetin aktual në vendin tonë si dhe sfidat e ardhshme kushtetuese ligjore. Pra, më konkretisht paraqitëm publikisht mendimet tona sesi është trajtuar dhe sa është respektuar aktualisht Kushtetuta. Duhet thënë se Kushtetuta e vitit 1998 me të drejtë është konsideruar si një nga Kushtetutat më të mira të vendeve të reja demokratike. Por realisht ajo është trajtuar më shumë si një mburojë e përçudnimit të politikës shtetformuese shqiptare gjatë këtyre 13 viteve. Pjesëmarrës aktiv në këtë konferencë ishin nga zërat më të njohur të ekspertëve shqiptarë dhe të huaj për problemet kushtetuese dhe ligjore. Në të u trajtua gjendja reale e zbatimit të Kushtetutës, përsa i përket problemeve kyçe në një vend demokratik, sikurse jemi edhe ne. Mendimet dhe diskutimet u përqendruan sidomos në ndarjen dhe balancën midis pushteteve si dhe ruajtja reale e saj. Në respektimin e institucionit të Presidentit, në rritjen dhe rolin e vërtetë që duhet të ketë Kuvendi i Shqipërisë në përformancën kushtetuese-ligjore. Në Konferencë u ngrit shqetësimi për zgjedhjen e Presidentit, u dhanë mendime se nisur nga përvoja negative e deritanishme do të ishte më racionale zgjedhja e tij nga populli. Vëmendje ju kushtua rolit dhe funksionimit të prokurorisë në vendin tonë. Po kështu në Konferencë u fol edhe për rolin vendimtar të drejtësisë kushtetuese, arritjet dhe sfidat në procesin e reformimit të Pushtetit Gjyqësor sipas standardeve perëndimore, si dhe mbi përsosjen e administrimit zgjedhor.

Kurse përsa i përket pyetjes tuaj për impaktin, do të thosha se trishtohem kur shikoj politikanët tanë që, përsa i përket zhvillimeve të ndryshme dhe në radhë të parë atyre kushtetueso-ligjore, e konsiderojnë veten e tyre specialistë për gjithçka, tamam sikurse  ndodh në vendet diktatoriale. Të gjitha shkeljet e Kushtetutës dhe të ligjeve, zanafillën e tyre e kanë tek mungesa e kulturës ligjore e politikanëve dhe tek servilizmi i disa ekspertëve ligjore që kur u kërkohet mendimi si specialist, më shumë përpiqen të gjejnë hapësira ligjore sesi mund të mbështetet dëshira e shefit dhe jo si të ruhet e të zbatohet Kushtetuta dhe ligjet. Është për të ardhur keq sepse tek ne ende mungon kultura e vlerësimit të shoqërisë civile, për pasojë mendimet që paraqiten prej saj as që merren në konsideratë. Kështu politika i atribuon të drejtën vetes për të bërë gjithçka, pavarësisht se çfarë mendojnë shtetasit dhe inteligjenca. Eksperti i njohur anglez, Profesor Vernon Bogdanor, i cili dërgoi për konferencën një shkrim të posaçëm, duke folur për shoqërinë civile thotë se: Në çdo demokraci ekziston nevoja dhe vendi për një element të tretë përveç qeverisjes efektive dhe përfaqësuese. Ky element i tretë është rëndësia e mendimit të informuar dhe ekspert të opinionit publik për politik-bërjen. Fenomeni i nënvleftësimit të mendimit që jep shoqëria civile tek ne ndodh jo vetëm për ta dekurajuar por edhe për të dhënë mesazhin se vetëm politikanët kanë të drejtë të vendosin për gjithçka. Pra me këtë desha të them se tek ne ende duhet shumë punë për të arritur në vlerësimin e shoqërisë civile si pjesë e rëndësishme dhe shumë e domosdoshme në zhvillimin e shëndoshë demokratik. Megjithatë ne nuk tërhiqemi edhe në këto kushte do vazhdojmë punën tonë si qytetarë të këtij vendi.

Pse ndryshime në Kushtetutë sërish, aq shpejt pas ndryshimeve të vitit 2008? A ekziston frika se ligji themeltar i vendit të kthehet në një ligj të zakonshëm të cilit mund ti bësh arnime sa herë shihet e mundur?

Pikërisht ky do të ishte një rrezik i madh për çdo vend dhe jo më për një demokraci të brishtë si kjo e jona. Është konsideruar nga të gjithë, bile edhe nga një pjesë e atyre që ranë dakord me këto ndryshime të vitit 2008, që ishte një gabim ajo që ndodhi. Kushtetuta nuk është tabu, por çdo ndryshim i saj duhet peshuar mirë dhe duhet diskutuar gjerësisht, nuk mund të bëhen ndryshime të rëndësishme dhe rrënjësore brenda natës, vetëm duke u nisur nga disa llogari të veçanta politike. Kushtetuta është një kontratë midis popullit dhe politikës, dhe kjo e fundit nuk mund të ketë të drejtë të bëjë në të ndryshime pa u konsultuar me sovranin, sikurse disa politikanë kanë dëshirë ta quajnë, kur i duhet të ledhatojnë popullin e tyre. Pra, në Konferencë u shfaq fuqishëm mendimi se me Kushtetutën nuk duhet luajtur, përkundrazi shqetësimi është sesi Kushtetuta dhe ligjet të ndikojnë në forcimin e pavarësisë dhe integritetit të institucioneve të pavarura kushtetuese. Kjo edhe për faktin, që palët politike po ecin në drejtim të kundërt, në kontrollin politik ose balancimin politik të tyre. E vërejtur si një tendencë shumë e rrezikshme për çdo vend demokratik aq më tepër për ne që kemi vetëm 21 vjet demokra

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›