E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tanja Fajon në lokalin me emrin e saj

TIRANE-Europarlamentarja sllovene Tanja Fajon, e cila luajti një rolin të rëndësishëm në procesin e liberalizimit të vizave për Shqipërinë, ka zhvilluar mbrëmjen e djeshme një vizitë “blitz” në Tiranë. Bëhet fjalë për një vizitë tërësisht private dhe të paparalajmëruar që është zhvilluar në fshehtësi të plotë larg vëmendjes së medias. Në fokus ka qenë pikërisht lokali më i fundit i ndërtuar në Tiranë me emrin e saj, ku znj.Fajon, e shoqëruar nga personeli i ambasadës sllovene dhe disa gazetarë, ka qëndruar për gati 1 orë e 30 minuta. Në një intervistë të dhënë dje për “Gazeta Shqiptare”, pronari i lokalit “Fajon”, Bastri Malaj ka rrëfyer momentet e takimit por dhe të asaj çfarë ka biseduar me atë që e cilëson si “mysafirja e veçantë”.
Zoti Malaj, mbrëmë në lokalin tuaj keni pasur një kliente të veçantë, europarlamentaren Tanja Fajon, emrin e së cilës mban pikërisht edhe lokali juaj. Ishte e paralajmëruar kjo vizitë?
Jo, ishte surprizë. Sinqerisht nuk e prisja.
Çfarë ndjesie përjetuat kur u takuat me të?
Ishte një kënaqësi e veçantë. Shumë i emocionuar dhe i nderuar njëkohësisht.
Në çfarë ore erdhi znj. Fajon?
Në darkë vonë, rreth mesnatës. Sa po bëhesha gati të mbyllja lokalin kur erdhi dhe mysafirja e veçantë. Ka qenë ora rreth 24:00.
Sa qëndroi në lokalin tuaj?
Deri rreth orës 01:30 të mëngjesit.
Ishte vetëm apo shoqërohej nga dikush tjetër?
Shoqërohej nga personeli i ambasadës sllovene, në Tiranë si dhe nga disa gazetarë të Top Channel.
A kishte klientë të tjerë në lokal në momentin që aty mbërriti znj. Fajon?
Jo nuk kishte klientë të tjerë. Ju thashë më lart se sa po bëhesha gati ta mbyllja lokalin.
Çfarë pije konsumoi znj. Fajon?
Ka pirë një gotë Whisky, Jack Daniels.
Vetëm një gotë?
Po, vetëm një gotë ëhisky.
E latë të paguante?
Absolutisht jo. Si do mund të paguante. Në asnjë mënyrë. Ishte kënaqësia ime shumë e veçantë që e kisha në lokalin tim. Në asnjë mënyrë që nuk mund ta lija të paguante. As bëhej fjalë.
Çfarë përshtypjesh ju shprehu për lokalin? A ju pyeti përse vendosët ta quanit “Fajon”, lokalin tuaj?
Ngeli shumë e kënaqur. Lokali i pëlqeu shumë. Bëri dhe shumë foto. Më pyeti përse pikërisht kisha zgjedhur emrin e saj. Ishte shumë e interesuar ta dëgjonte vetë edhe pse më tha se e kishte ndjekur një intervistën time televizive ditën që u bë publik fakti që unë vendosa ta quaja “Fajon” lokalin tim. I shpjegova se e kisha vendosur në nderim të saj sepse dha një ndihmesë tepër të çmuar në plotësimin e ëndrrës së shqiptarëve, atë të liberalizimit të vizave dhe lëvizjes së lirë. Mendoj se nuk ka ndonjë shqiptar që nuk e do dhe nuk e çmon Tanja Fajon për ndihmën që na dha. U ndje shumë e vlerësuar. U prek madje. Më premtoi që do të rikthehej sërish në muajin mars ose prill të vitit të ardhshëm.
Thatë pak më lart se znj. Fajon qëndroi gati 1 orë e gjysmë në lokalin tuaj. Çfarë biseduat gjatë kësaj kohe?
Ka qenë një bisedë shumë e këndshme. Mund t’ju them madje që shakaja dhe humori ishin në maksimum.
Mund të na thoni ndonjë batutë e veçantë?
Batutat që u thanë dhe humorin që bëmë preferoj ta lemë brenda ambienteve të lokalit.

(d.b/GSH/BalkanWeb) Lidhje te tjera FOTO: Tanja Fajon blitz në Tiranë, në lokalin me emrin e saj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›