E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tanush Mulleti: Në '42-in Qazim Mulleti ka shpëtuar Ramiz Alinë nga ekzekutimi italian

Në rrëfimin e radhës, Tanush Mulleti tregon kur xhaxhai i tij Qazim Mulleti erdhi në krye të Bashkisë dhe Prefekturës së Tiranës.
- Historia e arrestimit të Ramiz Alisë në Vitin '42 si pjesëmarrës në rininë komuniste të Tiranës, dhe situata e krijuar kur rrezikohej për ekzekutim, ndërkohë që shokët ishin dënuar me vdekje.
- Momentet kur e ëma e Ramiz Alisë ka takuar nënën e Tanush Mulletit për të ndërhyrë tek i kunati Prefekt, dhe përpjekjet e Qazim Mulletit para komandës italiane që të mund ta nxirrte nga burgu djaloshin 17-vjeçar.
- Çastet kur 50 vjet më vonë, Ramiz Alia do prekte sërish qelitë e sigurisë së lartë të burgut të Tiranës, për gabimet që kishte bërë si lider i shtetit komunist, dhe koincidenca e pabesueshme kur mësoi se drejtori i burgut ishte vetë Nipi i Qazim Mulletit i quajturi Tanush Mulleti.
- Çfarë sqarimi i ka kërkuar Ramiz Alisë, kur Tanush Mulleti në pozicionin e drejtorit të Burgut 313 në të cilin ishte futur gjithë ish-Byroja Politike, e thërriti në zyrë.
- Dëshmia e Alisë në zyrën e Drejtorit të Burgut, Mulleti, pak çaste si ishte arrestuar ku i deklaroi forcërisht se jetën e kishte prej Qazim Mulletit që e kishte shpëtuar nga prangat italiane.
- Surpriza që i burgosuri Ramiz Alia i bëri Tanush Mulletit kur i tregoi të panjohurën e madhe se babain e tij ia kishte shpëtuar nga pushkatimi në shenjë shpërblimi si vëllai i Qazim Mulletit.

(Vijon nga numri i kaluar)

Zoti Mulleti, e ndërpremë intervistën e numrit të kaluar kur Qazim Mulleti më së fundmi pranoi detyrën e rëndësishme të kryebashkiakut të Tiranës të cilën ia ofroi me insistim mëkëmbësi i Viktor Emanuelit në Shqipëri vetë Françesko Jakomoni.
Po. Ai fillimisht nuk e pranoi detyrën për shkak se kur u kthye në Durrës në korrikun e atij viti pra '39, pas plot 15 vjet emigrim politik për sa ishte në pushtet mbreti Zog, u betua se nuk do të merrej më me politikë.
Këtë betim e kishte bërë sa hodhi këmbën në tokën shqiptare si zbriti nga trageti i linjës së Barit apo jo?
Po pra. Por rasti e solli që në atë traget u ndodh dhe Jakomoni i cili u befasua nga popullariteti i Qazimit ku kishin dalë për ta pritur më shumë se 2000 vetë. Ishte momenti që ai vuante mërgimin nga vend i tij të cilit kishte 30 vjet që i shërbente me idealizëm të pashembullt dhe restoja që mori ishte që nëna së pari i vdiq e plasur nga malli për fëmijët që megjithëse me pesë fëmijë kishte pasur vetëm njërin afër që ishte im atë. Prandaj kur Jakomoni e thërriti si rezultat i popullaritetit të tij të madh ai menjëherë refuzoi. Por ishte siç ju shpjegova, para bejlerëve të Tiranës dhe gjithë familjet e mëdha që i kërkuan që ai t'i përfaqësonte se mund të ndodhte që të vinte në krye të bashkisë ndonjë nga ekstremet e largëta të vendit qoftë nga veriu dhe qoftë nga jugu. Kështu që e pranoi detyrën me kushtin që të kishte kontakte të drejtpërdrejta me Jakomonin. Ishte i vetmi Kryetar Bashkie që kishte kontakte të drejtpërdrejta me të, madje kjo kaloi edhe në një miqësi konfidenciale që u bë një nga arsyet që Qazim Mulleti ishte një nga njerëzit e plotfuqishëm të pushtetit lokal duke përdorur kompetencat dhe konfidencën e tij për të ndihmuar miqtë, dashamirësit dhe bashkëqytetarët e Tiranës.
Ju jeni duke i bërë vetëm Hymne?
Jam duke thënë një të vërtetë. Mund ta keni ndeshur shumë në këto vite që shumë njerëz thonë që na nxori nga burgu Qazim Mulleti madje këtë e ka thënë dhe Ramiz Alia të cilin e ka shpëtuar Qazim Mulleti.
Në ç'mënyrë?
Në vitin 1942 kur u bë një fushatë masive nga ana e italianëve kundër elementëve komunist dhe turbullues siç konsideroheshin në atë kohë. Në këtë "darë" arrestimesh ra edhe Ramiz Alia. Kam mësuar më mbrapa nga vetë Ramizi se në atë grup ku u prangos ai ishin jo më pak se 17 vetë. Midis tyre pati edhe që u pushkatuan. Ishin elementë të rinisë komuniste të Tiranës. Ramiz Alia ka qenë 17 vjeç. Fati e solli që i gjeti anën Qazim Mulletit dhe këtu është detaji më i bukur se ajo që ka shkuar te Qazim Mulleti për Ramiz Alinë ka qenë nëna ime se ishte shumë shoqe me nënën e tij. Qazim Mulleti ndërhyri tek autoritetet dhe e nxori prej burgu. Po sa e sa të tjerë që ka nxjerrë ai. Pra e kuptuat tani se çfarë roli ka pasur në kontaktet që kishte vendosur me italianët fillimisht dhe më pas me gjermanët. E di që ju do thoni që ata ishin pushtues. Në këtë rast unë ju përgjigjem që nuk ishte Qazim Mulleti që i solli në Shqipëri dhe as e pyeste kush atë se çfarë do të bënin, por ai vendosi kontakte dhe ndihmoi bashkëqytetarët e tij. Ky nuk është bashkëpunim në kurriz të atdheut por në ndihmë dhe në mbështetje të tij.
Me çfarë fakti tjetër e mbështesni këtë deklaratë?
Sepse të gjitha shkresat që kanë dalë nga zyra e Qazim Mulletit dhe nga institucioni që ai ka drejtuar qoftë i bashkisë dhe qoftë i prefekturës në kokën e saj është shënuar qartë "Shteti Shqiptar". Kjo ka shumë kuptim në lidhje me autoritetin e shteti që në interes të tij krijoi kontakte me një ushtri që erdhi jashtë dëshirës sonë dhe jashtë vullnetit tonë. Por ama duhej luftuar që ajo ushtri të shkaktonte sa më pak dëme dhe të mbroheshin së pari njerëzit.
Më folët për Ramiz Alinë për të cilin thatë se e paska shpëtuar Qazim Mulleti. Mund ta mendojmë se është në prizmin e fjalëve të shumta që thuhen sot ku flitet shumë dhe për çdo gjë, por a duhet t'i besojmë?
Ramiz Alia e ka pranuar vetë këtë fakt. Madje e ka të cituar edhe në një nga këto librat që kishte bërë tashmë vitet e fundit.
Juve keni biseduar me të për këtë fakt?
Ju thash që kam biseduar. Unë kam qenë Drejtor i Burgut 313 kur Ramiz Alia u arrestua dhe u vendos pikërisht në atë burg. Pra unë isha drejtor i tij. Unë e kisha dëgjuar dikur nga nëna ime historinë e tij, por nuk dija se ku qëndronte ai me të vërtetën. Kështu që pas natës së parë të arrestimit kur erdhi mëngjesi unë shkova në zyrë. Atje thërrita shefat përkatës ku më raportuan për të arrestuarit e asaj nate të cilët ishin pothuajse gjithë Byroja Politike duke filluar që nga Ramiz Alia. Dhashë porosi shefit të sigurisë të gjente një qeli të përshtatshme për të, për vetë detyrën e kryetarit të shtetit që kishte qenë, ndërkohë u thash ta sillnin në zyrën time.
Dhe çfarë bisede bëtë?
U ul si me përtesë në tavolinën përballë dhe më shikonte me një qetësi karakteristike. E pyeta për shëndetin dhe për të tjera gjëra që kishin lidhje me arrestimin. Pas kësaj e pyeta nëse kishte qenë ndonjë herë tjetër i arrestuar?
- Po, - më tha. Në '42-shin kur kam qenë në Rininë komuniste. Isha vetëm 17 vjeç.
- Po si munde të shpëtosh - i thashë?
- Më ka nxjerrë Qazim Mulleti - ma ktheu.
- PO lëre Qazim Mulletin - insistova unë - se nuk i binte ndërmend për ty, por më thuaj se kush shkoi te Qazim Mulletin.
- Nëna ime - shpjegoi - kishte shumë shoqe kunatën e Qazimit. Ajo i tha kunatës së tij, dhe kunata ndërhyri te Qazimi, i cili urdhëroi daljen time kur edhe mund të më kishin ekzekutuar.
- Po a e di ti se ajo kunata e Qazimit që ishte shoqe me nënën tënde ishte pikërisht nëna ime - sqarova unë - ndërsa ti nuk doje më t'ia dije se çfarë bëhej me këtë familje. Ku jetonte dhe si jetonte në internim.
- Ashtu thua ti? - Ma ktheu ai duke më parë në sy ndërkohë që vijoi: Kur është arrestuar yt atë me një grup të cilësuar shumë të rrezikshëm për kohën nuk është dënuar me pushkatim megjithëse shokët e tij u pushkatuan. Pra ai, vëllai i Qazim Mulletit nuk u prek, por doli shpejt nga burgu.
Kaq tha dhe la të kuptonte se i kishte vënë kapak kësaj teme.
Çfarë bëtë juve pas kësaj surprize kur mësuat me sa shikoj që Ramiz Alia në heshtje ju kishte shpëtuar babain tuaj?
U befasova shumë. Nuk e dija që jeta e tij ishte shpëtuar prej Ramizit. Një herë më hyri frika se mos ma kishin bërë bashkëpunëtor të sigurimit, ndërkohë që ne vuanim në internim gjë që i binte të shikoheshim sërish tashmë si sigurimsa. Kështu që shkova menjëherë në Ministrinë e Brendshme dhe gjeta dosjen e tij. Pash që nuk ishte bërë bashkëpunëtor se zakonisht në kësi rastesh ta falnin jetën. Por pash që pyetjet nga trupi gjykues ishin jo shumë provokative dhe jo shumë të ashpra për të akuzuar. Besova nga sa më tha Ramizi atë mëngjes si hyri në burgun ku unë isha drejtor, por që më mbrapa e shënoi këtë fakt edhe në një nga botimet e tij mbi jetën personale. Por unë jua shtjellova këtë fakt, se kur ju thotë dikush të vërtetën mendoni se broçkullitet dhe i bëhen hymne njeriut për të cilin flitet që në këtë rast është Qazim Mulleti. Kjo ka të bëjë me sqarimin që unë ju bëra në fillim se në detyrat që Qazimi ka pasur në krye të Bashkisë dhe prefekturës ka ndihmuar njerëz dhe kompetencat që u detyroi krerëve ushtarakë të instaluar këtu i kërkonte për të ndihmuar bashkëqytetarët. Mendoj se fakti i Ramiz Alisë vlen shumë për të kuptuar thelbin apo jo?
Thatë që Qazimi u kthye pas 15 vjetësh në Tiranë ku së fundmi erdhi në krye të Bashkisë. Por më treguat se në Paris ai ishte me të vëllain e vet, Hysniun. Çfarë ndodhi me të?
Hysniu nuk erdhi në Tiranë për sa kohë që ishte Qazimi Kryetar Bashkie. Ai ka ardhur në Shqipëri në kohën që kishte ardhur gjermani. Atëherë i kanë afruar detyrën e Zëvendës kryeministrit, por s'e ka pranuar, madje Hysniu nuk ka pranuar as detyrën e Guvernatorit të Bankës.
Si ka mundësi?
Hysniu erdhi në Shqipëri pas vitit 1943 dhe kishte parë dhe dëgjuar më shumë në lidhje me luftën botërore që kishte kohë që kishte nisur. Nuk ishte pak për të, që deri në atë moment kishte qenë në Perëndim dhe të vije nga perëndimi siç erdhi ai, kishe një informacion shumë më të kthjelluar nga propaganda euforike mediatike. Hysniu dinte më shumë hollësi për momentet e sfilitjes që kishte filluar të përjetonte ushtria e Kryqit të Hekurt të Hitlerit. Me këtë dua të them se Hysniu ishte absolutisht i bindur se fitonin Aleatët.
Jemi në vitin '39-'40 kur Qazim Mulleti ka kryesuar bashkinë e Tiranës. Më folët se donte të ishte jashtë politikës dhe se postin e konsideronte në shërbim të qytetarëve të tij. Në lidhje me sa deklaroni jam i detyruar të më thoni se çfarë veprash ka bërë konkretisht në Tiranë Bashkia e saj kur drejtohej prej Qazim Mulletit?
Qartë. Atëherë po ju them se Bulevardi që është sot dhe që quhet bulevardi "Dëshmorët e Kombit" është projektuar dhe ndërtuar në kohën që në krye të Bashkisë ka qenë Qazim Mulleti. Të tjerët më pas kanë prishur dhe kanë rikonstruktuar, pra kanë riparuar si ta themi më mirë. Në atë kohë u ndërtua edhe godina e madhe e Korpusit Kryesor të Universitetit. U ndërtua Godina që sot është Kryesia e Parlamentit apo Godina e ish-Komitetit Qëndror të Partisë së Punës, siç quhet rëndom etj etj.
Paskësaj detyre ai kaloi menjëherë në detyrën e Prefektit të Tiranës?
Jo. Në vitin 1941, Qazim Mulleti është dërguar si Komisar i Jashtëzakonshëm në rajonin e Kosovës. Ishte koha kur përgatitej marrja e Kosovës.
Si ishte detyra zyrtare që kishte në atë rajon pasi një detyrë e tillë "Komisar i Jashtëzakonshëm" duhet të ketë qenë ilegale mendoj?
Ashtu është, por ai shkoi i maskuar në detyrën e Prefektit të Peshkopisë. Ka qenë koha që Italia ishte afër kapitullimit dhe vihej re një tendencë e hapur e afrimit Greqi - Jugosllavi. Qazimi në atë kohë në një fjalim të rëndësishëm që ka mbajtur para popullit të Peshkopisë ka deklaruar se kishte ardhur koha e bashkimit të madh të Kosovës me tokën mëmë. Në ato zona po afrohej ushtria gjermane. Duke parë këtë situatë dhe këtë lëvizje të jugosllavëve ai shkoi të takonte komandantin gjerman të operacionit në Europën Juglindore.
Pse e takoi?
Ju thash që shkoi në rajonin e Kosovës me detyrën e Komisarit të Jashtëzakonshëm për të ndërhyrë dhe ndikuar në bashkimin e trojeve. Prandaj edhe e takoi Komandantin e Operacionit Gjerman për Evropën Jugperëndimore Novenbacher, të cilin e kishte njohur madje e kishte pasur mik që në Vjenë.
Si ka mundësi?
Sepse në atë kohë, pra kur Qazim Mulleti kishte jetuar në Vjenë, Novenbacher kishte qenë Kryetar Bashkie i saj dhe rasti e kishte sjellë që ishin njohur mirë dhe kishin siguruar një miqësi të afërt. Këtë ai tashmë që ishte rasti po e shfrytëzonte në interes të Kosovës kur jugosllavët lidhnin marrëveshje me grekët.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›