E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha - Ramës: Prek institucionet në ta mban

Kryeministri Sali Berisha ashpërson gjuhën ndaj Ramës: "Ty Lana dhe vetëm Lana të pret"


LEZHË - Nga qyteti verior i Lezhës, Kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar liderin e opozitës, Edi Rama, se nëse do të prekë institucionet e vendit, do të ketë pasoja. Sipas Berishës, protesta treditore e opozitës përballë Kryeministrisë nuk e ka impresionuar aspak atë. Kryeministri i vendit përdori sërish dje një gjuhë të pazakontë.


"Më vjen aty, çirret dhe shan si halabak para dritareve të Kryeministrisë dhe mendon se më impresionon, thotë se rrethuam kështjellën dhe tani, pa provoje një herë, provoje një herë kështjellën! Më detyrove të them se do të tregoj, sesa të vlen lëkura. Ta them lëkura, se ti je i zhveshur lakuriq, nuk ke rroba. Mos i njih fare zgjedhjet dhe provoje, prek institucionet në ta mban.


Këto janë zgjedhjet e para që u firmosën nga opozita e vendit, këto janë zgjedhje të bekuara", - tha dje Berisha. Kreu i qeverisë theksoi se arsyeja se pse Rama nuk i njeh zgjedhjet ka të bëjë me mendësinë dhe mentalitetin e të kaluarës së tij. Sipas Berishës, mohimi i këtyre zgjedhjeve nga opozita, nuk bën gjë tjetër, veçse e nderon atë.


"Zoti Rama që të jem shumë i sinqertë me ty, mosnjohja e këtyre zgjedhjeve nga ti, vetëm më nderon dhe të ftoj që kurrë të mos i njohësh. Unë e bëj këtë për dy fakte; zgjedhjet i ka kaluar opozita shqiptare, zgjedhjet i ka certifikuar opozita shqiptare, zgjedhjet i ka firmosur opozita shqiptare.


Zgjedhjet nuk i njeh ti, për shkak të mentalitetit dhe mendësisë dhe familjes historike që i përket, si dhe familjes biologjike, që ti i përket. Këtë qëndrim mbante vetëm Enveri ndaj zgjedhjeve", - tha dje Berisha. Ai shtoi se nëse ish-drejtuesve komunistë iu rezervua koshi i plehrave të historisë, liderin socialist e pret lumi i Lanës.


"Ti ke kaluar gjithë fëmijërinë tënde në studiot e babait tënd, duke lustruar bustet e Enverit. Në rast se baballarëve tuaj, ne u rezervuam koshin e plehrave të historisë, ty Lana dhe vetëm Lana të pret", - u shpreh Kryeministri. Gjatë këtyre ditëve, Kryeministri Berisha ka lëshuar një lumë akuzash ndaj opozitës dhe vetë liderit të saj, Edi Rama, duke e tensionuar komunikimin dhe situatën politike në vend.


Dy ditë më parë, Berisha theksoi se ai kishte toleruar mafien, vetëm e vetëm me faktin që Rama të mos i bojkotonte zgjedhjet e 28 Qershorit. Muaji dhjetor mendohet që të jetë një muaji intensiv me zhvillimet politike.


Kështu data 5 dhjetor është data kur mbaron afati që i ka caktuar opozita, mazhorancës për të hapur kutitë e votimit, në të kundërt protestat e opozitës do të përshkallëzohen në të gjithë vendin. Ndërkohë që më 8 dhjetor, mazhoranca do të organizojë një manifestim festiv lidhur me 19-vjetorin e rënies së komunizmit në Shqipëri.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›