Tarantino: "Doja të bëhesha Bob Dylan-i i kinemasë"
Intervista /
Pas një projeksioni jo shumë të mirë në Festivalin e Kanës, regjisori i "Pulp Fiction", kishte njoftuar se do të bënte disa ndryshime në montazhin përfundimtar të filmit të tij. Dhe nuk ka bërë veçse disa ndreqje të vogla.
"Fjalaman, i lodhshëm dhe statik", - komentonte Éric Neuhoff, gazetar kulturor i "Figaro"-s, gjatë festivalit të fundit të Kanës.
Ndërsa së fundi, "The Guardian" shkruan se "Inglourious Basterds" i Quentin Tarantinos, një aventurë e Luftës së Dytë Botërore, është një gjë jashtëzakonisht zhgënjyese, ku Brad Pitt shfaqet me performancën e tij më pak tërheqëse deri më sot.
Fëmija i mbrapshtë i kinemasë indipendente amerikane, i zbuluar në fillim të viteve nëntëdhjetë, Quentin Tarantino, 46-vjeçar, shpejt do të imponohej si një nga mjeshtrit e kinemasë postmoderne, jo lineare, dhe me mjaft influencë.
Pas "Reservoir Dogs" (1992), "Pulp Fiction" (Palmë e Artë në Kanë më 1994), "Jackie Brown" (1997), "Kill Bill" (I dhe II, 2003-2004), dhe "Bulevardi i vdekjes" (2007), filmi i tij i shtatë, një variacion spaghetti mbi një film lufte, këtë vit në Festivalin e Kanës mori vetëm çmimin e interpretimit që i dha aktorit Christoph Waltz, një SS pervers dhe oportunist, shfarosës i hebrenjve.
Në këtë intervistë dhënë për të përditshmen franceze "Le Figaro", ai flet për konceptin e tij për filmin historik, për shkrimin kinematografik dhe ambiciet e tij.
Keni pohuar se u janë dashur pothuajse dhjetë vjet për të shkruar dialogët e skenës hyrëse, xhiruar në mënyrën e një western spaghetti. Në gjithë filmat tuaj, çfarë ju shtyn t'i ripunoni dialogët deri në mani?
Sa për dialogët, unë nuk mund të zbres nën një farë niveli të kërkuar. Po t'i iki këtij fronti mendor, do të thotë të heq dorë nga filmi. Marrim shembullin e "sekuencës siçiliane" në filmin "Romancë e vërtetë", për të cilin kam shkruar skenarin më 1993. Kjo skenë, ku Dennis Hopper është përballë Christopher Walken, për disa kinofilë është bërë një skenë kult. Për mua është sekuenca më e mirë që kam shkruar.
Kur i dhashë dorën e fundit skenës hyrëse të "Inglourious Basterds", thashë me vete: "OK! Kam arritur, duket se e kam kaluar nivelin e "sekuencës siçiliane". Tani mund të vdes!" (Qesh) Gjithsesi, unë besoj se gjëja më e bukur e filmave të mi janë dialogët.
Si e kishit përfytyruar skenarin e këtij filmi për Luftën e Dytë Botërore, që ndonjëherë i dredhon parodisë?
Ju e dini që unë asnjëherë nuk kam pasur qëllim të bëj një film "historikisht korrekt". Ç'është e vërteta, është shtrirë në një dekadë. Për mua, një skenar origjinal është si një autostradë, shfaqen një mijë e një mundësi për historinë. Qoftë kryqëzime të rrugëve nacionale, qoftë udhë të errëta.
Në Hollivud janë të shumtë skenaristët që nuk u hyjnë rrugëve të pashtruara. Unë nuk e kam këtë lloj freni. Prapëseprapë, në fillim të "Inglourious Basterds", film historik kostumesh, isha përgatitur për pengesat rrugore që kanë të bëjnë me respektimin e vërtetësisë dhe të vetë historisë.
Dhe papritur thashë me vete: "Prit pak! Personazhet e mi nuk janë historikë. Nuk kanë asnjë jetë reale." Kështu që nuk i jam përmbajtur ndonjë vërtetësie historike. Fare mirë personazhet e mi mund ta ndryshonin historinë! Kështu që "bastardët e mi pa lavdi" më tërhoqën prej hunde.
Ata më treguan rrugën. Për ta nuk kishte vend të ndaluar. Dhe filmi im u bë një ukroni e denjë filmash fantashkencë. Disa miq të mitë më thoshin se ajo që kisha shkruar mund të ishte fare mirë një episod i Star Trek-ut!
"Inglourious basterds" nuk është aq i dhunshëm sa filmat tuaj paraardhës. Mos jeni bërë më zotni?
Aspak! Dhuna është e pandarë nga tema që trajtoj, pra Lufta e Dytë Botërore. Madje dhuna është e nevojshme përderisa detyra e "bastardëve" të mi është që të shfarosin njerëz. Por nuk doja ta filmoja vetëm për kënaqësinë për ta pasur në ekran. Doja të shmangia klishetë e filmave për luftën, në stilin: heronjtë vrasin një ushtar gjerman, veshin uniformën e tij dhe hyjnë në vendngjarje pa më të voglin problem.
Nga dyqani juaj i vogël kalifornian i videove me qira i Hermosa Beach deri në Hollivud, ka një humnerë. E shkonit nëpër mend se do ta kapërcenit një ditë?
Gjithmonë kam pasur një shpresë të çmendur se do t'ia dal. Mund t'ju habis, por tek unë, çunak, ka ndikuar shumë Bob Dylan. Në ëndrrat e mia më të çmendura, imagjinoja të bëhesha Bob Dylan-i i kinemasë. Uroja që të bëhesha më shumë se një regjisor i thjeshtë reklamash.
Doja të isha i njohur nga kinofilët. Doja të isha po aq i njohur e popullor sa një Brian De Palma në vitet 1970. Ja, këtë shpresoja unë. Mirë pra, ndershmërisht, shpresoja megjithatë më shumë se kaq! (Qesh.)